Nga Leonora Aliu / Express/
U zotuan disa herë se në vitin 2013 FSK do të bëhet ushtri. Por Forca e Sigurisë së Kosovës, pavarësisht përmbushje së kapaciteteve operacionale, do ta ketë statusin e njëjtë edhe për një kohë të padefinuar. Duket se kërkesat e zyrtarëve janë bërë vetëm për konsum të brendshëm, përderisa ato nuk u janë drejtuar fare NATO’s.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO’s, Anders Fogh Rassmusen tha se as që ka dëgjuar ndonjëherë se zyrtarët e Prishtinës kanë kërkuar shndërrimin e FSK’së në ushtri.
I heshtur ndaj kësaj deklarate është shfaqur Ministri i FSK’së, Agim Çeku, i cili e ka gradën e Gjeneralit, e dikur edhe thoshte se “një shtet pa ushtri nuk është shtet” dhe zotohej se Kosova do të bëhej shtet i plotë.
Një shpjegim rreth dështimit të avancimit të FSK’së në ushtri e dhanë për Express zyrtarë të Ministrisë së tij.
Zëdhënësii MFSK’së, Ibrahim Shala tha se deri më tani zyrtarisht nuk është kërkuarnjë avancim i tillë për shkak të mospërfundimit të procesit të rishikimit të sigurisë që po bëhet nga grupi punues i Këshillit Kombëtar për Siguri e që vepron në kuadër të ekzekutivit.
“Ende është në proces rishikimi. Varet prej dinamikës qysh punon ai grup punues i Komisionit, që nuk është Komision i FSK’së por i shtetit është grup punues i shtetit që udhëhiqet prej Këshillit Kombëtar të Sigurisë”, tha Shala për Express të mërkurën.
Kritikat më të mëdha për ngecjen në këtë proces Kryetari i Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e FSK’së, Ahmet Isufi ia adresoi Qeverisë së Hashim Thaçit.
“Qeveria e Kosovës e ka neglizhuar procesin e avancimit te Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës madje edhe deklarata e zotit Rassmusen është shpjeguesi më i mirë se kjo Qeveri është duke stagnuar në të gjitha segmentet”, tha ai.
“Ka pasur rastin që me rastin e rishikimit të strukturës së FSK’së dhe sigurisë në vend të pozicionohet duke pasur parasysh edhe kalimin e mandatit të FSK’së të paraparë me dokumentin e Presidentit Ahtisari e që është pesë vite, që ta shndërrojë në ushtri dhe pjesë të NATO’s”, shtoi Isufi.
Ai bëri të ditur për Express se Komisioni i tij i ka rekomanduar Ministrisë së Çekut që pas vlerësimit të NATO’s, FSK’ja të vihet në pozicionin e ri, atë të avancimit.
Por sipas tij, Qeveria nuk i ka kryer veprimet e duhura. “Arsyetimet e Qeverisë për ngecjen e këtij procesi si pasojë e rishikimit të sigurisë kombëtare dhe dialogut me Serbinë në një farë mënyre janë pengesë për vetveten nga ana e Qeverisë, nuk është dashtë të bëhen ato arsyetime”, tha ai.
Rrishikimi i sigurisë në vend sipas tij pritet të përfundojë në fund të këtij viti. Derisa Çeku ka paralajmëruar se deri në janar të vitit të ardhshëm do të merret vendimi se si do të funksionojë sektori i sigurisë më tutje.
Në anën tjetër, gazeta amerikane “Washington Post” kishte shkruar ditë më parë se Kosova në fund të dialogut me Serbinë synon të bashkohet me NATO’n.
Për këtë arsye, sipas gazetës amerikane, Kryeministri Thaçi ishte së fundi në Washington
“Ai ishte duke shpresuar se administrata e Obamas do të bënte presion që Aleanca të marrë hapa paraprak për të pranuar vendin e tij”, kishte shkruar Washington Post.
Forca e Sigurisë së Kosovës ka 2,500 pjesëtarë aktivë dhe 800 rezervë.