Nga Vepror Hasani/
Bledi do të kthehej në shtëpi të shtunë, më 26 korrik. Ishte viti 1997. E pritëm gjithë ditën ardhjen e tij, por ai nuk po dukej. Kur po afronte mbrëmja nisëm të shqetësoheshim. E motra, Mira, priste që të hapej dera dhe ai të hynte brenda nga çasti në çast. Ndoshta do ta pyeste: “Pse u vonove vëllaçko, të kemi pritur gjithë ditën!” Edhe i vëllai, Artani, nuk po dukej më i qetë. E përhumbur kishte mbetur edhe nëna e tij. Sytë e saj dukeshin sikur pyesnin vazhdimisht: “Shumë na u vonua ky djalë sonte, duhej të kishte ardhur deri më tani? Ti ketë ndodhur gjë, që po vonohet kaq shumë?”… Mua nuk po më mbante më vendi. Një parandjenjë e keqe po na mbante peng të gjithëve…” Me këto fjalë e nis rrëfimin e tij për djalin e vet Elmaz Llangozi, ushtarak, me origjinë nga Berati, banues në Korçë që nga viti 1963, tashmë i moshuar, emigrant në Selanik, e ndërsa flet sytë i mbushen me lot. Ai e ndjen që po loton, por nuk mundet ta fshehë dot trishtimin. Vështron i dëshpëruar dhe duket sikur kërkon të thotë: “Më falni, po nuk e mbaj dot veten. Dhimbja ime është e madhe, ajo do të më ndjekë hap pas hapi deri në fund të jetës time. Nuk kam për ta harruar kurrë lajmin e zi të asaj dite. Një orë më vonë shqetësimi ynë u bë edhe më i madh,- vijon rrëfimin e vet Elmaz Llangozi. Djalit tonë diçka i kishte ndodhur. Befas na mbërriti lajmi i zi. Dikush na tha se Bledi ishte gjetur i mbytur në detin e Halkidhiqisë. Atë që sapo kishim dëgjuar nuk mund ta besonim dot. Pata përshtypjen se qielli u përmbys dhe ra sipër nesh, na zuri poshtë të gjithëve. Mbaj mend që m’u errësua gjithçka. Përpiqesha të bindja veten se asgjë nga ato që thuheshin nuk ishin të vërteta, por lotët nuk po më ndaleshin. Në të njëjtën gjendje ishin nëna e tij, Përparimja, (në Greqi e mbante emrin Parashqevi), e motra, Mira dhe i vëllai Artani. vetëm qanin, ishin shndërruar në klithma rrëqethëse.
Ekspozita
Ndoshta djali ynë, Bledi Llangozi, nuk do të kishte shkuar në Halkidhiqi, por ashtu e sollën punët,- vijon rrëfimin e tij, Elmazi. Ato kohë ne jetonim si emigrantë në Greqi. Aty vazhdojmë të jemi edhe sot. Ditë më parë, Bledi kishte dëgjuar se në kuadrin e shpalljes së Selanikut “Qytet i Kulturës Europiane” do të hapej një ekspozitë në pikturë dhe ai që nga ajo ditë nuk fjeti asnjë natë. Punoi shumë. Kishte me dhjetra piktura të përfunduara, por krijoj edhe të tjera. Dëshironte të ishte i pranishëm në atë konkurim, të provonte veten. Ishte i bindur që do t’ia dilte mbanë. Zgjodhi 10 nga pikturat e tij më të mira dhe me to u paraqit në konkurim. “Do të prezantoj Shqipërinë time”,- ishte shprehja e tij më e preferuar e atyre ditëve. Pikturat e Bledit u pranuan. Ekspozita u hap më 15 qershor 1997. Foli një greke. Vlerësimi për pikturat e tij ishte i veçantë. Pastaj për të pranishmit u dha një koktej. U bënë shumë fotografi. I pranishëm isha edhe unë. “Eja edhe ti baba”,- më tha Bledi, dhe unë shkova bashkë me të. Nga ajo ditë ruaj si gjënë më të shenjtë foton ku dola bashkë me Bledin. Sa herë që e vështroj, kuptoj lumturinë që dritëzon te sytë e tij, më vështron i qeshur e duket sikur më thotë: “E sheh baba, ia dola mbanë!” Dhe unë gjithnjë i përgjigjem: “ Po biri im, ti linde për të qenë i pavdekshëm”, po lotët përsëri më rrjedhin vetiu nëpër faqe, sepse e tillë është jeta e tij. Nuk di pse kam dëshirë t’ua tregoj të gjithëve, ndoshta nga që vdekja e tij më duket e pabesueshme. Kur të jeni njohur edhe ju me këtë histori të dhimbshme, lutem më thoni, a mund të ishte i vërtetë lajmi që më sollën për vdekjen e djalit? Unë ende nuk jam i bindur.
Në Halkidhiqi
Në përfundim të ekspozitës së 15 qershorit, njëri prej organizatorëve, një mësues rumun, ftoi piktorët pjesëmarrës për një pushim një javor në bregdet. U ra dakord që takimi të bëhej, më 22 korrik 1997. Që të gjithë do të takoheshin në bregdetin e Halkidhiqisë në Selanik. Unë dhe Bledi u kthyem në shtëpi. Ato 32 ditë kaluan shumë shpejt. As sot nuk e di se si ikën ashtu ato ditë. M’u duk sikur Bledi u ngrit në mëngjes dhe më tha: “Baba po nisem për pushimet një javore që na u premtuan nga profesori rumun”. “Për sot e keni lënë”,- e pyeta. “ Po baba,- tha ai,- sot është 22 korrik”. “Çfarë dite është sot?”- e pyeta. “E martë”,- ma ktheu ai Nuk e di pse u drodha i gjithi. Përse ikja e tij nga shtëpia, kishte qëlluar në një ditë tersi. Nuk më erdhi mirë. U hidhërova, por djalit i urova pushime të bukura. Pastaj ai u kthye nga e motra, Mira, që ndodhej aty dhe i tha: “Unë po iki motër, ti do të mbetesh me “Nasin e Vogël”, kështu më quante mua, pasi përveçse isha i vogël nga trupi, hallet e emigrimit më kishin bërë edhe më të vogël akoma. Edhe emrin nuk e kisha më Elmaz, por Thanas, edhe gruaja ime nuk ishte më Përparime, e quanin Parashqevi. Kështu bënin të gjithë shqiptarët: ndërronin emrat që të bëheshin sa më të pëlqyeshëm për grekët. “Çfarë po më thua kështu,- ia ktheu e motra, – rrugë të mbarë dhe të na vish shëndoshë e mirë!” Ai qeshi, ashtu siç bënte gjithnjë dhe pastaj iu përgjigj: “E thashë kot motër”. Bledi ishte nisur për udhë. Mbaj mend që i dhashë disa dhrahmi që m’u ndodhën në xhep. I mori duke më falenderuar. Vetëm atë çast u kujtova se tre ditë më parë, dolëm si familje në pazar për të gjetur rrobat më të bukura për Bledin. I blemë pantallona të bardha, bluzë, këmishë e ku di unë ç’gjëra të tjera. Dëshironim që edhe Bledi ynë të ishte i barabartë me të tjerët. E pashë të lumtur atë mëngjes tek ishte nisur për udhë, por nuk e di pse fjalët që i tha së motrës kur po përcillej nuk po më hiqeshin nga mendja. Ai bënte shpesh shkaka, por mua mendja nis të më mbetej tek ai deri ditën që do të kthehej nga bregdeti i Halkidhiqisë. Diku në një poezi kishte shkruar: “Një i dytë jetën do të ma marrë!”. Ç’të ishte vallë ky i dytë? Mos vallë ishte një metaforë dhe asgjë më shumë, apo një hije që jetën e tij e ndiqte nga pas?
Piktori
Lajmi që na sollën ishte vërtet tronditës. Nuk mund ta besoja dot që ai ishte mbytur, sepse Bledi nuk ishte notar i mirë dhe nuk i pëlqente të hynte në thellësi. Gjithë kërshëria e tij ishte të ulej diku në breg të detit a mbi një shkëmb e të pikturonte kreshtat e valëve që për të ishin një botë magjepse. Isha i sigurtë se ditët e tij në bregdetin e Halkidhiqisë i kishte kaluar duke pikturuar dhe asgjë më shumë. Nëse vërtetë ishte mbytur, kush do të ma thoshte vallë si kishte ndodhur? Ëndrra e tij e vetme ishte piktura dhe poezia. I mbaj mend çastet pas përfundimit të ekspozitës. Im bir ishte vlerësuar për pikturat e tij dhe ndihej i lumtur. Nuk dinte si të ma shprehte gëzimin e tij. Dëshironte të më fliste për gjithçka, por në të njëjtën kohë donte të ishte edhe i përmbajtur. Edhe unë ndihesha po aq i lumturuar sa ai. I gëzohesha gëzimit të tij. Nuk kisha asnjë dyshim që Bledi do t’ia dilte mbanë. Talenti i tij nisi të shfaqej që kur ai nisi të shkonte në kopësht. Ulej dhe vizatonte. E vështroja dhe mbetesha i befasuar, nuk e besoja dot që ai fëmijë aq i vogël përpiqej të vizatonte. Më dukej diçka e jashtëzakonshme. Nisa t’i blija të gjitha revistat e kohës për fëmijë. “Fatosin”, “Pionierin”, libra me figura etj. (Edhe tani ato ndodhen në raftin e librave ku i ka vendosur ai. Shkoj pranë tyre dhe i përkdhel me mallin që nuk më shuhet kurrë) Talenti i tij u shfaq më së miri kur ai ishte 6-7 vjeç. U bë edhe më i dukshëm kur shkoi në shkollën fillore. Ishte një nxënës i mrekullueshëm. Mësonte shumë. Dhe ishte kaq i dashur me shokët. E adhuronte shoqen e tij të bankës, por në të vërtetë ai i tillë ishte me të gjithë. Tashmë këtë fëmijë nuk e kisha më, e kisha humbur në ujërat e deteve të Greqisë. Për mua nuk mund të ishte e vërtetë. E pavërtetë do të mbetet edhe për nënën e tij, motrën dhe vëllain.
Poeti
Bledi ishte një fëmijë që do të na befasonte vazhdimisht. Ai nuk paskësh patur pasion vetëm pikturën. Në shpirtin e tij flinin ëndrra dhe poezi, fjala e magjishme, ngjyrat dhe dritëhijet, piktori dhe poeti, por edhe mesazhet e çuditshme që dukej sikur atij i zbrisnin nga një botë tjetër. Ai rritej dhe shpirti i tij zgjohej. Kur ishte në klasë të dytë apo të tretë, nisi të tërhiqte edhe vëmendjen e mësuesve. Në këtë kohë mësueses së tij i kushtoi vjershën e titulluar “Mësuesja”. Ishte i dashuruar mbas dijes. “Shkolla ime”, ishte një vjershë tjetër e tij, e shkruar me sinqeritetin fëminor. Por edhe nga piktura nuk u nda për asnjë çast. Shkruante dhe pikturonte. Kur ishte në klasën e gjashtë çoi në shkollë një pikturë të titulluar: “Malësori me pushkën pranë këmbës”, ndërsa me poezitë e tij shokët dhe shoqet e klasës njiheshin herë pas herë. “Manushaqja” ishte një prej poezive të tij të pëlqyera. Fliste për një manushaqe që kishte mbirë pranë një varri. Një nënë shkonte atje dhe qante çdo ditë. Qante birin e saj të vdekur. Ndodhi që lotët e saj ranë edhe mbi manushaqen dhe manushaqja nisi të thahej, u venit dhe humbi, nuk ishte më. Ishte një poezi e çuditshme. Ishte aq i vogël dhe fliste për vdekjen, për varreza, për lot dhe manushaqe të thara buzë varreve, ku brenga e nënës do të shuhej vetëm me ikjen e saj nga kjo botë. A thua se të gjitha këto ai i kishte shkruar për veten e tij? Ai ishte një nxënës i çuditshëm, gjithnjë në qendër të vëmendjes të të gjithëve. Herë-herë rrethohej edhe nga xhelozia e bashkëmoshatarëve që nuk arrinin dot të ishin si ai. Zilia e adoleshentëve ndodh që të jetë edhe e pafre. Mësuesit kishin filluar të habiteshim me përkushtimin dhe talentin e tij. “Regjistroheni në shtëpinë e pionierit për pikturë,- na porositën, dhe ne e regjistruam që të nesërmen,- na tregon babai i Bledit, Elmaz Llangozi. I blemë bojra, lapsa, fletore vizatimi e gjithçka tjetër. Në atë kohë këto lloj materialesh gjendeshin me vështirësi.
Televizioni grek
Lajmin e zi të 26 korrikut 1997, që ne nuk e besonim dot, e dëgjuam edhe nga televizionet greke. Në njoftimin e shkurtër u përmend emri i Bledi Llangozit. Cilësohej si një piktor i talentuar. Ishte gjetur i mbytur në detin e Halkidhiqisë. Ishte ky çast që shtëpia jonë u drodh. U duk sikur do të shembej nga klithmat, dhimbja dhe vajtimet. Djali ynë nuk jetonte më. Ditë më të vështirë se atë të 26 korrikut nuk kisha përjetuar deri atëherë. Ime shoqe u shemb përdhe, pothuajse e vdekur. Mira, vajza, ra pa ndjenja dhe për një çast menduam se e humbëm dhe atë. Unë me djalin e madh, Artanin, përpiqeshim të kujdeseshim për të tjerët, por nuk ishim të zotë as për veten tonë. O Zot, çfarë dhimbje kam provuar! Ndihesha i dërrmuar tërësisht. Gjithë jeta e Bledit kishte qenë një brengë e madhe. Kur Bledi erdhi ne Greqi, në vitin 1996,e regjistruam në vitin e tretë gjimnaz dhe në një shkollë private për pikturë, për të cilën paguanim 50 mijë dhrahmi në muaj. Ai gjithnjë kishte menduar se përtej kufirit do të gjente një botë tjetër, më të bukur, më njerëzore dhe më mikpritëse, por në të vërtëtë u përball vetëm me zhgënjimin. Kur mësuesit e shkollës greke, lexonin emrin e tij, Bledi Elmaz Llangozi, ai nuk ndihej mirë. Të gjithë nxënësit grekë vështronin nga ai. Gjithkush prej tyre me heshtjen e vet dukej sikur pyeste i habitur: “ Po ti qenke mysliman!” Emrat myslimanë kishin një konotacion të papranueshëm për ta. Mbi të gjitha, emri Elmaz u kujtonte emrin e turkut Mensud Elmaz. Kur Bledi u ndesh për herë të parë me këtë fenomen, hyri në shtëpi i mërzitur dhe tha: “Ah, more baba, si ta vunë këtë emër, Elmaz! Sa herë përmendet emri yt në shkollë më shohin me sy tjetër. “Ti je turk?”- më pyesin të habitur. Por unë nuk nguroj baba, t’u them që jam shqiptar. Përpiqem t’u shpjegoj bashkëmoshatarëve të mi grek se mes tyre dhe meje nuk ka asnjë ndryshim. A nuk jemi të gjithë njerëz?- i pyes. Për të gjithë njerëzit e planetit, a nuk ekziston vetëm një Zot? A nuk i falemi të gjithë të njëjtës Perëndi? A nuk shohim të gjithë të njëjtën hënë, së cilës në çdo vend të botës i thurin vargje? A nuk ngrohemi nga i njëjti diell? A nuk është toka shtëpia e të gjithë njerëzve të këtij planeti? Gjithë trishtimin e tij, ai e shprehte herë pa herë: “Ah more baba, këta janë kaq shumë të dhënë pas fesë sa harrojnë çdo gjë tjetër që ekziston në këtë botë! Më pas në poezitë e tij gjeta të shkruar: “Më ngjisni atje lart se këtu në tokë shumë zili më kanë!“
Elmazi
Trupi i Bledit kishtë përfunduar në morg. Shkova në polici për të mësuar mbi rrethanat si ishte mbytur djali im, por nuk mora asnjë përgjigje. Ndoshta do të kisha mësuar diçka rreth ngjarjes, por kur polici dëgjoi emrin tim “Elmaz” u vrenjt i gjithi. E pyeta disa herë, por nuk më dha asnjë përgjigje. I kërkova gjithashtu të më jepte një shënim që të tërhiqnim nga morgu trupin e pajetë të djalit për ta varrosur në Korçë, por sërish ai nuk më dha asnjë ndihmë. Trupi i Bledit qëndroi në morg deri ditën e hënë. Ndoshta do të kishte qendruar atje për ditë të tëra me radhë, por fal ndihmës së ofruar nga Komuniteti Europian për Kulturën dhe Artin, shoqatës bamirëse “Omonia”, me kryetar Vasil Leskovikun dhe shoqatës së vllehëve, mundëm të merrnim Bledin nga morgu, dhe po atë ditë, të hënën, u nisëm drejt Korçës. E varrosëm djalin në qytetin e lindjes. Kishim bërë sakrifica të panumurta për të shkuar në Greqi, por atje humbëm djalin tonë. Filimisht në greqi shkoi djali i madh Artani. Ai shkonte dhe vinte, por më në fund, më 1995, mundi të sistemohej në Selanik. Pas kësaj shkuam të gjithë me radhë. Në fillim iku bashkëshortja ime, Përparimja, vajzën e nisa nga Maqedonia, Bledin e nisa me autobuz, ndërsa vetë kalove maleve dhe pyjeve për të mbërritur pranë familjes. U mblodhëm të gjithë bashkë më 26 korrik 1996. Një vit më vonë, po në këtë datë, më 26 korrik 1997, djali ynë Bledi humbi jetën në detin e Halkidhiisë. Të ishte rastësi?!
13 vjeç
Në të vërtetë dëshira e Bledit për të shkuar në Greqi kishte qenë e madhe, pasi atje ndodhej edhe vëllai i tij, Artani. Pas përfundimit të shkollës 8-vjeçare, në vitin 1993,hapi ekspozitën e parë të titulluar “Vërshim pranveror”, me rreth 60 punime në pikturë; pastel, bojra tush, vaj, akurel etj. Në gusht të vitit 1993 dha provim për t’u pranuar në shkollën e pikturës “Tefta Tashko”. Sigurisht që doli me sukses, ishte vlerësuar me notën 9. Më 15 shtator 1993, u regjistrua në degën e pikturës, por nuk mundi t’i vazhdonte studimet. Nxënësit po braktisnin shkollat. Dëshironin të shkonin në një vend tjetër, në kërkim të një jete më të mirë. Në tetor të atij viti, biri im,bashkë me dy shokë të tjerë, Olsin dhe Stavron nga Turani, u nis drejt Greqisë. Lekët i kishte siguruar duke u shitur disa piktura turistëve anglezë që ato ditë ndodheshin në Korçë. Kishte mundur të siguronte 40 dollarë. Ishte vetëm 14 vjeç. Aventura e tyre mbeti e paharruar. Kaluan male dhe pyje, lumenjë dhe shtigje, rrugë pa krye dhe humnera të frikshme, por më në fund ia dolën të mbërrinin në një fshat. Punuan disa ditë për mbledhjen e mollëve. Me të siguruar disa të holla, u nisën drejt Selanikut; aty i hipën autobuzit për të mbërritur në Athinë dhe që andej me tren shkuan në Kallamatë. Fati nuk kishte qenë më ta. U desh të punonin si barinj në një fshat të largët, të quajtur Katherol. Flinin në një kasolle të ftohtë, që gjendej në një vend të frikshëm. Ndodhi që një nga delet të thyente këmbën dhe për kaq gjë, pronari grek u vuri çiften në ballë. Tre fëmijët u përballën me tmerrin. Për një çast e përfytyruan veten të vdekur, por greku e uli armën. I mbajti në punë, por tashmë do të punonin pa pagesë. E gjithë kjo kishte qenë një lojë. Peripecitë e tyre nuk do të kishin marrë fund kurrë, nëse vëllai i Bledit, Artani, nuk do t’i kishte gjetur ku ndodheshin. Kishin 5 muaj që gjendeshin në tokë të huaj. Ai i nxori që andej dhe i ktheu në Shqipëri, por ajo që u kishte ndodhur nuk do ta harronin dot kurrë.
Kthimi në shtëpi
Nuk e harroj dot kthimin e Bledit në shtëpi,- vazhdon të tregojë Elmas Llangozi. Ai erdhi na takoi, shkoi te rafti i librave, mori një libër dhe nisi të qante. Qau pa pushim. Kishte humbur një vit shkollë dhe nuk kishte fituar asgjë. Kishte humbur poezinë dhe pikturën. U betua se nuk do emigronte më kurrë në jetën e tij. Gjatë kësaj kohe përgatiti vëllimet me poezi “Meditime”, dhe “Si gjithmonë në shtegtim”, ku përshkruan jetën e tij në emigracion. Në shtator të vitit 1994, Bledi hyri përsëri në shkollën e pikturës, ku ia filloi sërish nga e para. Në dhjetor 1995, mori pjesë në konkursin e shpallur nga UNICEF, për luftën kundër drogës dhe duhanit. U vlerësua për tablonë e realizuar, ku binin në sy dy të rinjë të përqafuar, ndërsa më tej një arkivol i hapur. Më poshtë një nënë që qante birin e saj. Atë mbrëmje Bledi u ftua edhe nga Televizioni Shqiptar. Idhulli i tij në poezi ishte Dritëro Agolli. Bashkëmoshatërët e tij kishin nisur të ndiheshin xhelozë për suksesin e tij. Në një prej këtyre ditëve e qëlluan me thikë. Iu desh gati një muaj përpjekjeje që të rikthehej sërish në jetë. Jeta e tij kishte nisur të bëhej e vështirë. Sot ai ka së paku 7 vëllime me poezi dhe me dhjetra piktura e vizatime. Një thesar i vërtetë pikturash prehet në shtëpinë e tij. Megjithatë nuk kam harruar kurrë betimin e tij: “Nuk do të emigroj më kurrë në jetën time!”, por jeta e desh që ai të vinte sërish në Greqi, kundër dëshirës së tij.
Për nënën
Kur Bledi emigroi për herë të parë në Greqi mungesën e nënës e vuajti shumë. Nuk e harroi dot asnjëherë. Brenga e tij lexohet nëpër vargje: Po të shkruaj sot o nëna ime/, Se po më vijnë në mendje, të bukurat mendime/. Se dua të jem sa më pranë me ty/, Të të puthe në faqe, të të puth në sy/. Thesar që nuk shkëmbehesh je në botë/, Nga gjiri i yt kam dalë, përherë derdh lot/. Më solle në jetë si një lule, si një margaritar/, Më dhe pasion, më dhe në zemër zjarr/. Më dhe mendim të qartë: ta dua jetën/, Të luftoj të ligën, të mbroj të vërtetën/. Ta dua Atdheun si shqipja folenë/, Të eci përpara, gjunjët të mos më lenë. (Shkurt,1993). Malli i Bledit për nënën sa vinte dhe rritej. Kur gjente mundësinë e merrte në telefon dhe dëgjonte zërin e saj që qante: Ti qan dhe unë duroj/, Tani dhe unë vajtoj/, Ti më pret në telefon/, Mbase zërin tim dëgjon/. Po unë nga çasti në çast duroj/, Me mall e brenga larg jetoj/. Të dy një Zoti i falemi/, Që në jetë kurrë mos ndahemi/. Dhe presim çastin e shumëpritur/, Që një ditë të takohemi pa ditur/. Nata dhe dita shpejt të afrohet/, Po malli në zemër shumë zë e shtohet/. Dhe pres këtu larg, me dit’e orë/, Këtu larg pret zemra e gjorë/. Jeton me frik’e shumë shpresë/, Që një ditë të takohemi në mëngjes/. (Kallamat, Katherol, shkurt 1994). Mes shumë poezive të tij gjendet edhe këto vargje: Të lashë që të qash e përvëluar/, Për t’i mbledhur kujtimet më të shtrenjta/ Në pikën e lotit ku ‘Breng’e Mallkuar“/ Të djeg e të gërryen përbrenda/. Dhe nëse më kërkon, patjetër do më gjesh, Në një pasqyrë… lum a det…Gjurmat e kujtimeve do t’i lesh/, Të pacenuara për jetë e mote. Po koha erdhi, të të them: Harroje!/Atë që zemra kurrë s’ka për t’a shkelur/, Atë që t’i me zjarr e dëshiroje’, Të ishe si dikur e çelur dhe e qeshur, harroje. (Korrik 1994). Duket se Bledi gjithnjë ka një parandjenjë të keqe. Ndoshta do të ikë shpejt nga kjo botë dhe nëna e tij do ta harrojë gëzimin për birin e vet.
Misteri
Vallë çfarë donte të thoshte me vargjet: “Dhe nëse më kërkon, patjetër do më gjesh, në një pasqyrë… lum a det…”. Bledi na la edhe nje porosi tjetër, kujton me dhimbje Elmaz Llangozi: “Babi, kur të mos jem, më kujtoni me një gotë verë për shpirtin tim të ri!”- na thoshte ai. Ç’të ishte vallë gjithë kjo parandjenjë e keqe e tij?! Edhe sot e kësaj dite nuk e kam të qartë çfarë ka ndodhur: u vetëmbyt apo e mbytën, cila hije e ndoqi pas deri në fund të jetës? Ai u nda nga jeta në moshën 18- vjeçare, (lindi më më 14 shkurt 1979), por për ne prindërit mbeti gjithnjë si 13 vjeç, mosha kur ai nisi të shkruante e të pikturonte
thanas llangozi says
Ju faleminderit Vepror Hasani, qe ju bet te ditur vlersimin opinionit publik mbi historin e birit tim Bledit,nje histori e dhimshme dhe vendit tone i humbem nje figur e larte.
Komuna e Beratit e shpalli <qytetar nderi<,ndersa Korca ne vendin ku lindi dhe u edukua akoma. nuk e ka mar ne konsiderat nga istancat burokratike.Po Bledi erdhi dhe iku me krenarin kombetare dhe vendit te vet, i la shumme nga shpirti i tij poetik dhe si piktor.
Kujtim i perjetshem.
Babai Bledi Llangozit
Elmas Llangozi Selanik7/6/2016