Frano Kulli/
Leximi i mbramë i lejuar e i papenguar “Post mortum”, ka vijuar edhe jo më shumë se pesë vite, nga 1940 deri në 1945-ën. Në ndërkohë janë dy botime përkujtimore; “At Gjergj Fishta-Botim perkujtimuer” i vitit 1941, përgatitur nga bashkëvllau, At Benedikt Dema dhe tjetri i së njëjti koncept e format dhe i po të njëjtit vit, botim i revistës “Shkëndija” në Tiranë, përgatitur nga Ernest Koliqi. Janë dy momente përndritjeje përreth tij e veprës së tij, por masandej mbas shumë pak kohe gjithçka zbehet e venitet. Ndoshta qe kjo mirakandja e fundme që pasoi preludin trishtues për atë pluhnajen që do të vinte më mbas, terratisja e tij deri në mospërmendje. Mospërmendja ra vetëm me rikthimin e lirisë së fjalës e të shprehjes. Ndër të parat gjëra rreth të cilave filloi të flitej ishte edhe evokimi e rikthimi i Fishtës së ndaluar… Gjithçka e botuar në gjallje të tij, kishte mbetë e shpërndarë. Nuk u arrit të përmblidhej në një kolanë, ashtu siç e kishte ëndërruar vetë ai. Dhe siç kishte porositur në bisedë me njërin prej bashkëvëllezërve, At Viktor Volajn (6.12.1910 – 5 nëntor 1995), gjuhëtar ekselent. Kjo gjë nuk mundi të arrihej prej tij edhe pse ai, fizikisht jetoi gjatë mbas autorit. Në vitin 1941 ai ribotoi të komentuar prej tij “Mrizi i Zanave”. Me këtë botim që ishte i katërti i veprës (i pari daton në vitin 1913 nga shtypshkronja “Nikaj”) ai vijonte bashkëpunimin e tij me Fishtën tashmë të ndjerë, prej aty ku e kishin lënë.”N’ortografi u mbështeta mbi njato kritere-dëshmon Volaj-mbas të cillash, dy muejë para deket qortuem bashkë me poetin trembëdhet kangët e para të “Lahutës…”. Ndersa me ndrrime të vogla qi bani aty këtu i zhduku edhe disa trajta nëndialektare sidomos të Zadrimës, si kjoshna per kjoshim, jena për jemi etj., si edhe trajtat e sinkopueme,(k’in për kishin) kur s’e lypte nevoja, tue kenë mendimi mbi nji botim definitiv me i zhduk do trajta nendialektare, qi nuk kishin nji arsye të posaçme shprehjeje
Kështu, letërsia e tij, gjalloi vetëm në klandestinitet, shpesh me rrisk e rrezik për lexuesin e leximin fshehtas, ose… si letërsi orale (gojore). Lahuta, kryevepra kështu. Për kak të strukturës së saj stilistiko-letrare dhe se qe bërë shumë familjare, një vepër homerike e cila komunikonte lehtësisht edhe në mënyrë orale.(Kam njohur jo një po disa ithtarë që recitonin pa u ndalur me qindra vargje nga ajo, njësoj si vargje të eposit të kreshnikëve.) Eqrem Çabej, shprehet:”Fishta arriti të ngrejë kështu veprën (“Lahuta e Malcis”) në sferën kombëtare… vepra e tij ka marrë karakterin e një eposi kombëtar. Te ky[Fishta] e kaluara dhe e ardhmja e këtij kombi janë pjekur fatalisht në një pikë simbolike me njëra-tjetrën.Ai madje shton se:“nuk mund ta përflasim poetin që ka marrë për lëndë të poemit të tij një trevë njerëzore gjeografikisht kaq të ngushtë; sepse te kjo botë e përshkruar prej tij njohin vetveten jo vetëm Malësorët e Veriut, por gjithë banorët e maleve shqiptare, ata të Verilindjes (Kosovë), të Lindjes (Dibër) e të jugperëndimit (Labëri)”
Po më përtej, është shfaqë edhe synimi shvleftësues, në ndonjë analizë stilistikore, po krejt të sipërfaqëshme, buruar prej ndjesive të xhelozisë, më tepër se prej arsyeve të tjera, besojmë. Arti i Fishtës është përçmuar si folklorizant. Duke i vënë përballë vargun e lirë e modernitetin e tij, për kohën, tek Migjeni; duke krahasuar të pakrahasueshmet. E duke mënjanuar faktin që vetë Fishta nuk qe aspak përjashtues por veçse vlersues e inkurajues për talentet e shkrimtarisë së kohës së vet. Sidomos për më të rinjtë. E jo veç i Koliqit, bie fjala, por edhe i Migjenit, të cilin ai e çmonte “djaloshi i talentuem”. Kur ndër biseda me të, bashkëvllazën françeskanë i shfaqnin mospranim për idetë a poezitë e tij e madje e cytnin duke i thënë: “Pader, duhet me ju pergjegjë këtij Migjenit..”. E poeti pati dhënë atëherë, në vijim të konsideratës së tij për të, këtë përgjigje për bashkëvllaznit:”Lenie rahat djalin e Gjushit [Gjergjit] se asht ende i ri… “, pohojnë bashkëkohës se u thoshte Fishta për të.
Po me letërsinë tjetër të tij ç’u bë ? … Ç’u bë me dramaturgjinë e tij ? Me dramat e melodramat, po edhe me përshtatjet nga fondi më i mirë i dramaturgjisë botërore, shumicave e të cilave qe inskenuar po prej tij. Fishta pati sjellë për së pari komunikimin në shqip të saj. Veprimi i tij për teatrin zë fill që më 1902. Asokohe, salloni në Kuvendin e Françeskanëve në Shkodër, ku ishte edhe “rezidenca krijuese e shkrimtarísë së Fishtës” u kthye edhe ndër sallat e para në atë qytet e më përtej, sallë shfaqjesh ku filloi të kumtohej shqip. Dhe vetëm shqip. (Pak më vonë, me 1919, në Gjuhadol, në oborrin e shkollës fretnore u ndërtua një sallë tjetër, një sallë me 300 ndenjëse për spektatorë). Këtë pati kurajë ta bënte Gjergj Fishta, i cili, edhe kur përdorimi i shqipes ende qe i ndaluar nga Perandoria Osmane e futi atë si gjuhë mësimi në shkollat françeskane (liceun françeskan “Illyricum” dhe në shkollën e motrave stigmatine) kur ishte drejtor i këtyre shkollave. Studiuesi Tonin Çobani na kumton se: “Aty [në sallonin e fretënve] mendohet se u shfaqën dy skeçet origjinale të Fishtës (“Autori, Shtypshkronjësi” dhe “Përpara derës së Parrizit”), komeditë “Mjek përdhuni“(1905) dhe “I ligu për mend” (1908), të dyja sipas Molierit, si dhe dy pjesë origjinale me karakter didaktik: “Gjuha e Mësimit” (1907) dhe “Nevoja e mësimit” (1907).
E fundit vepër e tij dramaturgjike që vihet në skenë është melodrama “Juda Makabé”, në vitin 1945, me 28 nëntor, në një vjetorin e çlirimit nga pushtuesi. (Zef Zorba ishte rregjisori, Prek Jakova muzikanti. Preka, i izoluar për arsye biografike, në një shtëpi burg aty në Shkoder, ditën e çonin nga aty, në teatrin e jezuitëve ku bëheshin provat për shfaqjen e në darkë e kthenin përsëri në shtëpinë burg). Ajo qe shfaqja e fundit e “Judës…” dhe e fundmja shfaqje me tekst nga veprat dramaturgjike të Fishtës. Këtu e këndej gjithçka venitet e struket. Ende sot, Fishtën e citojnë dhe e përmendin rrallë si dramaturg. Ani pse ai është autor i 40 dramave e melodramave, të shkruara a të përshtatura. Me shkrimtarinë e vet në gjininë dramaturgjike(që kryesisht është e shkruar në vargje), por dhe me vënien në skenë, thuajse të shumicës së veprave të këtij zhanrri, Fishta u shenjua vetëdijshëm si themeluesi i teatrit shqiptar. Kurse Faik Konica, në esenë e tij të gjatë “Shqipëria, kopshti shkëmbor i Europës juglindore” shkruan: “At Fishta është marrë me secilën gjini letrare dhe në të gjitha ka qenë i suksesshëm”
Po me satirën? Satira qe përmbledhë në “Anzat e Parnasit” që me 1907-ën…Shkruan At Pashk Bardhi një bashkëvëlla françeskan: “Në vjetë 1907, nuk më bje në mend se në ç’muej, nëpër liqe të Shkodres kthete prej nji udhëtimi qi kishte bâ në Vjenë Abâti i Mirditës, Emzot Doçi. At Fishta, At Benardin Shllaku e unë i duelem përpara ku ndaloi vaporri. Kur hime n’lunder për me ardhë në qytet[Shkoder] e thirri Fishten me ndjejë bri tij e i kallxoi se në Vjenë të gjithë, profesorë e studenta e të gjithë qi u merrshin ndopak me gjuhë shqype ishin t’entuzjasmuem per “Oso Kuken”[Kënga e dytë e Lahutës] e lavdet qi i kish ndie prej sish nuk dijte me i shprehë. Atë Fishta e pveti: “Po per “Anza t’Parnasit”, monsinjore, shka thojshin… “… Është i vetëmjaftueshëm edhe pohimi i kësaj bisede për të ndaluar te vendi që zinte satira në aspiratën krijuese të Fishtës, që heret. Madje, njihet deri më tani se publikimi i parë i Fishtës është një vjershë satirike “Zoti Anselmo Lorecchio në Vienë”, e botuar në nëntorin e vitit 1899, në “Albania” të Konicës, që asokohe dilte në Bruksel.
“Gomari i Babatasit” qe shkruar, inskenuar edhe botuar në 1923. Në kohën kur doli ajo tronditi skenën shkrimore e intelektuale, por atë politike mbi të gjitha, me thellësinë e mendimit e forcën e satirës që fshikullonte dallaveret e shumta të politikës e mbartësve të tyre, kryesisht. Edhe “Visku…” që për “arsye prudence”, siç autori na pohon, mbeti e pabotuar…
Mbas ndalimit të tij edhe satira mbeti e transmetuar heshtazi e frikshëm vetëm si…lexim anekdodik. Në vend të satirës së tij, që në bashkëkohësí kishte pasë arrit majat, “lexohej”, transmetohej Fishta hokatar. Pra qarkullonin gojë më gojë anekdotat e tij dhe përreth tij sidomos, herë të thëna bukur e herë jo bukur. Ishte pra, aspak më shumë se vulgaritet me zëvendësue satirën e kulmeve të arritura deri atëhere me hoka. Siç është vërejtur, “Gomari i Babatasit dhe “Visku i Babatasit”, janë shenja të larta emancipimi mendor e shoqëror të shqiptarëve, të cilët nuk na kanë lënë, për fat të mirë pa dëshmi dinjiteti për të përballuar të vërtetën. Në këtë pikpamje, kjo vepër mund të krahasohet, siç është krahasuar me “Udhëtimet e Guiliverit” tek anglezët, me “Shpirtrat e vdekur” tek rusët, me “Gjermania-një përrallë dimri” te gjermanët etj.-shkruan studiuesi Stefan Çapaliku. Edhe tani, së voni, kur u vu në skenë “Gomari i Babatasit”, në Shkodër salla e teatrit qe plot për disa netë, po nga zyrat u patën shigjetuar me turivarje…
Po me prozën: publicistikën, eseistikën ç’u bë ? Ndoshta përkufizimi i Lasgushit “meditans e militans” [ëndërrimtar dhe luftarak] do t’i shkonte më shumë se çdo perifrazim tjetër produktit të shkrimtarisë së tij në këtë fushë. Si stil shkrimtarie e si problematikë sociale. Që intonohet e shërben edhe në të sotmen. Në të vërtetë, asnjë personalitet shqiptar i kulturës, rezident i përhershëm në truallin ku lindi, nuk ka marrë nderime e vlerësime të pafundme superiore sa At Gjergj Fishta, në gjallje të vet, i rrethuar me lavdi si askush deri atëherë në Shqipëri.
Që Fishta është jo vetëm poet, por shumë më tepër se kaq, një figurë poliedrike e kulturës kombëtare shqiptare, është pranuar tashmë si aksiomë ndër qarqet e studiuesve të tij dhe njerëzve të letrave shqipe, në përgjithësi. Në opusin letrar që ai ka lënë, publicistika e Fishtës është ajo pjesë e krijimtarisë së vet, disi e eklipsuar prej asaj që është çmuar e vlerësuar si vepra homerike shqiptare, prej poemës së tij epike, “Lahutës së malcis’ ”.Megjithëkëtë, pa asnjë mëdyshje, publicistika, ashtu sikurse edhe satira , është një nga kulmet e krijimtarisë së tij, e njëherësh njëra prej majave ku ka arritur tradita e shtypit tonë demokratik. Ndonëse më pak i studiuar në këtë lëmë, për arsye të njohura e që lidhen me misionin historik, regresist të forcave jo kulturëdashëse për ta rrëzuar me çdo kusht e çmim personalitetin e madh, Gjergj Fishta.
Ai është e do të mbetet në radhën e publicistëve më të mëdhenj kombëtare të bashkëkohësisë së vet, përkrah Fan Nolit, Faik Konicës, Luigj Gurakuqit e ca të tjerëve…Kontakti i tij aktiv e i paprerë ndonjëherë me shtypin e kohës, që fillon me 1899, me të përditshmen “Albania” të Faik Konicës e s’ndahet për më se dyzet vjet të gjalljes së tij, është argumenti i parë për të provuar pohimin e mësipërm. Artikujt e Gjergj Fishtës i gjejmë në rreth 16 tituj të përkohshmesh e fletoresh, e shumta e tyre ndër më prestigjiozet organe të shtypit shqiptar: ”Albania” “Elçija (ma vonë Lajm’tari) e zemrës së Krishtit”, “Zani i Shna Ndout”, ”La Nazione Albanese”, ”Leka”, ”Grueja shqyptare” , ”Shkëndija”, “Rivista d’Albania”, ”Posta e Shqypnisë”, themeluar prej tij, gjithashtu, etj. Boton në to krijimtari letrare e religjioze, por boton ndërkohë esé dhe artikuj të tjerë publicistikë. Mund të përmenden ndër to: ”Grueja shqyptare në Shkoder”- përgjigje e një artikulli të botuar në revistën “Minerva” ose “Fjalimi i permort’shëm mbi kufomen e Avni Rrustemit” në “Politika” e Vlorës, maj 1924.
Ndërsa “Hylli i Dritës”, e themeluar prej tij në vitin 1913 dhe e drejtuar po prej tij, në 15 prej viteve që ajo doli është, padyshim revista më kualitative e kohës në Shqipëri dhe pasqyrë e standardit kulturor të vendit tonë në kulturën kontemporane (bashkëkohore) europiane. Artikulli prezantues i numrit të parë “Perlimi (programi, detyra) i Përkoshmjes”, që përbën edhe fillesën e angazhimit përkushtues të Fishtës në këtë fushë, i cili do të vijojë me një ritëm fort të dendur e që do të zgjasë përreth tri dekada, deri në frymën e fundit, me 30 dhjetor të vitit 1940. Në faqet dhe në numrat e saj gjen të trajtuar gjalljen e jetës shqiptare, etnosin dhe zhvillimet kulturore, nëpërmjet gjinive të mirëfillta profesionale publicistike, që nga lajmi e deri tek përshkrimi, artikujt e gjatë analitikë, por edhe polemistë. Rubrikat,që e kanë ndjekur gjatë “Hyllin…”, “Lajme rrokull Shqipnisë” dhe “Lajme rrokull botës” kanë pasqyruar e ndjekur rregullisht jetën publike shqiptare dhe bashkëkohësinë europiane, me të njëjtin ritëm e mjeshtri si shumë prej revistave europiane të kohës. Është “Hylli i Dritës”, kjo krijesë e çmuar dhe për fat jetëgjatë e publicistikës shqiptare, megjithë tri ndërprerjet gati të dhunshme e peripecitë e panumërta të mbijetesës, përmes së cilës, themeluesi i saj, Gjergj Fishta shpalosi dy dhuntitë, ndër më të çmueshmet e ndërkohë, çuditërisht jo fort të përmendurat: talentin dhe erudicionin e tij prej analisti si dhe inteligjencën e talentin e jashtëzakonshëm, gjithashtu prej polemisti.
Analisti:
Janë të mjaftë artikujt që mund të merren për të ilustruar pohimin e mësipërm. Mjafton të citojmë disa prej tyre: “Liria e zgjedhjeve e obstrukcioni i opozitës” “Asambleja Kushtetuese”, “Ipeshkvijtë e Shqipnisë e çashtja e zgjedhjeve” , “Kleri katolik i Shqypnisë e bashkimi i kombit”. Janë të gjithë kryeartikuj të “Hyllit…” Ata, vërtet nuk firmosen nga Fishta, praktikë e zakontë kjo e shtypit të kohës, por është shkencërisht e njohur dhe e pohuar që ato janë produkt i penës së tij, janë artikuj të shkruar prej dorës së tij, që në akord me moralin e rregullat e Urdhrit Françeskan, të cilit Fishta i përkiste, mbeten e publikohen si anonimat. Në to, jo vetëm preken, por trajtohen e interpretohen të mbarat e mbrapshtitë më themelore të politikës shqiptare të kohës…”Zgjedhja e parlamentarëve për ne asht nji çashtje kryekput gjallnore”, për të cilën pohon Fishta tek “Liria e zgjedhjeve dhe obstrukcioni i opozitës”- I madh e i vogël e kemi detyrë me u interesue e me u orvat, qi këto zgjedhje të dalin sa ma të dobishme për ekzistencën e përparimin e shtetit t’onë E diku më poshtë në këtë artikull filozofon: “M’shka pështetet ndryshimi ndërmjet një shteti civil e institucional e një tjetri barbar, autokrat e despotik ?-pyet, e në mënyrë retorike përgjigjet: “Mbas mendimit tonë të gjithë ndryshimi përmblidhet m’kta qi shtetent e gjytetnueme e konstitucional ligjt i kanë të preme mbas nevoje reale të popullit, me relacion ndaj kohet, ndaj mendorjeve të vendit, ndërsa ndër shtete barbare e autokrate kto ligj përgjithsisht vendohen vetëm…mbas egoizmit t’sunduesve e rrallë e kurr mbas nevojve të popullit, që lanë e kjanë…nuk asht ligja që formon popullin por populli formon ligjen”. Siç kuptohet lehtazi koncepti filozofik e politik i Fishtës për shtetin është pa asnjë mëdyshje ai demokratik. Shpjegimi i tij, i dallimit të tipave të shtetit: demokratik, civil e konstitucional (kushtetues) nga shteti i tipit autokrat e despotik është tepër i argumentuar.
Forca e logjikës është e pakundërshtueshme, siç është ndërkohë konsekuent edhe qëndrimi legal e këmbëngulës për shtetin demokratik, kundërshtues e denigrues kundër shtetit autokratik. Tek artikulli, aso kohe i bujshëm “Delikti i Mamurrasit” shkruan: “Për me sundue një shtet, nuk asht mjaft dhelpnia, dredhia, intriga, batakçillëku, rrena, tradhtia: duhet nder, dije, urti, burrni, qe se çka duhet. Po, por dija, urtia, nderi, burrnia, po u zejshin (mësoheshin) në shkollë e, madje, me shumë mund e djersë, e jo ndër kafeshantana të Europës, e mejhane e paçexhihane të Tiranës, tue luejt tavëll e bixhoz, e tue pi mastikë”.
-Sparta ka krijuar Likurgun e jo Likurgu Sparten- shkruan Fishta-se mos të kishin kenë vetë spartanët bujarë…na Likurgut kurrë emnin s’do t’ja kishim ndie, mesa emni i disa kopistave e sekretarëve ngrehalucë të Tiranës, që në një shqype të keqe, rrinë sot tue përkthye do ligj, të cillët s’i përshtaten kurrkund popullit shqiptar, mbasi nji fshisë rrameçë t’i qesë jashta zyrëve .Prandaj e lyp , domosdo arsyeja, qi populli të jetë përfaqësue sa ma plotshim (në mënyrë sa më të plotë) e të jetë kryekëput i lirë në të zgjedhun t’atyne delegatënve t’vet, qi në nji Asamble a Parlament do të presë (këtu: krijojë) ligjin n’emen të tij; e kushdo ia mohon a ia ngushton popullit kët liri e kët përfaqësim, ai asht tyran (tiran), autokrat, diktatuer (diktator).. Analiza e sipërcituar është e vitit 1923 dhe siç lehtas dallohet , ajo është e qenësishme dhe e vlefshme shumë edhe sot, në teatrin politik shqiptar. Dhe vetëm po të nisesh nga ky fakt, pra jetëgjatësia e analizës politike-publicistike ke pohuar argumentin më me peshë në favor të vlerave të pakontestueshme, të dallueshme e të një cilësie par excellence në këtë fushë të krijimtarisë së Gjergj Fishtës.
Vërehet në krejt analizën publicistike fishtjane, krahas potencës cilësore superiore intelektuale, edhe kurajoja civile për t’i publikuar pikëpamjet e tij, ani pse në ta shumtën e rasteve e thuajse gati gjithnjë shkojnë përkundër “rrjedhës”, pra kundër mendimit zyrtar… Dhe kjo i ka kushtuar jo pak atij dhe veprës së tij edhe në bashkëkohësinë e vet, në gjithë veprimin e vet publik e kombëtar në vitet ’20,’30. Mjafton të kujtojmë mbylljen tri herë radhazi në mënyrë të dhunshme të krijesës së tij fondamentale kulturore-Hyllit të Dritës. Porse , të pretendosh diçka të thuash për Fishtën si publicist, pa përmendur e vënë në krye të radhës polemikën e tij, zëne se nuk ke thanë asgjë. Madje , në këtë “zeje” ai është i pakundshoq. Në qoftë se studiuesit e veprës së tij letrare, fishtologët e kanë vlerësuar si një kulm satirën e tij, mendoj se ai kulm ngrihet mbi këtë kualitet dhe arritje monumentale në këtë fushë të publicistikës.
Kurse sa i takon polemikës, një shkollë në vete, ende e munguar tek ne, Fishta qe zotëruesi i saj në bashkëkohësinë e vet; një model për t’u ndjekur edhe sot, për kthjellësinë e ideve, për principialitetin e pa lëkundshëm asnjë fije, por edhe për kulturën e bashkëbisedës e dialogut. Janë shembëlltyra të paarritëshme ende sot shkrime polemike si “Gabove Hilë” apo “Për nji fjalë të pavend të zotni Mehdi Frashërit” Por edhe në fushë të eseistikës me esetë: “Poetët e m’dhaj t’Italisë” apo “Shenime estetike” , të cilave ke pse t’u kthehesh edhe sot.
Njëri prej studiuesve të tij të zellshëm, Lefter Dilo, e vlerëson kështu: ”Polemika e tij nuk bëhet për çeshtje vetjake, polemika e Fishtës ka si yll polar përmirsimin e vendit moralisht, çfarosjen e veseve, luftën kundra “atdhetarëve me barkun kodër… ”.
Si kurdoherë, tribuna publike e polemistit Fishta do të mbetet prestigjiozja e françeskanëve “Hylli i Dritës”. Nëpër faqet e saj janë botuar më se 20 artikuj e kryeartikuj–ese polemistë. Disa prej tyre si : ”Çashtja e kryeqytetit e kleri katolik”, “Kombësia e kleri katolik” “Gabove Hilë “, “Ipeshkvijtë e Shqipnisë e çeshtja e zgjedhjeve ” , “Tash që u ba Shqipnia duhen perbâ (bërë) shqyptarët” … kanë mbizotëruar atmosferën intelektuale politike shqiptare të viteve 20-30. Kjo, sepse në thelbin e vet këto polemika kanë rrokur e trajtuar raporte delikate shqiptare, siç është raporti ndërmjet kombit e fesë, ose ai ndërmjet besimeve të ndryshme fetare në Shqipëri. Me kompetencë, me erudicion e dije të madhe, me dashuri të pakufishme për dheun dhe popullin e vet. Gjithsesi këto janë rrugë e rrugica të historisë së kulturave të popujve, të destinuara vetëm për të kaluar nëpër to njerëz të mëdhenj. Dhe Fishta ynë e kishte fituar këtë privilegj me veprën e vet.
(Nga libri: “Fishta, rileximi në kohën e lirisë”)