
Elban Dervishbehaj /
Komuniteti i Emigranteve Shqiptare në Lesvos/
Me zemër të mbushur me krenari, Komuniteti Shqiptar në Lesvos shënon një hap të rëndësishëm në përpjekjen për të mbrojtur dhe përhapur gjuhën dhe kulturën shqipe. Më 28 shkurt u inaugurua dega e 7-të në Kalloni, duke ofruar mundësi për të gjithë fëmijët shqiptarë të ishullit që të mësojnë gjuhën amtare dhe të lidhen me rrënjët e tyre. Me 9 mësues të përkushtuar dhe 7 degë të shpërndara në çdo cep të ishullit: në Petra, Ereso, Vatera-Vrisa, Plomari, Gjera, Kalloni dhe Mitilini – Komuniteti Shqiptar në Lesvos siguron që çdo fëmijë shqiptar të ketë mundësinë të mësojë gjuhën shqipe, historinë dhe traditat e vendit të tij.
Kjo përfaqëson një dritare shprese dhe një urë lidhjeje me traditat, historinë dhe identitetin tonë kombëtar. Çdo fëmijë që hyn në klasë është një hap më afër ruajtjes së gjuhës dhe kulturës sonë, një simbol i bashkimit dhe i ëndrrës së Komunitetit Shqiptar në Lesvos.