


Nga Lefteri Metkaj – Mësuese e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në mërgatën e Greqisë.
Shkodra e arsimit dhe kulturës, mirëpret në gjirin e saj bijtë e devotshëm të shqipes , mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë të cilët punojnë me përkushtim atdhetar me fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë gjithandej në mbarë globin. Mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë janë misionarët e kombit , shenjtorët e dijes e të atdhedashuri, ata janë mësuesit e thjeshtë, kolosët e arsimit shqip në diasporën shqiptare, që jo vetëm zhvillojnë mësimin shqip anembanë globit, por gjithashtu forcojnë urat që lidhin brezat dhe gjeneratat e reja shqiptare në mbarë botën me gjuhën ,kulturën dhe identitetin tonë të përbashkët.
Shkodra e lashtë dhe e qytetëruar u bë pikëtakimi për mësuesit e malluar për Atdheun, po ashtu të malluar shumë edhe për njëri- tjetrin, ku së bashku me përfaqësues të institucioneve shtetërore arsimore si dhe me Qendrën e Botimeve të Diasporës do të zhvillojnë punimet e këtij seminari të rëndësishëm kombëtar nga data 31 korrik deri më 3 gusht. Seminari i gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare për mësuesit shqiptare në diasporë dhe në mërgatë, organizohet për çdo vit nga Ministria e Arsimit të Shqipërisë dhe Ministria e Arsimit të Kosovës. Për të nderuar kontributin e çmuar të mësuesëve në diasporë, nuk u kursyen përshëndetjet mirënjohëse institucionale nga Shqipëria, Kosova dhe nga Shkodra, ku shprehnin dashuri për kontributin shëmbull të mësuesëve dhe rrezatonin vlerësim për mësuesit me fjalën e tyre si:
Znj. Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Republika e Kosovës. Znj.Ogerta Manastirliu, Ministre e Arsimit dhe Sportit ,Republika e Shqipërisë. Znj. Teuta Qyteza, Nënkryetare e Bashkisë së Shkodrës.
Z.Tonin Gjuraj , Rektor i Universitetit të Shkodrës.
Përshëndetja më mbresëlënëse ishte e znj. Nexhmije Reçica, mësuese në Gjermani, e cila bëri hapjen e seminarit në Shkodër.
Por dua të theksoj se pjesa më emocionuese për mësuesit seminaristë dhe gjithë pjesëmarrësit ishte programi kulturor- artistik nga Qendra Kombëtare e Fëmijëve “Kujtim Alija”, të Shkodrës, të cilët u duartrokitën pa pushim për interpretimin e shkëlqyer letraro – artistik. Ju kolegë të dashur, të nderuar , motra dhe vëllezër misionarë , të idealeve tona të përbashkëta kombëtare ndonëse jeni larg vendlindjes, çdo ditë jetoni me Adheun, Gjuhën Shqipe dhe me Flamurin Kombëtar Shqiptar në zemër. Të gjithë ju përshëndes dhe ju uroj të realizojmë me sukses programin e planifikuar didaktik katër ditor , ku do të marrim dhe do të japim përvojat tona nga më të kualifikuarat, me kompetenca profesionale e didaktike të epokës dixhitale e më cilësoret që janë përzgjedhur nga specialistë të fushës së arsimit kombëtar shqiptar.
Falënderoj me mirënjohjen më të madhe të dyqind e pesëdhjetë mësuesit pjesëmarrës në këtë edicion të XVIII të seminarit dhe gjithë mësuesit veteranë që themeluan me vështirësi të shumta dhe nisën udhën e misionit të shkronjave , ku sot ne jemi vazhdues të nismës së tyre fisnike, ku ju me dinamikën tuaj të përditshme mbillni dashurinë për Mëmëdhenë, për Gjuhën Shqipe, për Flamurin Kombëtar Shqiptar në zemrat e brezave të rinj në mbarë botën.