Avdyl Krasniqi, Kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dega Fushë Kosovë, në një rrëfim ekskluziv me gazetarin Sokol Paja, për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, deklaron se Gjykata Speciale po bën një spektakël të përgatitur nga qarqet ruse në bashkëpunim me serbët, për të njollosur dhe nëpërkëmbur Kosovën e Pavarur dhe luftën e shenjtë të UÇK-së. Akuzat e Speciales janë akuza të shpifura dhe të pabaza kundër krerëve të UÇK-së, kundër shtetit tonë, sakrificës sonë dhe dinjitetit tonë.
ARRESTIMET NJË SPEKTAKËL I SHËMTUAR
Arrestimet i kemi përcjellur me shumë shqetësim. Zhvillime këto shqetësuese për çdokënd që e ndjen vetën shqiptar. Është një spektakël i përgatitur nga qarqet ruse në bashkëpunim me serbët, për të njollosur dhe nëpërkëmbur Kosovën e Pavarur dhe luftën e shenjtë të UÇK-së. Pikësynim i kësaj Gjykate me iniciativën ruse ishte akuzimi i krerëve të UÇK-së për trafikimin e organeve njerëzore “Shtëpia e verdhë”, gjë e cila nuk u dëshmua se ka trafikim organesh njerëzore apo “Shtëpi të verdhë”, por kishte akuza të shpifura dhe të pabaza kundër krerëve të UÇK-së, kundër shtetit tonë, sakrificës sonë dhe dinjitetit tonë.
NJË PADREJTËSI NË DËM TË SHQIPTARËVE TË KOSOVËS
Mendoj që Evropa po bën shumë padrejtësi në dëm të shqiptarëve, duke filluar nga kushtet dhe kërkesat e vazhdueshme për lëvizjen e lirë dhe anëtarësimin në BE, faktorizimin e serbisë dhe fshehjen e krimeve, ku dihet se ende ekzistojnë shumë persona të pagjetur dhe përgjegjës për këtë është vetë shteti serb. Po kjo Evropë në krye me Dick Marty, ra nën ndikimin e iniciativës ruse ku me 25 janar 2011, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, aprovoi në formë të rezolutës raportin e Dick Martyt.
AKUZAT NDAJ UÇK TË PAVËRTETA
Lirinë dhe shtetin e kemi fituar falë qëndresës dhe luftës së shenjtë të UÇK-së, ndihmuar nga shtete aleate. Por, t’i akuzosh krerët e UÇK-së apo më meritorët e lirisë me akuzën “Ndërmarrje e përbashkët kriminale” dhe shumë shpifje dhe akuza të tjera të pabaza, e tregojnë fytyrën e vërtetë të kësaj Gjykate e cila është e njëanshme, e kundërligjshme, e drejtuar vetëm ndaj luftëtarëve të UÇK-së. Këto aktakuza janë të pabaza dhe pa fakte të cilat janë përgatitur nga qarqet serbe dhe disa shqipfolës për të njollosur luftën e shenjtë të UÇK-së, luftë e cila mobilizoi faktorin ndërkombëtar në krye me NATO-n, duke ditur se ishte luftë e drejtë dhe e pabarabartë në raport me forcat serbe.
BARAZIMI I AGRESORIT ME VIKTIMËN NJË TURP
Barazimi i agresorit me viktimën jo vetëm që është e turpshme, por edhe shumë e rëndë për popullin dhe familjarët ku dihet se nga shteti serb nën komandën e paramilitarëve janë kryer mbi 400 masakra ndaj civilëve shqiptarë, kemi mbi 13000 civil të vrarë, 1392 fëmijë ku prej tyre 296 fëmijë nën moshën 5 vjeç, 1882 burra të vrarë mbi moshën 65 vjeç, mbi 20000 dhunime. Të gjitha këto janë kryer gjatë luftës në Kosovë dhe adresa e tyre është shteti agresor serb.
SITUATA SOT NË KOSOVË E RËNDUAR
Është një situatë e rënduar dhe një lëkundje e besimit ndaj shteteve evropiane, apo ndaj asaj Evropës së vjetër e cila na ndau dhe na copëtoi në shumë shtete. Reagimet e njerëzve ishin të ndryshme, por thirrja për qetësi dhe maturi e krerëve të shtetit ndikoi në uljen e gjakrave, por mllefi dhe kujtesa na çon në vitet e 90-ta të arrestimeve.
PROTESTA E PETICIONE
Është kohë e ndjeshme, për shkak të pandemisë ju kemi ikur protestave por nuk përjashtohet mundësia e protestës. Ne si OVL i kemi dorëzuar peticionet me mbi 230000 nënshkrime tek Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kundër raportit të Dick Martyt. Përgjegjësinë për zhvillimet e mëtejshme e merr Këshilli i përgjithshëm i OVL-së, rreth aktiviteteve të ardhshme.