
Kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Peshkopi i Kryepeshkopatës Ortodokse të Shqiptarëve në Amerikë, Hirësia e Tij Nikodhimi ishte për vizitë nga data 9-18 Shkurt 2026 në Shqipëri. Ai ishte i shoqëruar nga Kancelari i Kryepeshkopatës, Stavrofor Ikonom Atë Mark Doku, Klerik i enorisë së Kishës “Fjetja e Hyjlindëses Mari” në Worcester, Massachusets, si dhe V.Rev. Kakhaber (Kai) Kurtanidze, Klerik i enorisë së Kishës “Shën Joan Gojarti” në Filadelfia, Pensilvani, si dhe Z. Mathew Sotir, Përgjegjësi i Financave.
Kjo vizitë ishte në kuadër të forcimit të marrëdhënieve mes dy Kishave tona motra dhe bashkëpunimit të ardhshëm në projekte të përbashkëta kishtare.
Në datën 10 Shkurt kjo përfaqësi u prit në Kryepeshkopatën e Hirshme të Tiranës nga Kryepeshkopi i Tiranës , Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Joan.
Në 12 Shkurt Peshkopi Nikodhim u prit në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Korçë nga Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Anastasi dhe nga klerikët e qytetit. Mbas hyrjes në Katedrale dhe faljes në altar siç është tradita kryeprifërore, të dy Kryepriftërinjtë shkëmbyen mesazhe, urime dhe falenderime me njeri-tjetrin. Më pas, Mitropoliti i Korçës priti në sallën e pritjes vëllezërit e ardhur nga larg, ku vijoi biseda vëllazërore. Hirësia e Tij, Anastasi shoqëroi vizitorët në Kishën e “Burimit Jetëdhënës” pranë Mitropolisë, ku Peshkopi Nikodhim pa nga afër punimet për rindërtimin e kësaj Kishe historike për qytetin.
Në Manastirin “Fjetja e Hyjlindëses Mari” në Boboshticë dhe më pas në Manastirin e “Shën Joan Prodhromit” në Voskopojë, Hirësia e Tij Nikodhimi dhe klerikët që e shoqëronin u njohën me investimet e bëra në këto dy manastire, që vitet e fundit janë bërë nga Qendra Shpirtërore për organizmin e kampeve verore për të rinjtë e Kishës sonë (djem dhe vajza). Dita u mbyll me një drekë të përbashkët nga Mitropoliti i Korçës Hirësi Anastasi, i cili shprehu mirënjohje për Hirësinë e Tij Nikodhim, Klerikëve dhe grigjës së Tij. Ditën tjetër ata vizituan kishat e qytetit të Korçës.
Më 15 Shkurt, të Dielën e të Lidhurit të Mishit, Hirësia e Tij, Nikodhimi bashkë me Klerikët e Tij bashkëmeshuan në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë me Mitropolitin e Elbasanit, Hirësinë e Tij, Andonin dhe klerikë të Kryepeshkopatës së Hirshme. Mbas Liturgjisë Hyjnore, Peshkopi Nikodhim ishte i ftuar për të mbajtur temën shpirtërore “Mbi Gjykimin e Fundit” me besimtarë, prindër dhe të rinj të Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë. Kjo temë u prit me shumë interes nga të pranishmit, të cilët e vazhduan këtë takim me Peshkopin Nikodhim përmes pyetjeve dhe përgjigjeve.
Në 16 Shkurt Hirësia e Tij Nikodhim bashkë me dy Klerkët shoqërues, dhanë intervista për Media e Kishës “Ngjallja”.
Me kërkesë të të rinjve, Hirësia e Tij pati biseda shpirtërore në sallën e aktiviteteve të rinisë, pranë katedrales orthodhokse të Tiranës. Hirësia e Tij u takua me Mitropolitin e Fierit, Hirësinë e Tij Nikolla.
Vizita nga Kryepeshkopata Ortodokse e Shqiptarëve në Amerikë forcoi frymën vëllazërore, shkëmbeu eksperienca dhe konsolidoi më shumë urat e bashkëpunimit për të ardhmen me Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Gjatë kësaj vizite, Peshkopi Nikodhim dhe Klerikët e tij u shoqëruan nga Atë Grigor Pelushi dhe Dhjakon Aleksandër Dimroçi.