Nga ERNESTO GALLI DELLA LOGGIA
“Corriere della Sera”, 20 gusht 2021 Përktheu: Eugjen Merlika
Ndërmjet justifikimeve të dëgjuara në këto orë, për të kërkuar të mos turpërohemi për sjelljen tonë në Afganistan, së bashku të marrë e të ulët, njëri meriton oskarin e hipokrizisë. Është ai, simbas të cilit do t’ishte marrëzi madje edhe e kotë përpjekja për “të eksportuar demokracinë” në kultura të ndryshme nga e jona. (Një bisedë krejtësisht e ndryshme, edhe se shpesh dinakërisht e ngatërruar me këtë e pra të mbahet e ndarë, është ajo e mënyrave, të drejta apo të gabuara, me të cilat mund të bëhet).
Mbi çfarë kuptohet me demokracinë mund të rrihen mendimet me vite. Të themi, duke u kufizuar në fjalët më të thjeshta, se për demokraci kuptojmë një qeveri që në një farë mënyre i përgjigjet të qeverisurve dhe njeh e u siguron atyre vetë, si burra si gra, një farë numëri të drejtash themelore lirie (t’i quajmë madje të drejta njerëzore). Mirë: sot shumë nxitojnë të pohojnë se një regjim i tillë – që ka zanafillën nga një evolucion historik i vetë kulturës së Perëndimit – është i përshtatëshëm prandaj vetëm për popullsitë që bashkëndajnë një kulturë të tillë e që pra, nuk mundet n’asnjë mënyrë të shartohet aty ku kjo kulturë nuk ka lëshuar rrënjë kurrë.
Megjithatë ky pohim i prerë ngre, në mënyrë të pashmangëshme, një pyetje: kush vendos që gjërat janë vërtetë kështu? Kush vendos për vlefshmërinë e këtij lloj ligji të bronxtë të papajtueshmërisë kulturore? Kongresi Botëror i Antropologëve dhe Historianëve të mbledhur së bashku? Kush? Duket mjaft e natyrshme që ndoshta do të duhej t’a përcaktonin të interesuarit, pra vetë përkatësit e kulturës “tjetër” kundrejt sonës. Që duhej të ishin ata të thonin: “Jo faleminderit, liria e fjalës nuk na intereson e për sigurinë që të mos merremi gjatë natës nga policia madje të pushkatohemi pa gjyq mund të bëjmë edhe pa të”.
Gjynah që në vend që t’a ngrinin argumentin e papajtueshmërisë kulturore në lidhje me demokracinë, nuk janë rregullisht t’interesuarit e drejtpërdrejtë por vetëm e gjithmonë ata që kanë mbërritur t’i qeverisin edhe se nuk kanë marrë kurrë asnjë emërim të besueshëm e të efektëshëm. Të përvehtësojnë të drejtën për të shpallur ligjin e bronxtë të papajtueshmërisë kulturore, në fakt, janë gjithmonë e vetëm “autoritetet”, elitat qytetare, ushtarake, kulturore ose fetare, pra ato që në një farë mënyre komandojnë e drejtojnë e që është normale se kanë të gjithë interesin të vazhdojnë t’a bëjnë të patrazuar atë gjë. Natyrisht pa marrë kurrë opinionin e të interesuarve të drejtpërdrejtë. Është një histori e vërtetë që ka të bëjë edhe me ne. A nuk është e vërtetë që edhe tek ne këtu n’Evropë, në kohën e tyre qeveritarët fashistë e komunistë thonin se e kalbura dhe e korruptuara demokraci liberale nuk ishte e përshtatëshme për popujt e tyre përkatës, për kulturën e tyre, për aspiratat e tyre?
Në këto orë , pra, një rrjeshtim i dëndur perëndimorësh shumë të ditur e të zgjuar, ose politikanësh finokë të gjithë ngjyrave përsërisin se çfarë marrëzie ka qënë ekspedita në Afganistan, që megjithatë ka patur pasojën e pashmangëshme t’i jepte për disa vjet pak liri e barazi një numëri të madh grash e burrash t’atij Vëndi. Pyes vetveten se përse kurrë nuk u ka shkuar ndërmënd vëzhguesve të mprehtë të mësipërm, se ndoshta do t’ishte e nevojshme të pyeteshin ato gra dhe ata burra, që ideja për të shkuar në Kabul për të “eksportuar demokracinë”, ishte vërtetë kaq absurde sa për t’u hedhur në kosh? Opinioni i tyre është kaq i parëndësishëm?
E vërteta është se ka vetëm një argument të fuqishëm në dobi të mbështetësve të papajtueshmërisë kulturore: Historia. Secili të qëndrojë në shtëpinë e tij, i nënështruar e i kënaqur për atë që e shkuara ka vendosur për të: çfarë kulture të ndjeki, nën çfarë ligji, besimi, ose regjimi politik të jetojë. E pra nëse n’atë vënd vajzave u praktikohet gjithmonë infibulacioni, ose në një krah tjetër fati i caktuar për homoseksualët është varja, oe në një tjetër anë kundërshtarët politikë kalben nëpër burgje, por nëse të gjitha këto ndodhin si nderim për ndonjë traditë, kulturë apo besim fetar, pak a shumë të ndërpretuar lirisht e të manipuluar, kush jemi ne perëndimorët për të përvehtësuar të drejtën për të ndërhyrë, për të bërë të vlefshme parimet tona duke sfiduar të Shkuarën dhe Molokun e historisë?
Por a është vërtetë kjo që mendojnë sot demokratët italianë? E nëse realisht ata besojnë se nuk duhet as nuk mund të eksportohet demokracia, që vetëm neve mund të gëzojmë disa lloj të drejtash, përse vallë këmbëngulin për të kërkuar shëmbullin prej vitesh, që Egjypti të heqë dorë nga “kultura” e tij e të vendosë të gjykojë si duhet vrasësit e Giulio Regenit e të lirojë Patrik Zakin e shkretë? Ndoshta, marr me mënd, se mendojnë që në këtë rast nuk bëhet fjalë aspak për kulturën e egjyptianëve, por thjesht për interesat e ndyra të qeverisë së tyre. Por nëse është kështu, atëherë kush e di se në sa Vënde të botës ndodh e njëjta gjë, pra kush është pa pushtet, njerëzit e zakonshëm, do të donin të kishin pak habeas corpus e të drejta qytetare, por kush mban pushtetin ka vendosur ndryshe: e natyrisht e bën gjithmonë n’emër të Kulturës, të Historisë, të Fesë. Kushedi në sa Vënde të tjera: ndoshta edhe në Afganistan….
Akoma: përse vallë demokratët e shtëpisë sonë, nëse me të vërtetë mendojnë se duhet t’i lemë të patrazuar Vëndet me histori të ndryshme nga ajo perëndimore, nuk humbasin rast pa përmendur vazhdimisht Kombet e Bashkuara, të cilët me vargun e gjatë të letrave e deklaratave për liritë e të drejtat janë pa dyshim organizata m’e madhe botërore për eksportimin ideologjik të demokracisë? Përse?
E megjithatë, thuhet, se është çështje edhe e mënyrave: a mund të eksportohet vallë demokracia me luftë? Mund të ketë ndonjë dyshim për t’u përgjigjur vetëm ai që harron se prej dy shekujsh kjo gjë ka ndodhur herë të panumurta. Ka vetëm një gjë mbi të cilën nuk mund të ketë dyshime: nëse bëhet një luftë e këtillë atëherë duhet absolutisht të fitohet, me çfarëdo kushti. Por kjo, siç kuptohet, është një tjetër bisedë.
“Corriere della Sera”, 20 gusht 2021 Përktheu Eugjen Merlika