
Artan Nati/
Kush e kishte fajin? A duhet të ketë fajtor? Dhe nqs nuk ka a duhet ta shpikim atë? Këto pyetje shtrohen këto ditë për të ruajtur dinjitetin e princit, apo edhe për të ruajtur figurën e Elias. Gjithë shoqëria eshtë vënë në kërkim të fajtorit si edhe televizionet e analistët japin shpjegime sipas preferencave të tyre shoqërore apo politike. Dalja e videos shihet si dështim i PS-së dhe princi komentohet si hero nga të djathtët dhe si humbës nga të majtët. Ndërkohë që këto pyetje qarkullojnë në rrjetet sociale, studio televizive apo rrugë, shumë pak dëgjojmë për të drejtën e Geraldinës së vogël për tu rritur në një ambient paqësor dhe me dashuri prindërore, për raportin që ne kemi si shoqëri me të vërtetën dhe obligimin tonë për një detyrim shoqëror ndaj të ardhmes dhe vlerave perëndimore, për të drejtat e njeriut dhe respektimin e ttyre. Dualiteti i sundimit të ligjit kundrejt gjyqit popullor shfaqet kudo si luftë për jetë a vdekje jo vetëm ndaj aktorëve kryesorë të ngjarjes, por edhe ndaj mbrojtësve dhe kundështarëve, ndërmjet familjeve respektive si edhe më tej ndërmjet televizioneve apo mediave sociale që mundohen si të kenë më shumë ndjekës. Kjo formë e gjykimit popullor më shumë ngjan me gjyqet e hapura të këshillave popullorë të kohës së komunizmit, se me kohët moderne të cilat pretendojmë se jetojmë. Njerëzit e thjeshtë, të ndodhur në mes të kësaj ngjarje të pakuptimtë dhe halleve e problemeve të përditëshme, ndihen edhe më të braktisur e u tingëllon më shumë si një telenovelë se sa një ngjarje reale. Princi Leka donte të takonte vajzën e tij dhe vajza ka nevojë për dashurinë e babait. Dashuria e babait për vajzën e tij është dashuria më e pastër, e pakushtëzuar dhe e përjetshme Kjo buron nga natyra njerëzore dhe askush nuk mund tia mohoj babait apo vajzës. Elia ndoshta ndodhej nën presionin dhe gjykimin e shoqërisë, ndoshta e tradhëtuar apo e braktisur. Dhe është normale në një shoqëri si e jona që presioni dhe paragjykimi i shoqërisë të jetë faktori më i madh që na detyron shpesh të reagojmë në forma violente dhe të paarësyeshme. Shpesh në mentalitetin tonë kolektivist presioni shoqërisë, mungesa e kufijve të privatësisë së individit është më e madhe se forca e arësyes, se vetë fëmija apo nevoja e saj për babain, mamanë dhe të afërmit si edhe harmoninë dhe bashkëegzistencën paqësore ndërmjet tyre. Kjo monstër e padukshme që ne e quajmë tradita jonë, shkakton dhimbje dhe pasoja te njerëz të pafajshëm dhe krijon konflikte të panevojshme. Në Perëndim kemi një evolucion që përfshin zhvillimin e arsyes dhe ndërgjegjes individuale gjatë Rilindjes dhe Iluminizmit, dhe më pas lulëzimin pasues të kapitalizmit. Si pasojë e këtij evolucioni, shoqëritë bëhen më individualiste ndërsa zhvillohen. Shqipëria dhe Ballkani për arsyet e mungesës së faktorëve të mësipërëm mbeti një shoqëri kolektiviste. Kolektivizmi është një botëkuptim që i kushton rëndësi të madhe grupit ose komunitetit në tërësi. Ai tenton t’i japë përparësi qëllimeve dhe përgjegjësive kolektive në kurriz të të drejtave dhe lirive individule. Në shoqëritë kolektiviste, grupi (shpesh familja) është shumë i rëndësishëm, prandaj individët priren të identifikohen fort me grupin e tyre, si familja ose fisi, dhe priren të vlerësojnë bashkëpunimin dhe harmoninë sociale mbi interesin vetjak. Si rezultat, individualiteti dhe dalja nga turma shpesh kundërshtohet. Nga ky botëkuptim, vetvetja shpesh konceptohet në raport me të tjerët dhe jo si një qenie autonome. Dukej sikur dy botë po ndesheshin në atë moment, një krizë që ne e vuajmë çdo ditë dhe shkakton vuajtje dhe drama të kota, por aq vetëshkatërruese. Kjo krizë thellohet edhe më shumë sepse jeta jonë nuk është private, por gjyshi prezent në ngjarje, ndoshta edhe gjyshja edhe fisi më i zgjeruar nëpërmjet thashethemeve dhe mosrespektimit të privatësisë e rëndojnë situatën deri në shkatërrim. Duket sikur shoqëria u bë pjesë e kësaj drame në kërkim të një fajtori edhe nqs ai nuk egzistonte. Ky mentalitet i viktimës u vu në kërkim të së mirës dhe së keqes, të fajtorit dhe viktimës duke harruar se fajtori ishte fshehur tek shoqëria vetë, se qëllimi final joni duhet të jetë përtej të mirës dhe të keqes. Detyrimi i shoqërisë, i prindërve dhe i familjes është ndaj të mirës së përbashkët, ndaj Geraldinës së pafajshme, e cila duhet të rritet me dashuri dhe pa paragjykime. Këto veprime ne i kemi kopjuar nga prindërit tanë dhe ata nga prindërit e tyre dhe fëmijët tanë nga ne dhe pikërishst kjo quhet kulturë apo traditë, dhe shpesh duhet të pranojmë se është e gabuar dhe kërkon reflektim. A duhet të gjejmë një fajtor apo jo? Ndoshta po, por kjo nuk është detyra jonë por e gjykatave dhe drejtësisë. Ndoshta fajtori është pushtimi otoman 500 vjeçar që na ndau nga perëndimi, ndoshta komunizmi 45 vjeçar e ndoshta pozicioni gjeografik etj etj. E rëndësishme është që ne të jemi të vetëdijshëm për atë që na ndodh dhe arësyet përse ne veprojmë në atë mënyrë dhe ashtu siç thotë Carl Jung “Derisa ta bëni të pavetëdijshmen të vetëdijshme, ajo do të drejtojë jetën tuaj dhe ju do ta quani atë fat”. Ne si qënie shoqërore kemi një detyrim të madh ndaj vetes, fëmijëve, shoqërisë dhe kombit për transformim dhe reflektim ndaj ngjarjeve dhe fenomeneve të jetës së përditëshme. Ndoshta ka ardhur koha që ngjarje të tilla të bëhen si një moment i thirrjes së ndërgjegjies personale e kolektive se jeta është e jona dhe na takon neve ta jetojmë atë në një mënyrë që na sjell gëzim dhe përmbushje, pavarësisht se çfarë mund të mendojnë apo presin të tjerët.