
Faruk Myrtaj/
“Visar Zhiti: viktima e sureales”- Robert Elsie
“Më kishin arrestuar për një libër që, besoj, ishte më se modest”.Kështu shpjegohet, tashmë i lirë, Njeriu Visar Zhiti. Tashmë kur ditë pas dite po harrojmë, fatmirësisht por edhe fatkeqësisht, ferrin nga i cili të gjithë kemi dalë. “Duke menduar për rimat, harroja krimin që s’e kisha kryer, por që të tjerët e realizuan mbi mua”, qartëson më tej poeti Visar Zhiti. Robert Elsie, edhe pa jetuar në Shqipëri e ka përjetuar absurdin e Shqipërisë. Së paku pjesën që i ra për “fat” Visar Zhitit. “Visar Zhiti: viktimë e su-reales”, është shprehur ai. Mbase pa të drejtën për ta quajtur assesi viktimë.
“Poezitë e burgut” janë poezi të njeriut që hyri njeri dhe doli njeri nga burgu. Jo të gjithë e kanë pasur këtë fat. Duhej vrarë vetja patjetër dhe unë zgjodha një tjetër lloj vetëvrasjeje: poezinë, që më siguronte rrezikun permanent, pra emocionin e madh të të gjallit. Poezitë e këtij libri vetëm kështu duhen pranuar.”
Si për të shpëtuar veten nga vetja e vjetëve atje, Visar Zhiti nxiton të shkruajë një parathënie ku ai ndjen se doemos duhet të përmend si (bashkë)autor, apo si botues, apo redaktor, apo ruajtës të poezive të librit, të ndrymyrit e tjerë të atyre qelive: Maks Rakipin, Halit Lazen, Zyhdi Moravën, Ron Çobanin, Linc Ngjelën, Ahmet Kolgjinin, Ismail Farkën, Sherfi Merdanin, Robert Vullkanin, Adriatik Mustafain e plot të tjerë që sot vetes i thonë se janë të lirë.
Të lirë para kujt?
Cilët ishin gardianët dhe a ishin ata vet, gardianët, më të lirë se të burgosurit e tyre?
V(jetët) e burgut, a ishin të gjithë mungesë lirie, i huanin apo i rrëmbenin liri të burgosurit njëri-tjetrit?
Analfabetët në burg kontrolloheshin më pak, shkruan autori. A thua nuk kishte dhe arsye të tjera për tu kontrolluar më pak? Ose për tu torturuar më shumë? Ose për të mbetur të burgosur edhe pas lirimit?
Mjaft të vërejmë titujt e pjesëve të librit dhe ndjejmë tërë përgjigjet që qartësohen edhe pa përgjigje të drejtpërdrejtë.
“Mërmërimat e zbathura”, (Ditëlindja ime në qeli. Ç’të bëj? Mblidhem në vetvete, si molla që fshihet pas gjetheve, sa do ruajtur fara që është brenda, unë s’jam i pari që dënohem në këtë botë, por më vjen keq që s’jam as i fundit; preka kyçet e duarve dhe të këmbëve, ishin vendet më të përshtatshme për prangat).
Atdheu i Çmendur: Tmerrësisht njëlloj të jenë ditët/ 5 herë rresht e premte/gjithmonë e martë ters/ asnjëherë e dielë/…Veç jo Atdheun, me atdheun e çmendur nuk luhet/…Toka u bë baltë…Dhe po të jesh në burg, të dënojnë prapë…!)
Ka këtu edhe një poezi që është ndoshta torturuese për të gjithë të burgosurit, dhe ata që nuk u mbyllën dot brenda. Nuk mund të mos e citojmë, sado shkurt që duhet shkruar. “Të burgosurit në ndihmë të dhunës/Ti s’je polici-por shkopi i tij i gomës/Ti s’je qeni me erë-por nuhatja e tij./ Ti s’je goja-por dhëmbët me jargë helmatisëse…/Megjithatë je prapë i burgosur/ Mes të burgosurve qeli lëvizëse je!/…ne, vet ne, e mbajtkemi burgun/ Bashkë me popullin!”
Pas kësaj është e lehtë të pranosh titullin: Atdheu i Çmendur. Dhe të kërkosh çmendësit e tij, kush i mbërtheu “gozhdët e përgjakura të kryqit”, cilët e quajtën dhe ishin “kafshë të mira dhe të këqija të burgut”, dhe përse të gjithë, tmerrësisht të gjithë, patëm ”vdekje pa arkiv(ole)” Poeti duke qenë i mbyllur në burg detyrohet të rrisë përmasat e zemrës. Pikërisht kjo zemër e gjerë nuk e lejon të mos i thotë ato që duhen thënë, qoftë edhe si EPITAF:
“Ti po vdes
Dhe brohoret
Asgjë nuk po thua ti, populli im…!”
Megjithatë (vini re) populli im! Visar Zhiti është aty, mes së mirës dhe së keqes, asnjërën prej tyre nuk ka e shpërfillë, asnjërën prej bartësve të tyre nuk ka ndërmend ta largojë nga vetja. Ne jemi, ata që ishim, ne do të jemi, këtu, te ky vend, brenda kësaj dhimbjeje të bukur, si një poezi, të cilën e kemi shkruar të gjithë…
Kafka e hedhur në këmbët tona, është saktësisht kafka jonë.
(Gazeta “Republika”, 9.2.1994)