-Ambasadori gjerman në Prishtinë, Christian Heldt: Gjermania – në mënyrë bilaterale dhe brenda Bashkimit Europian – do të vazhdojë ta mbështes Kosovën në rrugën e saj/
-Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj: Ribashkimi i Gjermanisë, 27 vite më parë, i ka dhënë shpresë dhe besim të ri, në një të ardhme paqësore dhe pa kufinj ndarës, Evropës dhe tërë botës/
PRISHTINË, 2 Tetor 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Gjermania mbetet përkrah Kosovës, tha ambasadori gjerman në Prishtinë, Christian Heldt (Kristian Held), sot në mbrëmje në fjalimin me rastin e pritjes për shënimin e përvjetorit të 27-të të Ditës së Bashkimit të Gjermanisë.“Ne duam t’ju ndihmojmë në ndërtimin dhe konsolidimin e sundimit të ligjit gjithandej në Kosovë, t’ju shoqërojmë në luftimin e korrupcionit, të nxisim zhvillimin ekonomik, si dhe t’ju mbështesim në një dialog të balansuar me Serbinë”, tha ai.
Nga përvoja jonë në Gjermani, vijoi ambasadori Heldt, unë besoj se konsensusi nacional dhe vullneti për të bërë kompromise mund të ndihmojnë në zgjidhjen e çështjeve fundamentale.
“Pas një bllokade politike, unë sinqerisht shpresoj që dialogu konstruktiv politik do të vazhdojë dhe do t’i mundësojë Kosovës të përparojë në rrugën e saj drejt prosperimit dhe integrimit euro-atlantik”, shtoi ai.
Ambasadori Heldt u shpreh se Europa është shpresë, është një e mirë e përgjithshme, realitet dhe e ardhme, veçanërisht për gjeneratat tona të reja.
“Dhe Kosova është Europë dhe do të jetë pjesë e Unionit. Ne po ju presim”, theksoi ai.Ambasadori Heldt siguroi se, ashtu si Gjermania në të kaluarën, as Kosova nuk do të mbetet vetë.“Gjermania – në mënyrë bilaterale dhe brenda Bashkimit Europian – do të vazhdojë ta mbështes Kosovën në rrugën e saj”, theksoi ambasadori në festimin e Ditës Kombëtare të Gjermanisë.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka shkruar:Ribashkimi i Gjermanisë, 27 vite më parë, i ka dhënë shpresë dhe besim të ri, në një të ardhme paqësore dhe pa kufinj ndarës, Evropës dhe tërë botës.Ishte kënaqësi e veçantë që sonte, me rastin e shënimit të përvjetorit të 27-të të Ditës së Bashkimit të Gjermanisë, në eventin e organizuar nga ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, të isha i pranishëm në këtë ngjarje të këndshme dhe tejet relaksuese.Gjermania ka dhënë mbështetje shumë të madhe për shtetndërtimin e Republikës së Kosovës dhe për këtë, populli i Kosovës dhe unë, do të jemi përgjithmonë mirënjohës.