TIRANE, 1 Mars- Levizja Socialiste për Integrim shprehet në mbështetje të nismës për hapjen e dosjeve, e inicuar së fundi nga Avokati i Popullit.Në një prononcim për mediat, deputeti i LSI-së, Luan Rama, thekson se nisma, e bazuar edhe në modelin gjerman, do të ketë përkrahjen e kësaj force politike në sallën e parlamentit.
“Kjo është një çështje që për fat të keq ka ardhur dhe riardhur disa herë në axhendat politike dhe në axhendat e Kuvendit. Por, fakti që ende vazhdon të jetë ky problem do të thotë që nuk ka patur një trajtim shterues edhe të çeshtjes që ka të bëjë me lustracionin. Kjo jo thjesht dhe vetëm me ata që kanë qenë bashkëpunetorë të ish-Sigurimit të Shtetit, por unë do ta zgjeroja gamën e përfshirjes në fokusin e këtij ligji për të gjithë ata që kanë probleme me institucionet e ligjit”, shprehet deputeti Rama.
Ai pohon se ende nuk e njeh në detaje iniciativën më të fundit per kete ceshtje, por thote Rama, parimisht kam insistuar dhe jam shprehur për një trajtim ligjor dhe për penalitete për të gjithë ata që kanë mëkate nga e shkuara e largët apo nga e shkuara e afërt. Kjo në funksion të krijimit të një standardi dhe modeli jo vetëm për politikebërësit, por për të gjithë punonjësit e administratës shtetërore, të denjë për një administratë europiane”, shprehet deputeti i LSI-se, Luan Rama.
Pak ditë më parë Avokati i Popullit, Igli Totozani depozitoi një nismë në Kuvend, ku propozon miratimin e një ligji për hapjen e dosjeve.(Sipas ATSH-se)