Shkruan: Rrustem Geci – Dortmund/*
Vrasja e qëllimshme ndaj shqiptarëve, nga pakica serbe, e ndihmuar nga Ushtria serbe, dhe paramilitarët e saj, gjatë bombardimit të NATO-s, dhe më herët, përbën gjenocid të pastër të serbëve mbi shqiptarët. Gjenocidi serb, në komunat; Gjilan, Dardanë dhe Viti, edhe pas 14 vjetësh, vazhdon të jetë i padënuar. Heshtjet e Prokurorisë së Kosovës, dhe e Gjykatave të Kosovës, janë të pa falshme. Prokuroria dhe Gjykatat, ende bëjnë gjumë, mbi një dosje të gjenocidit të gjerë. Shumë janë lotët e nënave në dritare. Ato presin t´i bëhet gjyq, gjenocidit serb në Kosovë. Prandaj, pyesin prindërit, nuset e veja, fëmijët jetim, kur do të ndodhë një gjyq i tillë?
Libri i Musa Sabedinit, „Vrasje dhe dëshmi“, është dëshmues për vrasjet, djegiet dhe plaçkitjet e mëdha që kanë ndodhur në Komunat, Gjilan, Dardanë, dhe Viti, në periudhën mars-qershor, 1999. Rrëfimet nga dëshmitarët e librit „Vrasje dhe dëshmi“, për 147 të vrarë e të masakruar nga pakica serbe, për 75 të plagosur, 950 shtëpi të djegura tërësisht, dhe 452 shtëpi të djegura pjesërisht, dhe 7321 shtëpi të plaçkitura po nga pakica serbe e Kosovës, si dhe qindra gra e vajza të dhunuara, nga Ushtria Serbe, dhe paramilitarët e saj, janë trishtuese. Dëmet materiale të gjenocidistëve serb, për shkatërrimin e ekonomisë familjare në komunat, Gjilan, Dardanë dhe Viti, kapin shifrën 177 milion e 201 mijë marka gjermane.
Duart e përgjakura të gjenocidistëve serb, mbi shqiptarët kundërshtues të regjimit të gjenocidistëve, ( ende të pa dënuar ) janë të pafalshme. Krimi i bërë serb mbi shqiptarët ( i lënë në heshtje qe 14 vjet ) është për alarm, dhe për t´i rënë të gjitha kambanave, që të dilet nga heshtja e panevojshme. Hej, duhet t´i thërras ndërgjegjes institucionale në Kosovë, më thotë vetja ime, se kriminelët që përgjakën Kosovën, janë të lirë, dhe shëtisin pa druajtje nëpër qytetet tona. Kriminelët që bën gjenocid në Kosovë, Kosova duhet t´i arrestojë dhe t´i çarmatosë sa më parë.
Prokuroria e Kosovës, nuk guxon të heshtë. Ndryshe, serbët që gjenociduan Gjilanin, Dardanën dhe Vitinë, dhe gjithandej Kosovës, armët i kanë gati për krime të reja. Në librin e Musa Sabedinit, „Vrasje dhe dëshmi“, lexuesi, shkrimtari, artisti, dramaturgu, kompozitori, gazetari dhe tragjediani, mund të marrin informacione të mjaftueshme për veprat e tyre artistike, si bie fjala, reportazhe, romane, dokumentarë filmash, balet dhe operë.
Krimet kundër Luftës Çlirimtare të Kosovës, në Anamoravë, pavarësisht vonesave, s´mund të varrosen as në puse të thella, dhe as nëpër varre harresash. Libri i Musa Sabedinit, „Vrasje e dëshmi“ është dokument i pashkatërrueshëm i kujtesës sonë historike, dhe adresa e kryesve të gjenocidit serb mbi popullatën shqiptare, në periudhën, mars-qershor 1999, por, edhe më herët. Goja më merret, më thotë Arbi, një miku im, tek po e lexoja librin, „Vrasje dhe dëshmi“, të Musa Sabedinit.
Plagët e dhëna në libër, vazhdon miku, mbrëmë s´më kanë lënë fare të bëjë gjumë, mbase, vet e kam jetuar atë kohë në burg, dhe torturat e pushtuesit serb. Gjenocidistët serbë në komunat, Gjilan, Dardanë, dhe Viti, dhe gjithandej Kosovës, vrisnin dhe masakronin, fëmijë, nxënës, studentë, mësues, bujq, bujkesha, profesor, drejtor shkollash, minator, amvise, taksist, jurist, inxhinier, kamarier, zjarrfikës, rojtar, imam, shurdhmemecë, dhe kafshë shtëpiake të shqiptarëve.
Harta e krimeve është edhe më e gjerë. Frika e serbëve nga liria dhe pavarësia e Kosovës, shpërtheu në urrejtje nga më të përtejmet. Fshati Zhegër, Lashticë dhe Llovcë, ishin fshatrat nga më të plagosurat në Anamoravë. Në Zhegër, Gjenocidistët serbë vranë 13 shqiptarë, dhe plagosën 7 shqiptarë.
Krimi i kriminelëve serb nuk mbyllet me kaq. Në Zhegër gjenocidistët vetëm për shkak të përkatësisë etnike, djegën dhe plaçkitën 410 shtëpi, 104 traktorë, tre kamionë, 200 vetura, 96 kultivatorë, 322 lopë, 140 tonë miell, 5 furgon, sipas komisionit të fshatit, dëmi ekonomik në zhegër kap shumën 19 milion e 320 mijë euro.
Mirëpo, egërsia e kriminelëve serbë, s´mbaron me kaq, ajo vazhdon edhe në fshatin Lashticë, një fshat i kamur ekonomikisht dhe i arsimuar. Aty gjenocidistët serbë, me datën 30 prill 1999, i pushkatojnë, i djegin dhe i karbonizojnë 13 kufoma, ndërsa mbeten të plagosur 5 qytetar të Llashticës.
Gjenocidistët serbë në atë kohë kudo ishin në panik, dhe frikoheshin shumë nga Kosova e pavarur. Ata në çastet e fundit të humbjes së luftës, ju rrjedhën të gjitha trutë, dhe zgjodhën krimin më gjenocidistë kundër „Kosovës së lirë“,dhe „Kosovës shtet“.
Libri i Musa Sabedinit, është libër i krimeve serbe të bëra në Anamoravë. Varret dhe të gjallët e atyre varreve, qoftë përmes grimcave të kujtesës, qoftë përmes vesës së barit, nuk më lënë të harroj atë kohë të krimeve barbare, më thotë Refik Kryeziu.
Edhe i palinduri i asaj kohe, Nevzadi, ( tash më fëmijë i rritur ) i cili trashëgon emrin e gjyshit të tij, i rënë nga llava e gjenocidistëve serb, në Roganë, e lexon për çdo ditë atë kohë.
Lufta e Kosovës e 1999-tës, do të jetoj gjatë, nëpër të gjitha mileniumet e ardhshme të njerëzimit. Në Luftë e Kosovës, të vitin 1999, u shkatërruan 100.589 shtëpi, 358 shkolla, 71 Zyra të vendit, 30 Shtëpi të kulturës, 93 Biblioteka publike, dhe 123 Objekte shkollore, 215 Objekte shëndetësore ( Xhami, teqe, tyrbe ) , Kisha katolike 5, ndërsa Objekte ndihmëse përcjellëse, 88.101. Në periudhën 1998 – 12 qershor 1999, janë vrarë dhe masakruar 11.848 qytetarë nga Kosova, prej tyre 1. 392 fëmijë deri në moshën 18 vjeç. Ndërsa, 296 fëmijë deri në moshën 5 vjeç. Në Luftën e Kosovës të vitit 1999, janë vrarë 1739 femra, vajza dhe gra të reja. Ndërsa gra të moshuara mbi moshën 65 vjeç, janë vrarë 1882 gra. Ndërsa, 1450 qytetarë të Republikës së Kosovës, ende janë të pagjetur. Në Luftën e Kosovës janë dhunuar nga Ushtria dhe paramiliutarët serb, 20. 400 femra shqiptare, ndërsa janë dëbuar nga vatrat stërgjyshore, rreth 1 milion shqiptarë të Kosovës. Prej tyre 443 300 në Shqipëri, 247. 800 në Maqedoni, 69. 300 në Mal të Zi, 21. 700, në Bosne, 13. 639 në Gjermani, 7. 581 në Turqi, 5829 në Itali, 5.730 në SHBA, 13 në Alaskë,pastaj në Francë, Norvegji, Suedi, Britani, Poloni, Spanjë,Portugali, Finlandë, Zvicërr, Australi, Izrael, Kanada, etj.
Prandaj, është e padrejtë që të harrohen dëshmitë e gjalla të Vlora Shabanit nga Llashtica e cila humbi më të dashurit e saj në luftë, apo dëshmia e Deli Hysenit i cili ndodhet diku në Francë për shërim, por që kurrë nuk iu dha ndihma e shtetit.
Janë të pafalshme nga ana e shoqërisë kosovare harresat e grave e vajzave të dhunuara. Krimi i dytë dhe më i rëndë do të ishte nëse ato përbuzen dhe lihen në harresë.
Libri i Musa Sabedinit andaj është një përkujtues historik që nuk na lenë të harrojmë për asnjë qastë atë dhunë të shfrenuar dhe atë krim e gjenocid që bëri ushtria e policia zyrtare serbe në Kosovë.
Në libër ka shumë fakte, prova, dëshmi, procesverbale, analiza, dokumente serbe, të cilat vërtetojnë krimet e kryera.
Në libër gjithashtu ka emra dhe regjistra të të gjithë paramilitarëve serbe të Anamoravës të cilët në vende të caktuara kanë vrarë e masakruar shqiptarë. Për të gjitha këto heshtje dikush duhet të japi llogari e përgjegjësi, sidomos përgjegjësia është e madhe e hetuesve shqiptarë, e prokurorëve dhe e gjykatësve që kanë heshtur e vazhdojnë të heshtin akoma.
Musa Sabedini edhe pse nuk e kishte obligim, ai me guximin e tij, me mençurinë e tij doli fshat për fshat, familje për familje, fotografoi, mori dëshmi e deklarata të njerëzve të gjallë se çfarë u kishte ndodhë atyre gjatë luftës.
Dëshmitë ishin origjinale dhe si të tilla janë autentike për kohën. Me të drejtë për këtë libër vlerësime shumë pozitive kanë dhënë recensentët e njohur Pajazit Nushi e Behxhet Shala.
Autori i librit, „Vrasje dhe Dëshmi“, Musa Sabedini, u lind në Stublinë të Gjilanit, me 8 maj 1971. Me gazetari dhe publicistikë merret që nga viti 1990. Për disa vite ka udhëhequr gazetën studentore, „Bota e re“.
Gjatë studimeve në Universitet, Musa Sabedini ka qenë nënkryetar i UPS-së, të UP-së, korrespondent i gazetave ditore: “Dita”, “Epoka e re”, “Kosova sot”, Kosova Live” dhe „Lajm“.
Musa Sabedini, për 14 vite, ka udhëhequr Klubin e gazetarëve „Beqir Musliu“, në Gjilan. Vlen të theksohet se Musa Sabedini, është fitues i katërfishtë „Korrespondent i vitit“, në Kosovë, në vitet ( 2003, 2006, 2007, dhe 2008 ).
Musa Sabedini ka ndjekur trajnime dhe është kulturuar në fushën e gazetarisë hulumtuese, në Kolumbia Misuri të SHBA-ve. Musa Sabedini është themelues i Agjencisë Rajonale të Lajmeve Rajonipress.
Libri i Musa Sabedinit “Vrasje dhe Dëshmi“ është libri i tij i dytë. Vetëm një dorë mjeshtërore do të dinte të bënte këtë libër-dëshmi për të gjitha kohët.
Libri i Musa Sabedinit “Vrasje dhe Dëshmi” nuk të lë të heshtësh. Bari mbi varreza ka kohë që nuk shkelet. Liria është mundësi e madhe. Edhe i rëni e ndien aromën e të gjallëve të lirë. Varrezat e të rënëve të luftës për liri kudo janë zbukuruar. Fotografitë dhe datëlindjet e të rënëve nëpër varreza nuk janë më frikë. Gati tek çdo i rënë ka lule të freskëta dhe kujtime të freskëta, dhe nga një varg kënge për gjithsecilin.
* Lexim i librit të Musa Sabedinit, „Vrasje dhe dëshmi“