Kristaq BALLI
Portreti human, profesional e artistik i fotografit të shquar shqiptaro-amerikan Gjon Mili, tashmë, sa vjen e po ndriçohet në shumë aspekte të veprimtarisë së tij si një prej fotografëve të spikatur profesionistë botërorë, i cili ishte një prej kontribuesve kryesorë të një prej revistave më prestigjioze e influente amerikane e botërore – “LIFE” në të gjitha fushat e jetës të shek. XX. Si një fotograf evolucionist e inovativ, ai u bë i famshëm jo vetëm për lindjen dhe përhapjen e zhanreve të reja fotografike, si ato që kishin lidhje me “dritën stroboskopike”, “fotot e shumëfishta në lëvizje”, me “shpërthimin e kohës”, me “fotot e fiksuara nga artistë që vizatonin në errësirë me llambushka inkandeshente, e teknika të tjera imazherie”, por edhe për angazhimin e tij profesional e artistik në ngjarje të mëdha e befasuese historike, politike, sociale, kulturore, artistike, sportive në kuadrin e bashkëpunimit shumë të gjatë e po aq të suksesshëm me revistën javore “LIFE”, e cila shërbeu fillimisht si trampolin për nisjen e karierës së tij e, më pas, si një pasqyrë e madhe mediatike e illustrative, prapa së cilës qëndronte, veç të tjerësh edhe një artist i madh si Gjon Mili. Ata i dhanë kësaj reviste një përmbajtje e fizionomi të admirueshme e shumë popullore jo vetëmnë SHBA. Mjafton të themi që shumë foto të Gjon Milit në këtë revistë përbënin ballinat, ose pjesët më të rëndësishme të saj.
Gjatë shërbimeve të tij për këtë revistë, por edhe për pasionin dhe formësimin e opusit të tij artistik prej dhjetra mijra fotosh, Gjon Mili ka udhëtuar shumë, ai ka qenë në lëvizje të përhershme. Nuk ka shtet të SHBA-ve ku ai të mos ketë lënë gjurmët e tij, por edhe Europa, kryesisht Franca, Spanja, Anglia, Gjermania, Italia, Greqia, Rumania, Irlanda, apo Izraeli, etj., ishin destinacionet e punës dhe obligimeve të tij profesionale, por edhe të synimeve artistike e që lidheshin me figura të mëdha e të njohura botërore, kryesisht në botën e artit. Midis ngjarjeve surprizuese politike Gjon Mili është inkuadruar si fotograf ekskluziv i revistës ”LIFE” të paktën në dy prej tyre: në procesin e gjykimit të kriminelit nazist të Luftës së Dytë Botërore, Adolf Eichmann (1961-1962), si dhe në procesin e shqyrtimit dhe gjykimit të skandalit të madh amerikan të përgjimeve, i cili njihet si Skandali i Wotergeit-it (1972-1974) e pas së cilit presidenti Nikson (1913-1994) dha dorëheqjen në vitin 1974. Për të dy këto ngjarje Gjon Mili realizoi sete të plota fotografike bardhezi dhe me ngjyra, mjaft interesante e jo vetëm rëndom ilustruese, por edhe të studiuara e të vëmendshme nga pikpamja e vlerësimit të situatave, çastit të shkrepjes, pikvështrimit e sidomos atmosferës e momenteve psikologjike të personazheve të tyre kryesorë.
Sipas reflektimeve të vetë Gjon Milit, rasti i naziskinit Adolf Eichmann i ka krijuar një gjendje të rëndë e të ankthshme psikologjike, pasi jo vetëm që nuk ishte marrë ndonjëherë me situata të tilla fotografimi, por edhe sepse ndjeshmëria shpirtërore e një artisti të madh pozitivist ishte jashtë natyrës së tij humane e artistike.
Adolf Eichmann (1906-1962) me origjinë gjermano-austriake, pas disa angazhimeve në biznesin e babait të tij në Austri, u anëtarësua në Partinë Naziste dhe SS në vitin 1932. Një vit më vonë ai iu bashkua shërbimit të tyre sekret (Sicherheitsdienst) ku u emërua kryetar i departamenti përgjegjës për çështjet hebreje, veçanërisht emigracionin (deportimin), të cilin nazistët e inkurajonin së pari përmes violencës dhe presionit ekonomik. Pas shpërthimit të Luftës II Botërore në Shtator 1939 Eichmann dhe stafi i tij hartuan planin e përqëndrimit të çifutëve në geto në qytete të mëdha me probabilitetin e transportimit të tyre në Lindjen e Largme, fillimisht në Nisko të Polonisë juglindore dhe më vonë në Madagaskar, por këto plane nuk u realizuan.
Pas fillimit të pushtimt të ish Bashkimit Sovjetik në Qershor 1941, edhe politika e tyre ndaj hebrejve ndryshoi nga emigrimi në çrrënjosje e asgjësim. Për të kordinuar u zhvillua Konferenca e Wannsee (pranë Berlinit) e udhëheqësve administrativë të regjimit, më 20 Janar 1942. Sipas vendimeve të saj, Eichmann dhe stafi i tij u bënë përgjegjës për deportimin e hebrejve në kampet e përqëndrimit, ku viktimat u helmuan me gaz toksik. Pas pushtimit të Hungarisë nga Gjermania, në Mars 1944, Eichmann mbikqyri deportimin e më shumë hebrejve. Shumica e viktimave u dërguan në kampin e përqëndrimit në Aushvic, ku 75% u vranë. Ai parashikonte me mburrje se këtë fat do ta kishin 6 apo 7 milion njerëz.
Disfata e Gjermanisë bëri që edhe Eichmann të kapet nga forcat amerikane, por ai mundi të arratisej e të lëvizte në Gjermani për të shmangur riarrestimin. Deri në vitin 1950 ai jetoi i fshehur në një fshat të vogël të Saksonisë së Poshtme, prej nga mundi të ikë në Argjentinë me dokumente false e ku punoi në një uzinë të ”Mercedes-Benz”-it me identitet të rremë. Në vitin 1960 ai u diktua dhe u rrëmbye nga agjentë izraelitë në datën 21 Mars 1960, ditën e përvjetorit të martesës, të cilët e deportuan në Izrael. Aty ai u gjykua për 15 akuza kriminale që përfshinin krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe krime kundër popullit hebre. Gjatë gjyqit ai nuk e mohoi Holokaustin apo rolin e vet në organizimin e tij, por pohoi se ai thjesht zbatonte urdhrat e një sistemi totalitar duke qenë vetëm një instrument i tij pa hierarki dhe autoritet naziskin. Ai deklaronte se ai nuk ish ideator dhe ishte detyruar me forcë nga lidershipi nazist ndaj nuk ndihej i penduar dhe nuk kërkoi falje. “Nuk isha udhëheqës përgjegjës dhe nuk e ndiej veten shkaktar”- shkruante ai. Por, ai u gjet e u konsiderua fajtor për tëgjitha akuzat dhe u dënua me vdekje (varje) më 1 Qershor1962. Kufoma e tij u dogj dhe hiri u hodh në Detin Mesdhe, jashtë ujrave territoriale të Izraelit. Gjyqi u pasua gjerësisht në media dhe më vonë ishte subjekt i disa librave, dokumentarëve e filmave.
Gjyqi u tregonte izraelitëve të rinj përfitimet e kujtesës së tyre se krimet e tij janë të tejskajshme, ai ishte një precedent i tmerrshëm dhe se gjyqi kishte qëllim të rrezatonte shumë më shumë se sa gjykimin e një njeriu. Ishte githçka që gjenerata naziste kishte harruar, kishte qenë pjesë, ose nuk deshte ta njihte atë.
Në muajin Prill, 1961, Gjon Mili udhëtoi në Izrael, i dërguar nga revista “LIFE” për të realizuar foto ekskluzive rreth fillimit të gjyqit ndaj Eichmann-it që filloi më 11 të atij muaji. Koshient për figurën monstruoze të tij dhe furtunën mediatike e imazherike që që do të shkaktonte gjyqi, ai mendonte se si duhej të dilte nga stereotpi i fotografit formal, për të krijuar foto autentike që nuk do të shiheshin herë tjetër e që do të krijonin një impakt më të plotë ndaj figurës së Eichmann-it në ditët e fundit të jetës së tij. Por, fillimisht, Mili nuk kishte idenë se të çfarë forme e përmbajtjeje do të kishin ato fotografi. Vetëm kur u paraqit tek autoritetet izraelite në mjedisin ku mbahej Eichmann, si dhe mundësia e liria që iu dha prej tyre për të vëzhguar qelinë dhe mjedisin e ajrimit, madje edhe për të hyrë e komunikuar paraprakisht me vetë Eichmanin, i përshkënditën fantazinë krijuese dhe inspirimin e syrit të tij fotografik. Ishte një rast i rrallë, ndoshta i vetmi ndër dhjetra e dhjetra reporterë, korrespondentë e fotografë vendas e të huaj që i krijohej ky avantazh, kjo mundësi e veçantë, ndaj ai duhej ta shfrytëzonte dhe realizonte me gjithë mundësitë e tij profesionale, edhe pse ajo përbënte një sfidë të vështirë për të.
Në vitin 1960 ishte realizuar filmi epik mbi krijimin e shtetit modern të Izraelit “Eksodi” i regjisorit Paul Newman, i prodhuar nga kompania Alpha and Carlyle Productions e ku Gjon Mili ishte një preej fotografëve të filmit. Ndërkohë ishte duke u xhiruar edhe filmi tjetër “I Like Mike” (Unë e pëlqej Majlun) e kompanisë Geva Films, (shfaqur më1962), ku personazhi kryesor ishte një nënë autoritare hebraike. Në librin e tij “Israel in the American Mind” (Izraeli në Mendjen e Amerikanëve) të autorit Shaul Mitelpunkt i cili, midis të tjerash, gjatë komenteve të tij mbi këto filma, thotë: “Qeveria e Izraelit i dha akses për Eichmann-in fotografit të shquar shqiptaro-amerikan të revistës LIFE me kushtin që ai të ishte i punësuar zyrtarisht në zyrën e qeveritare të shtypit – një arsye më shumë që të ndihmonte “në parandalimin e akuzave se fotografët izraelitë nuk mund të prodhonin foto të një cilësie perfekte.” (Shaul Mitelpunkt, Israel in the American Mind, f.69). Ky ishte një vlerësim, por edhe një presion dhe përgjegjësi më e madhe në besueshmërinë e profesionalizmit të tij në një ndërmarrrje kaq të rëndësishme botërore.
Ja si e kujton Gjon Mili përballjen me Eichmann-in brenda qelisë: “Ah…, shtypi…,jaa!” , tha Eichmann duke u drejtuar nga unë me një përkulje. “Unë e di që ai do të më ‘tredhë’, por – dhe buzëqeshi shtirur – “edhe unë pata një përfitim, gjithashtu… një përfitim dyfish…dy cigare ekstra,” dhe ndezi i kënaqur një prej tyre. Gjatë çasteve që po i fotografonte duart, Mili shprehet: “Unë vura re duart e tij të forta dhe me formë të mirë, duar zanatçiu. Jo pa një ndjenjë krenarie, ai tha se kishte luajtur violinë kur ishte i ri. Takimi i ballëpërballshëm me Einchmann-in zgjati vetëm pak minuta. Pasi dola nga qelia, gardiani më vështroi: ‘Jeni bërë i verdhë si dylli. Çfarë ndodhi?’ Unë nuk munda të përgjigjem.” (Gj.Mili: Photographs and Recollection, p.198-199). Pëveç portretit të Eichmann-it, duarve të tij, si dhe një fotoje interesante, ku ai shfaqet në një tavolinë duke shkruar kujtime mes një kupi librash të preferuara prej tij për t’i lexuar a referuar, Gjon Mili, gjithashtu, duke luajtur rolin e paparacit, i ka bërë fshehur duke qëndruar gjatë në pritje, nëpërmjet dritares, apo edhe pjesës fundore të hapur të qelisë disa foto nga përditshmëria e veprimeve të Eichmann-it, të cilat i ka titulluar vetë. Të tilla si, “gjumi i pasdites”, “”karakter skrupuloz” që tregon momentet kur ai pastron WC,” , “ngrënja e drekës”, “duke u vizituar nga mjeku”, “leximi në shtrat”, “banja e mëngjesit”, etj. si dhe disa foto të shëtitjes në një mjedis të veçantë të rrethuar me tela me gjemba dhe në heshtje të gurtë me rojat që e shoqëronin por që e kishin të ndaluar t’i flisnin gjatë kohës së ajrimit, përbëjnë një set fotosh nga më të rrallat, të vetmet, më unikalet e sensacionalet për nga konceptimi e realizimi edhe pse jo aq të përpunuara teknikisht për shkak të kushteve të papërshtatshme mjedisore. Revista “LIFE”, botoi rreth 15 nga këto foto të Gjon Milit në numrin e 14 Prlllit 1961 duke dhënë edhe komentin e saj lidhur me fillimin e gjyqit: “Ndodh që një njeri i madh bëhet simbol i epokës në të cilën jeton, bëhet simbol i një vetie të epokës së tij – të së mirës, ose të keqes, të arsyes apo të çmendurisësë. Një njeri i tillë është Adolf Eichmann, nazisti, një simbol i urrejtjes dhe shëmtimit të papërshkrueshëm të Gjermanisë së Hitlerit.”
5 dekada pas ekzekutimit, në vitin 2012, revista “LIFE” ribotoi përsëri kronologjikisht fotografitë e Eichmann-it në burg me komentin; “Fotografi të papërpunuara, të çuditshme intime nga Gjon Mili në aktivitetet e tij të përditsheme – lexim, shkrim, larje, ngrënje, relaks – gjatë gjithë kohës plotësisht koshient, edhe pse shumica e botës ishte plotësisht e vetëdijshme se ajo që e priste atë në fund të gjykimit ishte litari. (Ben Coscrove: Adolf Eichmann in Israel: Portret of a Nazi War Criminal, Dec., 01, 2014).
Ashtu si Gjyqet e Nurembergut (1945-46), fotot e Gjon Milit për Eichmann-in, përbëjnë një kapitull të veçantë të angazhimit të tij fotografik; ato e bënë atë edhe më të njohur botërisht, por mbi të gjitha i lanë njerëzimit dhe kujtesës së tij kolektive gjurmë të pashlyeshme si dhe mesazhin se ndaj luftrave të padrejta, krimeve kundër njerëzimit, holokaustit e genocidit të kombeve e civilizimit të pafajshëm brezat pasardhës duhet të jenë të ndërgjegjshëm, humanë e reflektivë dhe të konsiderojnë si shembuj precedentë për situata të reja të mundshme spastrimesh e genocide, siç edhe ka ndodhur, për fat të keq, më vonë në Kamboxhia, Ruanda e Kosovë.
Fotot e Milit që i përkasin fotoreportazhit mbi Eichmann-in u ribotuan në shumë organe mediatike botërore sepse ato përbënin një surprizë e kërshëri të merituar. Ato i gjejmë, gjithashtu, në dhjetra e dhjetra filma, dokumentarë, emisione, trajlera e memuarë për genocidin e madh të hebrejve gjatë luftës II Botërore. Botimi i disa prej tyre në librin voluminoz “Century – One Hundred Years of Human Progress, Regression, Suffering and Hope” (Shekulli – Njëqind Vjet të Progresit, Regresit, Vuajtjes dhe Shpresës) i shtëpisë të famshme botuese “Phaidom”, 2002 me pamje fotografike monumentale të shekullit të kaluar, i vë vulën e paharueshmërisë një ngjarjeje të rëndësishme dhe dokumentimit të saj pamor nga Gjon Mili.