“Skënderbeu, Heroi Kombëtar shqiptar, Atlet i Krishtit, Mbrojtës i Europës (1413-2017)/
-Një libër i ri për Heroin Kombëtar në prag të shpalljes së “Vitit Skënderbeu – 2018”-Album – Antologji nga Fotaq Andrea”
Legjenda thotë – në gegërishten e bukur – se “Selim Pasha bâ atëherë me e nalë do kohë në pushim ushtërin në Lezhë, shkoi drejt e te vorri i Skanderbegut e bâni me e çilë. Trupi i tij ishte kênë zhgatrrue, por zemra ishte ené e pa prishëne e gufonte gjak të xetë. Me gëzim e mori Selim Pasha at zemër, e shtij në nji kuti të prarueme e me ‘i herë i-a nisi dhânti Sulltanit, i cili e vendosi në mâ të bukurën qelerë të pallatit të vet. Aty, thonë, se ruehet edhe tashti me kujdes të madh prej njaj roje…”.E tillë është legjenda e “zemrës së gjallë” të Skënderbeut ndër Malësorët tanë, ardhur e shkruar dhe e freskët nën penën e At Marin Sirdanit, tek e mblodhi nga goja e popullit në vitet ’40 të shekullit të kaluar. Në jehonë të Historisë, shekuj mbas shekujsh, këtë zemër të KryeHeroit tonë, kombi shqiptar e ka dashur dhe e ka pasur përherë të gjallë, si një domosdoshmëri jetike, e ka parë me sytë e mendjes të gulfojë e të përhapë pandërprerë “gjak të nxehtë” në krejt trupin dhe truallin kombëtar. Sepse Kujtesa historike e Kastriotit të Madh ishte për të ushqimi i përjetshëm shpirtëror, ishte simboli i qëndresës historike, vetë sumumi i vetëdijes sonë kombëtare.
Album-Antologjia “Skënderbeu, Heroi ynë Kombëtar, Atlet i Krishtit, Mbrojtës i Europës”, që po botojmë me rastin e “Vitit Skënderbeu – 2018”, është fryt i një pune shumëvjeçare, qëkurse nisëm të qëmtojmë me syrin e antologjistit, aty nga fundi i viteve ’90 i shekullit të kaluar, gjithçka historike me vlerë për Shqipërinë dhe Shqiptarët nën penën e autorëve të huaj. Kjo vepër, e pesta e llojit antologjik që kemi hartuar, synon ta rrokë figurën e Skënderbeut në tre dimensionet e tij madhore shfaqur që në vetë titullin e saj. Është një fluturim panoramik historik në rrjedhë të shekujve me dëshmi dhe dokumente për KryeTrimin tonë që na sjellin 202 autorë, kryesisht të huaj, përmes 920 ilustrimeve, në një diapazon të gjerë kohor që përfshin vitet 1414-2017.
Dhe prapë, vërejmë se pak kemi dhënë, sepse me dhembje e pohojmë që na është dashur të operojmë me bisturi të madhe, duke përzgjedhur nga mbushullia e lëndës tematike skënderbejane atë më të mirën, më tipiken, më origjinalen e më domethënësen që karakterizon figurën e tij, sidomos falë fjalës së autorëve të huaj të nderuar, të cilët kanë pasqyruar historikisht dhe me vërtetësi figurën e Skënderbeut, për të nxjerrë në pah cilësitë e tij të mahnitshme, në radhë të parë si “Mbrojtës i Njerëzimit dhe i Vendit të tij”, si “Mbrojtës i Krishtërimit”.
Të shumta dhe të shumëllojshme janë vlerësimet e tyre për “Shqiptarin e Madh”, cilësuar “Kampion i pathyeshëm i Kryqit”, “Aleksandri i Krishterë”, “Kapiten i parë i shekullit të tij”, “Hero atletik e homerik”, “Një nga shpëtimtarët e Europës”, “Meteor ndriçues dhe dramatik”, “Rrufeja e luftës”, “Bulevard i Krishtërimit”, “Pirrua dhe Aleksandri modern”, “Hero modern i Shqipërisë dhe Epirit”, etj., për të ardhur gjer te “pagëzimi” i Skënderbeut nga Papati “Ushtar dhe Atlet i Krishtit”, “krye-engjëll betejash” që i vuri shpatullat vendit të tij dhe Krishtërimit duke “vonuar përparimin e Perandorisë turke dhe duke përgatitur shembjen e saj” (sic!)
Pohime dhe vlerësime të tilla, si tituj të përjetshëm lavdiplotë për madhështinë e Gjergj Skënderbeut tonë, bëhen në këtë Album-Antologji – sipas rrjedhës së kohës – nga figura të shquara të fisnikërisë europiane dhe botërore, princër, kontë, dukë e markezë, nga emra të mirënjohur dhe personalitete të nderuara të Letrave, Filozofisë, Sociologjisë e Fesë, nga dijetarë e eruditë, që e peshojnë me kandar farmacisti vlerësimin që bëjnë, larg frymës panegjirike dhe elozheve artificiale. Sepse Bëma Kastriotine ishte një Realitet i Madh, burim frymëzimi për qëndresë të paepur, për luftë heroike të Goliatit të vogël kundër gjigandëve, një shembull vetmohimi dhe sakrifice në emër të Mbrojtjes së truallit amtar dhe të Fesë së krishterë. Nuk ka si të mos entuziazmohemi në këtë rast për vlerësimet e arta dekoratë që i bëhen Kastriotit tonë nga një Montaigne apo Voltaire, nga një Martin Luther, apo Ludvig Holberg në rangun e tyre si filozofë botërorë, nga historianë me peshë si Sismondi, Jules Michelet a Paolo Jovios, nga André Thevet, Jorga a Marinesku, për të shkuar më tej, te një strateg si James Wolfe a Charles King, te dijetari Elisée Reclus, Princi Manfredi, Konti Urfé, Mirabeau, etj. Dhe pas plejadës së autorëve të mirënjohur botërorë që kanë folur për KryeTrimin tonë me objektivitet të shëndoshë dhe vlerësim maksimal, s’na mbetet tjetër veç të shijojmë ëmbëlsinë dhe forcën e vargut poetik të Ronsard-it, poetit kombëtar francez, pasuar nga emra po aq të njohur poetësh dhe shkrimtarësh, si Chrétien Florient, Jamin Amadis, Gabielle Faerno, Luigi Groto, Marguerite Sarrochia, Edmund Spenser, D’Aubigné, William Temple, Thomas Whincop, Lamartine, Byron, Longfellow (poeti kombëtar amerikan), Clement Moore, Apollinaire, etj. etj. Dhe i shohim të tëra këto pena të ndritura në shkallë botërore të frymëzohen në radhë të parë nga vepra “Histori e Skënderbeut“ të francezit Jacques de Lavardin – vepër kjo e bazuar te Barleti ynë -, që nuk do vononte të përkthehej e botohej në gati krejt gjuhët e Europës.
Dhe jo vetëm kaq, por shpejt do shkëlqenin edhe portretet klasike për Heroin shqiptar, që do të zinin vend të nderuar në muzeumet, galeritë dhe kështjellat e Europës, përkrah portreteve të Njerëzve të Mëdhenj të Historisë Botërore. Të intriguar dhe frymëzuar nga madhështia e Veprës së Arbërorit të Madh që ndali, në krye të një populli të vogël heroik, për një çerek shekulli me radhë furinë e sulmit të Perandorisë osmane, konsideruar si superfuqi e kohës, – piktorë të famshëm të Rilindjes Europiane shpërthyen krejt fantazinë e tyre për të dhënë me gjenialitet Epopenë skënderbejane dhe sidomos për të na shfaqur portrete të Gjergj Kastriotit nga më të bukurat e më të papriturat, të cilat në shumicën e tyre janë bërë me porosi të drejtpërdrejtë koleksionistësh me emër që rendin të kishin kush e kush “Skënderbeun” e vet. Andaj nuk ka pse çuditemi kur shohim shumë portrete “realiste” të Skënderbeut të jenë vepër “Anonime” (në fakt, shumica e piktorëve të mëdhenj të Rilindjes Europiane e gjer te Rembrandi me shokë, nuk i firmosnin veprat e tyre, si një “rregull” i kohës!) Por njihet tashmë peneli i shquar i “plejadës klasike skënderbejane” – të Christofano dell Altissimo, Dominic Custos, Jorg Breu Plaku e i Riu, Jost Amman, Joanot Martorell, Klüpffel, W.Jongmann, Ladon, Barthold Pontanus, Balthasar, Stimmer, Anisson, Zucchi, P.Totti, Santarelli, Flanagan, etj. etj. Me stilin e tyre të hijeshisë klasike, me frymën e kohës dhe sidomos në përputhje me vetë përmbajtjen e “Historisë së Skënderbeut”, ata kanë realizuar portrete nga më të bukurat për Skënderbeun, duke u bërë kësisoj burim frymëzimi për breza të tërë piktorësh që kanë rrahur tematikën skënderbejane, sidomos për brezat e djeshëm dhe të sotëm të piktorëve shqiptarë.
Nga ana tjetër, admirojmë, si një mrekulli hyjnore, pikturat “e fantazuara” apo të hamendësuara për Gjergj Kastriotin, realizuar nga mjeshtër të mëdhenj si Giorgione, Guercino, Rembrand, të cilët e duan “Skënderbeun” e tyre krejt ndryshe nga të tjerët, pa kurrfarë paralelizmi me portretet që i njiheshin deri atëherë. Dhe shi këtu qëndron “teku” i penelit të tyre, forca e fantazisë, për të qenë origjinalë në mënyrë gjeniale, që dëshmon nga ana tjetër edhe nderimin më të madh për Skënderbeun, si një figurë extra, i pazakonshëm, i paarritshëm, përtej realitetit epokal. Luftëtar e luftarak i rreptë, Simbol i Lirisë, veshur në hekur dhe me helmetë aleksandrine në kokë, të stili Da Vinçi, “Skënderbeu” i Giorgiones, Gernicos, Pollaroli-t, Pellipario-s, etj. qëndron po aq bukur e krenar përballë “Skënderbeut” intelektual e humanist të Rembrandit, Jorg Breut, Galanti-t, etj. siç e shfaq në këtë vepër gjithë poeticitet edhe Lamartini i madh, sa Prijës i suksesshëm, sa Intelektual i klasit të parë, aq edhe Njeri i penës e i librit, me bibliotekë e kancelari të pasur, siç e dëshmojnë, krahas shpatave dhe përkrenares, edhe katër kodikët e tij si objekte fizike reale që po ia bëjmë këtu të njohura lexuesit tonë, vlera këto të paçmuara për bibliotekat botërore që i zotërojnë.
Album-Antologjia “Skënderbeu, Heroi ynë kombëtar, Atlet i Krishtit, Mbrojtës i Europës” – edhe pse në masë të kufizuar -, mbështetet në themelin e Historiografinë shqiptare për epokën kastriotine, nisur me Barletin dhe pasuar nga autorë shqiptarë si Gjon Muzaka, Frang Bardhi, Dhimitër Frangu, për të arritur më pas te Faik Konica, Fan Noli, Mithat Frashëri, Athanas Gegaj dhe në ditët tona te Moikom Zeqo e Pëllumb Xhufi. Domosdo, gjatë hartimit të veprës kemi konsultuar një pjesë të mirë të autorëve shqiptarë, problematikën qendrore skënderbejane të ditëve tona, dhe si udhërrëfyes kemi pasur konkluzionet domethënëse të Nolit, At Valentinit dhe prof. Kristo Frashërit, për ta parë figurën e Skënderbeut me përmasë të fuqishme evropiane, në radhë të parë si Burrë Shteti, me diplomaci të zhvilluar, me aleanca e kontakte të shumta figurash historike, në rrafsh të brendshëm e të jashtëm, e mbi të gjitha si themelues gjenial i shtetit të parë të Arbërit, ardhur deri në ditët e sotme me dy shtetet shqiptare në Ballkan, Shqipëria dhe Kosova.
Është e njohur që historiani francez André Thevet, që në vitet ‘70 të shekullit XVI, kritikonte me të drejtë panegjerizmin e Barletit për Skënderbeun, fjalimet e tij të gjata e të improvizuara, duke shtruar nga ana tjetër me seriozitet çështjen e varrit të Skënderbeut, për ta vënë në pikëpyetje hapjen e tij nga osmanët dhe marrjen e eshtrave të Heroit për hajmali. Mitizimi i figurës së tij erdhi duke u rritur në rrjedhë të Historisë, aq sa në fillim të shekullit XX, Faik Konica me kritikë të rreptë shkencore shtroi ndër të parët nevojën e çmitizimit të Heroit, kur vërente bukur në veprën e Dom Ndoc Nikaj, “T’nodhunat e Shqypnis” një “Skënderbe” plot jetë e vërtetësi, “ndryshe nga Heroi i Barletit, Biemmi-së dhe Lavardin-it”, të cilët e kishin “vendosur atë tepër lart dhe tepër larg nesh”, një figurë që “mbetej e mjegulluar”, siç shprehej Konica. Kësaj çështjeje iu kthye edhe Fan Noli, duke vënë përfundimisht pikat mbi -i-, sepse, në fund të fundit, panegjerizmi i nisur nga Barleti ishte çështje krejt e dorës së dytë, apo siç shprehet Noli, “ishin çështje që u takojnë vogëlsirave, pa cenuar aspak vlerat madhore të Heroit”. Megjithatë, në ditët e sotme nuk mungon dukuria kur nisur gjoja nga “nevoja e çmitizimit”, goditet qëllimisht figura e Heroit për arsye tejet sektare, denigruese dhe poshtëruese nga një ekstremizëm i rrezikshëm regresiv, fetar e antikombëtar.
Nga ana tjetër, historiani Lavardin, mbështetur te punimet e Paolo Giovio-s, parashtron që në parathënien e “Historisë së tij të Skënderbeut”, tezën e helmimit të Skënderbeut, ashtu sikurse do të pasonte dhe do të vinte deri në ditët tona, me argumente të avancuara, edhe teza tjetër se “Historia e Skënderbeut” e Marin Barletit duhet të jetë vepër e Marin Biçikemit. Studjues të sotëm shqiptarë nuk kanë ngurruar t’i rrokin këto tema, të mbetura deri më sot “tabu”.
Sot, përpara Historiografisë shqiptare shtrohen, si një domosdoshmëri shkencore, mjaft çështje që kërkojnë zgjidhje me studime të thelluara. Është koha, për mendimin tonë, e mbajtjes së një Konference të re të Studimeve albanologjike në rrafsh kombëtar e ndërkombëtar, për të shmangur falsitetet dhe antivlerën frenuese, sidomos të viteve të fundit, dhe për të çelur perspektiva të reja shkencore edhe për vetë studimet skënderbejane, që lypset të fokusohen e thellohen më tej në çështje të tilla madhore si origjina dhe ndërtimi i plotë i pemës gjenealogjike të Familjes Kastrioti dhe e familjeve të mëdha fisnike shqiptare; çështja e ndërtimit të hartës së Shqipërisë, me topografinë e plotë të fushatave të Skënderbeut, ashtu siç u orvat ta bëjë deri në njëfarë mase Faik Konica; çështja e “çmitizimit të figurës së Skënderbeut, larg kuzhinave dhe gatesave politike, fetare, etnike etj; çështja portreteve më të hershme dhe origjinale të Heroit, mbi bazën e skicimeve në natyrë që i janë bërë, që nga medaljoni “Skënderbeu” i Pisanellos (rreth viteve 1450) deri te portreti i Fiocco-s (1465), ndërkohë që synohet të dalin në dritë portrete të Heroit tonë kombëtar edhe më të hershme.
Album-Antologjia “Skënderbeu” është mbi të gjitha fryt i një bashkëpunimi të ngushtë intelektual, profesional e vëllazëror me antikuarin dhe koleksionistin Dritan Muka me të cilin prej më shumë se një dekade kam këmbyer letërkëmbim të dendur në hulumtimin e Vlerës Madhore Historike Skënderbejane nëpër arkiva, biblioteka e antikuarë, duke gëzuar me shoshoq për çdo gjetje e zbulim të ri, dhe shpesh të zhgënjyer që “nuk arrinim dot, për arsyen e thjeshtë financiare, “të qëllonim në shenjë”. E falënderoj publikisht nga zemra mikun tim.
Por vend të veçantë, të shenjtë, të shtrenjtë, mendor e shpirtëror, ia rezervoj si përherë familjes sime, që pranon “harbimet” dhe “tekat” e mija, madje më mbështet fuqimisht e konkretisht në “izolimin” tim hulumtues e dërrmues, e megjithatë përherë ndjellës e miklues.
Në përfundim, nuk mund të rri pa përmendur takimin tim me të Madhin Mirush Kabashi në një lokal të Tiranës, për privilegjin që më bëri duke më recituar kokë më kokë, me atë zërin e tij melodioz à la Chopin apo Mendelssohn, vargjet e Çajupit “Dëshir’ e Skënderbeut ditën që vdiq”, dhe duke më mbajtur të ngrirë për minuta të tëra, me qimet e parakrahëve ngritur përpjetë nga emocioni, me zemrën që më rrihte fort, dhe që më cyti t’i hidhesha në qafë e ta shtrëngoja në gjoks. Edhe tani kam në veshë jehonën e fjalëve të tij çajupiane ; “O vëllezër Shqipëtarë! / U lutem të bëni mbarë, / Gjith’ bashk’ e të pandarë”.