NGA MARJANA BULKU/
Eshtë pothuajse katër vjecare kjo historizë por mbart kaq shumë emra, personazhe,problematikë saqë natyrshëm më nxit të jem falenderuese që këtë komunitet të gjallë dhe aktiv media arrin ta përjetësojë duke jua transmetuar edhe brezave.
Dhe keshtu ka ndodhur në fakt, atë maj kur promovohej Charld Telford Erickson në Vatër me autor Mal Berishën , pikërisht aty do të nisnin kontaktet e para me televizionin Albanian Culture TV, me kronikat e pafundme mbi festat dhe gëzimet, tubimet dhe promovimet, sukseset dhe vështirësitë që janë sfida që jo pak herë i bëjnë bashkë shqiptarët e Amerikës.Ndodh që në momente të tilla të takosh miq që koha të bën ti njohësh pak nga pak e të mbeten të tillë përjetë.Dy bashkëthemeluesit e televizionit Albanian Culture Mimoza dhe Adem Hasanbelliu kishin ndërtuar jo vetëm një arkiv shumëvjecar por edhe kushtet për ti dhënë jetë lirisë time krijuese e cila ishte ndërprerë në kulmin e vet në atdheun tonë të dashur. Ata atëherë nuk e dinin këtë, nuk e dinin as që fjala mua më kishte mbetur në gojë , e pathënë, e gjallë, por në humnerën e harresës. Ata nuk e dinin atëherë këtë, ata thjesht i besuan zërit tim dhe më thanë:krijo, cfarë të duash ndërto! Ndërkohë unë kisha ndjekur arkivate tyre plot, kisha ”takuar” personazhe që edhe pse me mundim ia kishin dalë në botën e lirisë e cila është kaq e pafundme dhe pa njerëzit me guxim dhe iniciativa do të ishte kaq bosh.Pa kuptuar isha futur nëpër atë galeri të pasur kulturore, historike, politike ku grupime dhe individë kishin mundur të ndërtojnë lidhjet Kosovë, Shqipëri, Mal I Zi, Maqedoni e ku ti nuk pyet prej nga je pasi merr përgjigjen ”jam shqiptar”. Kuptova se Shqipëria jonë e vogël këtu është kaq e madhe, e një gjuhë, himn e flamur nuk janë thjesht simbole, janë dashuri, janë detyrim, janë vlera që na bashkojnë jo për force nacionalizmash por me shpirtin e përmallimit që vetëm kur ikën prej atdheut mundesh ta kuptosh vërtet. Me kohë kuptova se pse një artist si Adem Belliu e ktheu shtëpinë e vet në Vatër të kulturës Shqiptare dhe pse një bujare si Mimoza ia ka vënë në dispozicion këtij televizioni kohën e vet dhe madje edhe dy fëmijët e vet te mrekullueshëm Vera dhe Gerti Belliu .Intelektualizmi nuk është thjesht një diplomë universitare, është një vullnet që s’ndalet, është një mision përtej detyrës dhe detyrimeve. Më vonë po aty takova fisnikun Beqir Sina që as dhuna e gjatë komuniste nuk ia ka zvetënuar butësinë e zërit dhe të shpirtit, takova të palodhurin e Diellit të Vatrës panshqiptare , gazetarin editorialist nga i cili ke aq shumë për të mësuar Z.Dalip Greca.
A ia kanë/kemi dalë?!
Janë dhjetra personazhe, qindra histori, mijëra problematika të diskutuara në atë studio që nuk ka qenë vetëm e shqiptarëve të Amerikës, por e cdo shqiptari brenda dhe jasht Amerikës.Kemi ndjerë atdheun më pranë dhe i kemi përcjellë atdheut jetën tonë këtu , me sfidat dhe gëzimet, sukseset dhe emocionet që janë të pandara nga ditët tona të këtushme. Jemi bërë bashkë edhe kur kohët dhe politikat e castit na kanë përcarë sepse në atë studio cdo ditë flitet për Shqipërinë, për diasporën, për cështjet që na bashkojnë, nderojnë, përjetësojnë.
Historia e ”Një jetë…disa histori” nis me rrëfimin shumëplanësh të profesoreshë Lumi Hadrit,e cila detyrohet të lërë Kosovën në vitin 1986 por në fakt nuk e la kurrë atë sepse kurrë nuk reshti së menduari dhe së punuari për Kosovën.
Nëpër ato fillime kujtoj edhe zonjën Vera Kurti , një intelektuale që përlotet teksa flet për autizmin, këtij fenomeni me përmasa të cuditëshme të cilit ajo i është përkushtuar profesionalisht, madje edhe përmes studimesh dhe publikimesh.
Prezenca e diplomatit dhe mjeshtrit të penës dhe humorit Z.Pëllumb Kulla do të mbetet e paharruar për larminë e përvojave që solli aty, sensit të humorit dhe mesazheve të forta drejtuar politikës, komunitetit shqiptaro-amerikan me mjeshtërinë ”made in Kulla”.
E madhja doktoreshë Shpresa Xhakli dhe pse ta fsheh frymëzimi im, është një pasuri e vecantë në studio , me atë komunikim brilant, rrëfimet prekëse, përjetimet e rralla dhe plot ngjyra jete ku emocionet jetësore mbartin edhe ngjyra trishtimi e gëzimi që Xhakli jonë i rrëfen aq bukur me lotët që i qeshin dhe që i qajnë.
Në Albanian Culture TV rinia ka qënë jetë dhe vitalitet, kjo është ndjerë jo vetëm nga prezenca e tyre por edhe nga energjia që të rinjtë edhe pse të edukuar në USA kanë për vendin ku u lindën të parët e vet Classmate forever dhe Zamane Bodini me Lendita Hoxhën , vajzat e mencura dhe humane që i dhanë dritë e bukuri ciklit ”Një jetë …disa histori”. Po kështu Granit Limani , djaloshi kosovar përpara të cilit ti thua…”sa me fat është ai shtet i ri me bij kaq të zgjuar”!
Personazhet sa vijnë dhe shtohen, natyrisht duke pasuruar komunikimet tona me të gjithë brenda dhe jasht studios.Disa komunikime u shndërruan në kujtime të paharruara…kujtoj të madhin kantautor dhe producent artistin Adi Hila, disa komunikime do ishin frymëzim dhe motiv për të ecur përpara nëpër kohë dhe me cilësi ,kam parasysh Ambasadorin shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar në atë kohë Zotin Mal Berisha dy herë i pranishëm në studion tonë.Ka patur edhe personazhe që janë hite nëpër komunitetet ku jetojnë dhe prezenca në studio është nderim reciprok si psh Kampioni i botës ne kick boks Ismail Keta.Zonja Ruki Kondaj autore dhe zbatuese e Ligjit për Trashëgimninë kulturore në Parlamentin e Ontarios. Kështu televizioni shkoi përtej komunitetit të shqiptarëve të Amerikës por duke përcjellë kontribute dhe vlera mbarëshqiptare ,ato të humanizmit, historisë dhe traditës, këtyre vlerave që rrojnë më gjatë se njeriu.
Nuk ka qenë e lehtë ,jo jo aspak e lehtë për mua të udhëtoja drejt asaj studioje , kush i din distancat që na ndajnë e kupton vetë mundimin prandaj unë po i shmang komentet e tepërta në këtë rrëfim rrëfimesh, por dua të kujtoj verën 2015 kur ime më pësoi një goditje në tru, për fat i mbijetoi, por për mua ishte aq e vështirë ti rikthehesha rrëfimeve të jetës kur jeta e njeriut tim aq të shtrenjtë ishte në rrezik. Mimoza dhe Ademi më ftuan të shkonim te Pirro e Pavlina Mani…si mund t’u thoja jo. Ne ishim rritur me filmat e tyre.Shqipëria komuniste nuk na la asgjë tjetër trashëgim përvec kinemasë, me hijet dhe drithijet e veta .Atë fund vere times plot kalvare po shkonim drejt një ikone me histori pafund Pirro Mani. Në atë familje ku arti frymon art duke filluar që nga lulet në oborr, pikturat në mur,bisedat që nuk shterrojnë e deri te bujaria e aristokrates së skenës dhe familjes Pavlina Mani, ti mund të pohosh që jeta është një trajektore që duhet tia ndjekësh me sy ,me shpirt, me penë, me foto,me dashuri, cdo kilometër.
Sa jetë japin rrëfimet e Gjilberta Lucës, Pranvera Cobës, Luka Hajdinit…aq sa kur vijnë ato në studio duket sikur edhe muret këndojnë.
Nuk e kemi lënë jasht vemendjes as politikën megjithëse unë e quaj aksident…Aleksandër Mici , një republikan dinjitoz, Profesor Shenasi Rama , një shkollë e opozitarizmit, Grid Roi që analizon ftohtësisht politikën edhe pse mbetet i dashuruar me folklorin , Mimoza Hajdarmataj një tregues simbolik se si nganjëherë parlamenti i Shqipërise pati edhe fisnike si ajo.Profesor Enea Janko ishte aty duke folur për politikat ekonomike ,ato që do mund ta ndihmonin Shqipërinë në ditët e vështira.
Në atë studio ndodh të takosh njerëz që nuk mundesh ti harrosh kurrë ,janë nga ato që nuk ndalojnë së shkëlqyeri profesionalisht por edhe përmes kontributeve vullnetare duke edukuar brezat që rriten në emigracion… Ana Kohen e Drita Gjongecaj falemnderit që ishit aty.
Revolucionaren në art, atë që ia ve vulën me mendim dhe me bojë duke e thënë hapur të vërtetën edhe kur ajo është pis ,Zake Prelvukaj në atë studio na e solli një mik , jurist, estetik dhe fotograf, nxënës i Gjon Milit dhe Fadil Berishës, mjeshtri fisnik Ilir Rizaj i cili është një aset i cmuar i komunitetit tonë.
Unë ndalem me respekt të thellë e me një memorje të kthjellët kur kujtoj praninë e artistes së Popullit Tinka Kurti në ACTV biseda me të cilën mbart të gjitha detajet e një jete plot dhe më shpie tek një nga ngjarjet më të bukura këtu ”Festivali i filmit shqiptar” me organizator Artiot Myrtaj, djali i talentuar prej Kosove që kosovës i thurr film.
Merita Halili e Raif Hyseni dy artistët që nderojnë cdo mjedis e kudo ku janë ato këndohet shqip, janë ato që i dhanë liri edhe muzikës shqiptare duke e shndërruar në subjekt dhe lëndë të programeve universitare…e kështu ”Një jetë …disa histori” përcjell falenderimet në emër të një komuniteti ,aktiv apo pasiv, gjërat që ndodhin përreth nesh janë edhe në këtë studio modeste.
Janë shumë shkrime e publikime, botime e promovime që rigorozisht drejtohen nga e talentuara Raimonda Moisiu,kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, ajo që ka një ftesë përherëv -on- nga unë ,por Veneta Callpani e Pierre Semsia ia kanë transmetuar më së miri punën sistematike nëpërmjet ACTV si një thesar mendimi i publikuar apo që do ti shkojë lexuesit.
Nuk e kam shmangur dot lokalizmin edhe pse në një vend të madh si Amerika, nje dobesi apo cilesi kjo …nuk di , Dibrës time të vogël kam dashur ti bëj pak vend përmes zërit të Vera Lacit e rapsodive të Sherif Dervishit sepse Albanian Culture është mjeshtre në bujari dhe model në mikpritje. Këtë kemi dashur të mbajmë gjallë, atë cka na nderon pse te mos e amplifikojme?!.Duke qenë se vij nga një trevë e varfër materialisht por e pasur në histori shpesh pohoj me bindje se pasuri për ne janë njërëzit dhe historitë e tyre.Dhe kjo formule ka vlere edhe per shqiptaret e Shqiperise se vogel ne Ameriken e madhe. Le ti bëjmë bashkë ato.
Janë shumë e do jenë akoma më shumë… që të gjithë miq të ekranit të kulturës shqiptare, erdhën e do të vijnë aty për të mbetur të përhershëm në kujtesën vizive, atë të mendimit dhe problematikës.Dhe sapo ata largohen unë pohoj përsëri ;Po, jeta është një trajektore që duhet tia ndjekësh me sy ,me shpirt, me penë, me foto,me dashuri, cdo kilometër.