Nga Frank Shkreli*-
At Gjergj Fishta, françeskani, edukuesi, poeti, politikani, rilindësi, përkthyesi dhe shkrimtari i Kombit Shqiptar ka lindur, më 23 Tetor, 1871 dhe ka vdekur në moshën 69-vjeçare, më 30 Dhjetor, 1940. Ata që e admirojnë, e konsiderojnë Fishtën si Poeti i Kombit dhe njëri prej shkrimtarëve shqiptarë më me influencë i të gjitha kohërave. Në këtë përvjetor të lindjes dhe pothuaj 80-vjet pas vdekjes, detyrohem të pyes veten, se pse Fishta edhe sot, 30-vjet pas shembjes së komunizmit, mbetet ende i padëshiruar dhe i lënë pas dore nga politika zyrtare nga kultura, shkenca dhe akademia – mbetet armik dhe reaksionar, ashtu siç konsiderohej nga komunizmi, megjithëse ai nuk jetoi as nuk veproi asnjë ditë nën atë regjim. Duke lexuar disa gazeta të vjetra të komunitetit shqiptaro-amerikan ditë më parë, ndesha në një shkrim të Profesorit Arshi Pipa, titulluar pikërisht, “Fishta dhe Komunizmi”, botuar në gazetën “Shqiptari i Lirë”, organ i Komitetit “Shqipnia e Lirë”, më 31 janar, 1961 në Nju Jork. Në atë artikull, Profesor Pipa e shpjegon shumë mirë politikën komuniste ndaj At Gjergj Fishtës dhe veprës së tij, gjurmët e së cilës trashëgimi politike anti-kombëtare, fatkeqësisht, i shohim edhe sot në fushën e letërsisë dhe në lëmin e kulturës shqiptare në përgjithësi. Ishte një freski pjesëmarrja e Presidentit Ilir Meta në Kuvendin Folklorik Kombëtar, organizuar ditët e fundit në Lezhë, në nder të kolosit të letrave shqipe, At Gjergj Fishtës. “Edhe pse i përkushtuar ndaj një besimi, misioni i tij fisnik, që na la trashëgimi dhe prej të cilës ne frymëzohemi edhe sot, ishte Shqiptaria, heroi dhe misionari i kombit, që duhet të ndërmarrë impenjime shoqërore konkrete” është shprehur Presidenti i Shqipërisë. Shpresojmë që fjalët e Z. Meta të jenë një frymë e re e kohës, një hap “zyrtar” simbolik ky sado i vogël, drejt rivendosjes së këtij burri të madh të Kombit në vendin që i takon në historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve – një vend që i është mohuar atij me pa të drejtë.
Por le t’i kthehemi artikullit të ndjerit Profesor Arshi Pipa, “Fishta dhe Komunizmi”. Në artikullin e tij të gjatë mbi këtë çështje, Profesor Pipa, edhe vetë ai një ndër autorët shqiptarë të ndaluar nga regjimi komunist dhe që ka kaluar 10 vjet në burgjet dhe kampet e punës së detyruar – shkruan se dy tre vitet e para të sundimit komunist, Fishta ende nuk konsiderohej si një subjekt “tabu”. Por, megjithëkëtë shkruan ai, qysh në fillim, shihej se nga frynte era. Nëpërmjet “qarkoresh, këshillash, qortimesh e porosish, mësuesve të gjuhës dhe letërsisë”, u ishte dhënë urdhri që të vinin në dukje anën “reaksionare”, jo vetëm të Gjergj Fishtës, por edhe të Faik Konicës. Kështu filloi dalëngadalë të “përgatitej terreni”, sipas Profesor Arshi Pipës, për eliminimin e Fishtës dhe të veprave të tij.
Arshi Pipa shkruan nga përvoja personale, bazuar në ato që kishte parë e dëgjuar, mbi përpjekjet fillestare të regjimit komunist për të eliminuar Fishtën nga letërsia dhe historia e Shqipërisë, pasi ai thotë se në, atë kohë, ishte vetë mësues i letërsisë në “Institutin Femnuer të Tiranës” dhe pjesëmarrës në mbledhjen e arsimtarëve të shkollave të mesme të Tiranës, mbledhje e thirrur nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit të asaj kohe, Shemsi Totozani. Kjo mbledhje që kishte një karakter krejtësisht politik, ka shkruar Arshi Pipa, ishte thirrur me qëllim për t’u imponuar mësuesve dhe arsimtarëve pikëpamjet marksiste leniniste të pedagogjisë sovjetike, sidomos për lëndët si letërsia, filozofia dhe historia. Ishte kjo mbledhje, shton ai, ku u bë thirrje haptas që Gjergj Fishta dhe Faik Konica të shpalleshin “reaksionarë” dhe të hiqeshin nga mësimi në shkollat shqiptare. Në mbështetje të Totozanit doli Qibrie Ciu, në atë kohë Drejtoreshë e “Institutit Femnuer”, kujton Profesor Pipa, e cila “u vërsul ashpër kundër Fishtës, duke e quajtur atë; oportunist, reaksionar me damkë e deri tradhtar.”
Është interesant fakti se, sipas Profesor Pipës, kundër pikëpamjeve ekstreme të Totozanit dhe shokëve të tij kundër Fishtës, doli Ministri i atëhershëm i Kulturës, Sejfullah Malëshova. Sa ishte Malëshova në atë detyrë, thotë autori, Fishta dhe Konica u kursyen, por shton se me rrëzimin e Malëshovës pak më vonë, “Fishta u fshi nga defteri”.
Kjo ndodhi, sipas Profesor Arshi Pipës, “Në një kohë kur Shqipëria po rrëshqiste ndër krahët e Jugosllavisë, për t’u bërë republikë e shtatë e saj dhe udhëheqja komuniste shqiptare nën diktatin e Beogradit nuk mund t’ia falte Gjergj Fishtës shprehjet e tij kundër Jugosllavisë.” Si përfundim, thekson Pipa në artikullin e tij, botuar në gazetën e Nju Jorkut, “Shqiptari i Lirë”, në vitin 1961, “Me eliminimin e fraksionit nacionalist brenda partisë, të kryesuar nga Malëshova dhe Dishnica dhe më vonë nga fraksioni autonomist Nako Spirua – të tre këta kundërshtarë të politikës pro-jugosllave – triumfoi vija ekstremiste e çiftit Hoxha-Xoxe, të cilët për arsyet e tyre personale dhe partizane ishin gati të sakrifikonin interesat dhe vlerat kombëtare”, ka shkruar Arshi Pipa.
Ai shton se “Fishta u sakrifikua pikërisht si përfaqësuesi i madhor i vlerave kombëtare”.
Profesor Pipa është shprehur, se ajo që e dallon patriotizmin e At Gjergj Fishtës nga të tjerët është, “karakteri militant, luftarak, i patriotizmit” të tij. Të tjerët, sipas Arshi Pipës, më shumë kanë mbrojtur, ndërsa Fishta ka mbrojtur dhe ka sulmuar. “Ai ka sulmuar të gjithë ata, persona ose shtete të vogla, ose fuqi të mëdha, të Lindjes e të Perëndimit, të Krishtit ose të Muhametit, që kanë synuar robërimin, pushtimin, copëtimin e Shqipërisë. Ata që kanë cenuar tagrin e popullit shqiptar, ata që kanë fyer dinjitetin dhe krenarinë kombëtare”, ka shkruar Profesor Arshi Pipa për patriotizmin e Fishtës.
Sipas tij, është e vërtetë se Fishta ishte më i ashpër me sllavët, por kjo duhet të gjykohet bazuar në rrethanat nën të cilat ka jetuar dhe vepruar Fishta. “Fishta nga një katund i Fushës së Shkodrës, u bë meshtar katolik dhe kishte ra në dashuri me malet e Mbishkodrës. Kur të jenë peshuar mirë këto tre elemente”, shkruan Pipa, “do të matet vlera e shoqërore e veprës së Fishtës. “Lënda e “Lahutës së Malëcis”, vepra madhore e Fishtës, është një himn i gjatë i jetës së malësorëve të Veriut. Jeta e këtyre fiseve malësore, kufitare me sllavët”, ka theksuar Profesor Pipa në artikullin e tij, “ka qenë një luftë e pandërprerë për ruajtjen e tyre etnike nga presioni sllav. Përfundimi është një epikë dramatike, një furi që shpërthen mbi armikun dhe armiku qëllon të jetë sllavi, armik tradicional i malësorit të Veriut”, thotë Pipa.
Pipa shkruan se komunizmi e ka paraqitur Fishtën si një fanatik fetar, si shovinist të tërbuar antisllav që urren kombet e tjera, si reaksionar i tipit kleriko-borgjez. Por a “Është Fishta shovinist, sepse mbron tokën shqiptare dhe sulmon ata që e sulmojnë Shqipërinë?” pyet Pipa. Profesor Pipa e cilëson interpretimin komunist të Fishtës si një qëndrim “arbitrar që nuk i qëndron kritikës objektive” dhe thekson: “At Gjergj Fishta u rrëzua nga piedestali ku e kishte vendosur populli shqiptar, në kohën kur regjimi komunist i Enver Hoxhës varej nga jugosllavët” dhe ka vazhduar ashtu, bazuar në “logjikën revolucionare”, sipas Profesorit.
-Fishta i përkiste urdhrit françeskan, një pjesë e madhe të cilëve janë vrarë nga regjimi enverist, një pjesë kanë vdekur nëpër burgjet komuniste të Shqipërisë, shkruan Pipa. Fishta, si përfaqësuesi më i njohur i françeskanëve nuk mund të lihej pa prekur, thekson ai.
-Sipas tij, një arsye tjetër se pse At Gjergj Fishta dhe vepra e tij ishte ndaluar nga regjimi komunist, kishte të bënte me “rendin ideologjik botëror” të asaj kohe. “Binomi i famshëm i Fishtës ‘Atme e Fe”, ishte krejtësisht i papranueshëm për komunistët”, ka arsyetuar Arshi Pipa.
-Dhe arsyeja e tretë, sipas Profesor Pipës, ishte thjesht çështje inati. “Fishta nuk e ka pasur veç me sllavët e jugut, kufitarë me Shqipërinë, por me vetë Rusinë”, nënën e sllavëve të jugut. Për Fishtën, “shkjetë e Ballkanit” janë klyshtë e Rusisë”. Rusia atëherë dhe sot mbronte interesat e sllavëve të Ballkanit në dëm të shqiptarëve, por për komunistët shqiptarë, mjafton që Fishta e kishte futur Rusinë në një thes me fuqitë e tjera “imperialiste” dhe kjo sipas Profesor Pipës, mjaftonte që regjimi komunist i Enver Hoxhës ta fuste At Gjergj Fishtën dhe veprat e tij në listën e zezë. Pipa kujton se në fakt, Fishta nuk ka kursyer as fuqitë e tjera të mëdha të kohës, që vepronin kundër interesave të Kombit shqiptar, përfshirë Italinë, të cilën e sulmon keq në “Anzat e Parnasit”. Ai e quan Evropën, “kurva e motit”, shënon Pipa dhe shton se këto janë fakte historike që dihen botërisht. Fliste mirë për Austrinë, se në atë kohë Vjena ka mbështetur Shqipërinë, shton Arshi Pipa.
Kjo është një përmbledhje e shkurtër e artikullit të shkruar nga Profesor Arshi Pipa në gazetën shqiptaro-amerikane “Shqiptari i Lirë”, organ i Komitetit Shqipëria e Lirë, me rastin e 20-vjetorit të vdekjes së Poetit Kombëtar. Ishte një shkrim retrospektiv mbi fatin e keq të Fishtës nën regjimin komunist të Shqipërisë, ndërsa autori e përfundon artikullin me pyetjen: “A do të mbetet Fishta përgjithmonë armiku numër një?” Ai shprehet optimist duke thënë: “jo përgjithmonë”. Ai shpreson një ndryshimi zyrtar ndaj At Gjergj Fishtës dhe veprës së tij, që sipas Arshi Pipës, do të ndodhë kur “komunizmi të ndërroj qime”. Profesor Arshi Pipa do të habitej shumë po të jetonte sot se, megjithëse komunizmi në Shqipëri mund të ketë “ndërruar qime” me shembjen e Murit të Berlinit, Fishta mbetet ende, me shumë autorë të tjerë shqiptarë të ndaluar nga komunizmi, i pa pranuar zyrtarisht. Ndonëse shumë gjëra mund të kenë ndryshuar në Atdheun e të parëve tonë në periudhën “post-komuniste”, pothuaj asgjë nuk ka ndryshuar në lidhje me Fishtën. Natyrisht, se veprat e tij botohen dhe lexohen, por At Gjergj Fishta, zyrtarisht, edhe sot ,30-vjet post-komunizëm – “mbetet i zhdukur nga pasuria kulturore” dhe nga historia e Kombit shqiptar. Udhëheqja shqiptare komuniste nuk mund t’ia falte Fishtës shprehjet kundër sllavëve të jugut dhe Rusisë.
- Po çfarë mund të themi për neo-jugosllavët e Tiranës sot?!
- A vazhdojnë të besojnë ata në “logjikën revolucionare”, në mënyrën se si trajtohet sot zyrtarisht At Gjergj Fishta në Shqipëri?
“Ujku qimen e ndërron, por vesin jo”, thotë populli! Fishta ishte i neverituri i stalinizmit shqiptar. Zyrtarisht, At Gjergj Fishta mbetet ende “reaksionar” dhe “armik i popullit”. Deri kur? STOP URREJTJES! Bëjuni mjet i paqes dhe i pajtimit!
*Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë