(Letër publike Bordit Mbikëqyrës të AAC-së dhe Ministrit të Infrastrukturës së Republikës së Kosovës,Lutfi Zharku)/
Nga Uk LUSHI-New York/
Me 19 korrik 2015, së bashku me gruan dhe vajzën time 2 vjeçare, u nisëm për Prishtinë nga aeroporti JFK në New York.Udhëtimi deri në Frankfurt, ndonëse i gjatë rreth tetë orë, kaloi për bukuri. Stafi i kompanisë gjermane Lufthansa na ofroi të gjithë pasagjerëve ushqim, pije dhe shërbim të mrekullueshëm.
Por gjithçka ndryshoi për keq në pjesën e dytë të fluturimit prej Frankfurtit në Prishtinë kur morëm avionin e Adria Airways.
Çfarë përjetuam në fluturimin Adria JP 115 të datës 20 korrik 2015 qe një dështim total i standardeve minimale të shërbimit dhe— për më palejueshëm— sigurisë.Tmerri filloi sapo hipëm në avion. Në karriget që sipas biletave ishin të rezervuara për familjen tonë i gjetëm ulur tre njerëz tjerë, të cilët na treguan biletat me të njëjtit numra si tonët.
Kryestjuardesa e Adrias na tha të gjenim diku tri ulëse dhe të shihnim në do të vinin ata që i kishin rezervuar!!!
Pa zënë vend ende, hapa derën e kompartmentit për valixhet e dorës dhe çantat e vogla. Por, aty nuk kishte asnjë centimetër hapësirë e lirë: as përmbi, as para, as prapa, e as anash nesh.
Kërkuam nga njëra punëtore se Adria duhej të gjente vend për bagazhin tonë të dorës. Por ajo gjegji me nonshalancë se mund t’i vendosnim ato nën këmbët tona!!!
I shpjeguam që njëra valixhe dhe njëra torbë, për shkak të dimensioneve, nuk mund të futeshin nën karriget përpara nesh dhe— ç’ ishte më me rëndësi— lënia e valixheve ku duhet të jenë këmbët është shkelje e rregullave të sigurisë në aeroplan.
Mirëpo arlekinja sllovene na ktheu që faji ishte i shqiptarëve të cilët merrnin më shumë valixhe se sa ishte limiti!
“Pse e lejoni këtë, zonjë?” – e pyeta. “Pse nuk angazhoni një aeroplan më të madh për fluturimet e mbingarkuara? Pasagjerët që duan të sjellin më shumë se një valixhe mund t’i detyroni të paguajnë ekstra, mund t’i gjobisni ose edhe t’ua ndaloni të hipin në aeroplan, apo jo? Përgjegjësia për bagazhin dhe sigurinë tonë është e Adrias. A nuk keni frikë që nëse si aviokompani nuk u përmbaheni standardeve internacionale të sigurisë dhe lëndoni njerëz apo rrezikoni jetët e tyre mund të humbni licencën dhe të paditeni?”
Avioni brenda ishte në kaos. Dhjeta udhëtarë që kërkonin një vrimë ku do t’i parkonin valixhet, trastat, çantat dhe qeset e tyre.
Një shkelje tjetër e sigurisë ndodhi ndërkaq që instruksionet e sjelljes dhe korridoreve të daljeve në rast aksidenti u dhanë vetëm në gjermanisht dhe sllovenisht. Ato nuk u përkthyen as në anglisht dhe as shqip, përkundër faktit që shumica dërmuese e udhëtarëve ishin nga Amerika ose shqiptarë.
Me rreth dy orë vonesë për shkak të keqmenaxhimit operacional dhe paaftësisë së punëtorëve të Adrias, avioni, spicë me 180 udhëtarë, u ngrit duke uturuar.
Disa valixhe diku kah mesi u rrotulluan dhe rrapëllyen me zhurmë.
“Nuk ka të lënduar!”—thirri dikush dhe të gjithë qeshëm me hidhësi se ndoshta aeroplani ishte rënduar përtej masës dhe ne ishim në dorë të fatit.
Pas nja njëzet minutave u ngrita dhe eca të shpihesha sepse nuk kisha ku të lëvizja këmbët. Ç’të shihje! Çdo dy-tre rreshte, udhëtarët kishin valixhe dhe bagazh para këmbëve, e diku-diku edhe në ulëse dhe mbi gjunjë.
I shushatur nga surrealizmi përreth i rashë butonit të shërbimit. Kur ja qetisi, e pyeta stjuardesën kryesore se si guxonin që të rrezikonin me mbingarkesë dhe të thyenin protokollin e sigurisë?!
“Nuk kemi vend!” – ma ktheu ajo. “Kemi stivosur valixhe edhe në hapësirën që është vetëm për personelin tonë. Ndonjë pyetje tjetër?!”
Pa mundur të besoja moskokëçarjen për sigurinë tonë dhe shërbimin më tepër se të keq të sllovenëve, venerova që bijën time e kishte marrë gjumi. Mendova me vete, të vë një sy gjumë si ajo, sepse ashtu, e pakta, nuk do të shihja me sy sjelljet idiote të ekipit të Adria Airways.
Ncëk! Sa mbylla sytë, katër- pesë minuta, dëgjoj stjuardesat tellalle, herë sllovenisht, herë shqip: “Cigare… pa doganë… një shtekë 20 euro; uji 2 euro…!”
Katër-pesë rreshta më mbrapa disa njerëz ankoheshin se si ishte e mundshme që Adria le që nuk ofronte diçka ushqimore për udhëtimin e gjatë mbi dy orë, por as ujë për pirje.
Një plak refuzoi të paguante 2 euro për një shishe 0.25 l. “Si t’ paguej për uj’, oj çika jeme? Më duhet t’ i pi barnat dhe s’ mund i pi pa ujë!”—i sqaronte plaku i shkretë stjuardesës shqiptare në ekipin e Adrias, e cila quhej Lendita.
Ngase përcjell rrjedhat ekonomike dhe të biznesit në Ballkan, e dija vagullt që Adria Airways d. d. ishte në krizë. Shteti slloven si pronar ka gati tri vjet që provon të shesë shumicën dërrmuese të aksioneve, mirëpo askush nuk është paraqitur si blerës.
A thua ishte shërbimi katastrofal arsyeja? Apo mos ishin arsye inefiçienca e menaxhmentit dhe stafi joprofesional që rrezikonte lëndimin dhe humbjet e jetëve të njerëzve, siç po bënin ekipi i JP 115 me ne?
A po tentonte Adria të milte disa euro shtesë— duke shitur edhe ujë— nga xhepi i imigrantëve shqiptarë, që, me përuljen e njerëzve të shkelur me shekuj, reagonin veç tek-tuk dhe nuk u thonin sllovenëve paç, që si blerës të biletave, ne jemi bosët juaj dhe nëse tentoni të na zhvatni, ne mund të zgjedhim kompani tjera?
Sido që të jetë, mbas mbi dy orëve, si çdo tmerri, edhe tmerrit të Adrias i erdhi fundi.
Aeroplani ateroi në Prishtinë duke turfulluar si një dem i superngarkuar me barrë që ja dridh leqet e gjunjëve.
Nuk ka dyshim, çdo kund në botë ka kompani të papërgjegjshme dhe bile të liga. Shumica nga këto biznese mbyllen sepse shfrytëzuesit e produkteve apo shërbimeve të tyre i falimentojnë ato duke mos paguar për çfarë ofrojnë.
Mirëpo, fatkeqësisht, ka edhe kompani, të cilave klientët nuk e kanë fuqinë t’ua ndalojnë veprimtarinë e rrezikshme. Në të këtilla raste, për të mbrojtur qytetarët, duhet të ndërhyjë shteti.
Veprimet dhe sjelljet e paskrupullta, të rrezikshme dhe ilegale gjatë udhëtimit JP115 me 20 korrik, pak a shumë, u përsëritën edhe gjatë fluturimit kthyes JP114 të Adrias, nga Prishtina në Frankfurt, me datën 30 korrik 2015.
Këto shkelje ndikuan që shqetësimi im të shndërrohet në merak serioz për sigurinë e udhëtarëve që fluturojnë me Adrian. Prandaj, si qytetar i përgjegjshëm, më duhet të kërkoj botërisht nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës (AAC) dhe Ministria e Infrastrukturës (MI) e Kosovës, që të mbrojnë udhëtarët dhe të drejtën e tyre për siguri, duke ndërmarrë një hetim urgjent dhe gjithëpërfshirës të fluturimeve dhe avionëve të Adria Airways që mbajnë linja me Prishtinën.
Aviokompania Adria Airways është përfituese e madhe e fluturimeve nga dhe për Prishtinë dhe ajo duhet ta trajtojë linjën me Kosovën ashtu si e meriton çdo linjë serioze dhe pa rrezikuar udhëtarët.
Sipas statistikave zyrtare të AAC-së në vitin 2014 Adria ka qenë kompania numër dy, pas Germanias dhe para Turkish Airlines, me rreth 180 000 pasagjerë që ka transportuar në dhe nga aeroporti “Adem Jashari”.
Mesatarja e fluturimeve nga aeroporti kryesor i Kosovës në periudhën 2010-2014 është 6625 fluturime ose rreth 1. 44 milionë udhëtarë në vit. Aeroporti “Adem Jashari” është një port shumë i rëndësishëm ajror regjional dhe profitabil për kompanitë ajrore.
Derisa jemi te oportuniteti në fushën e aviacionit civil në Kosovë, propozoj që Qeveria në Prishtinë të themelojë aviokompaninë shtetërore “Kosova Airways” duke filluar me një flotë prej dy aeroplanësh, e cila mund të rritet me kalimin e kohës deri në 10 fluturake. Një ndërmarrje e tillë do të hapte vende pune në Kosovë— për fillim së pakut 50, e mëpastaj mbase edhe qindra tjera.
Aviokompania e Republikës së Kosovës mund të operoj me fitim vetëm duke mbuluar linjat të cilat i shfrytëzojnë shqiptarët kurbetçinj.
Modeli i fitimit dhe suksesit është lehtësisht i mbrojtshëm para çdo investitori që do të pyetej të jetë joint venture partner me shtetin e Kosovës, si fjala vjen p. sh. Republika e Shqipërisë apo ndonjë kompani e etabluar ajrore, pse jo edhe nga SHBA.
Le ta ilustrojmë idenë me numra konkret duke bërë llogaritje krejt konservative të të hyrave të shitjes së biletave dhe duke përjashtuar shërbimet totalisht.
Numri mesatar i udhëtarëve që vijnë në dhe shkojnë nga Prishtina përmes ajrit është 1. 44 milionë në vit. Ngase në treg do të ketë operatorë tjerë, le ta përgjysmojmë numrin e pasagjerëve në 720 000 për vit. Nëse çmimi mesatar për biletë është veç 200 euro, të ardhurat për aviokompaninë e Kosovës do të ishin 144 milionë euro në vit.
Le të jemi konservativë dhe me marzhën e profitit dhe le të jetë ajo vetëm 10%. Ky profit, që ka mundësi reale të jetë shumë më i lartë, përkthyer në para do të ishte rreth 15 milionë euro dhe do të mund të investohej ose në blerjen e aeroplanëve tjerë për flotën ose mund të hidhet në arkën e shtetit të Kosovës.
Kjo rrugë do të ishte shtegu më i mirë për mënjanimin e problemeve me aviokompani problematike sikur Adria Airways dhe le të mbetet në punën dhe vendimet e profesionistëve të Qeverisë dhe lojtarëve të sektorit të aviacionit civil në Kosovë se si do të procedojnë me propozimin.
Por deri atëherë, as pasagjerët e as shteti i Kosovës nuk duhet të lejojnë aviokompanitë t’i abuzojnë të drejtat e udhëtarëve dhe kodet e sigurisë, shërbimeve apo ato profesionale, veç pse kompanitë tentojnë të rrisin marzhat e fitimit.
Jetët dhe trajtimi dinjitoz i pasagjerëve duhet të jenë prioritetet kryesore të autoriteteve të Kosovës dhe nëse kompanitë e transportit ajror nuk u përmbahen Konventave Ndërkombëtar si ato të Chicagos dhe Montrealit, Sistemit të Warshavës, ligjeve të BE-së dhe posaçërisht ligjeve dhe rregulloreve për aviacionin civil të Republikës së Kosovës, Qeveria në Prishtinë duhet t’ua revokojë licencat, t’i ndjek penalisht dhe dënoj kompanitë që nuk veprojnë në harmoni me të gjitha ligjet dhe kërkesat rregullative.
Mosreagimi në këtë thirrje publike për hetim të Adria Airways e hedh topin e përgjegjësisë te AAC-ja, MI-ja dhe— rrjedhimisht— shteti i Kosovës.
Në rast të ndonjë aksidenti dhe moskryerje të detyrimeve të AAC-së dhe MI-së për hetim dhe zbatim të rregulloreve dhe ligjeve, gishti akuzues duhet të drejtohet edhe kah Bordi Mbikëqyrës i AAC-së, ministri Zharku dhe stafi i tij dhe— gjithsesi— shteti Kosovës.
Aviokompania Adria Airways duhet të hetohet sa më shpejt, para se mund të bëhet vonë!