Nga Astrit Lulushi/
Çdo gjë që duket e padurueshme priret të shkatërrohet. Pushtimet, shtypjet, tiranitë, të gjitha janë të përkohëshme, të gjithave u vjen fundi, janë pasojat e tyre që lënë gjurmë të përherëshme. Kur njeriu sheh fillimin e një periudhe, ai në fakt bëhet njëkohësisht, dëshmitar dhe parashikues i rrënimit të saj. Vetëm kjo duket se justifikon të qenit optimist edhe në momentet më të errëta, kur të tjerë humbasin shpresën. Gjithashtu, kjo e bën optimizmin një filozofi edhe të së kaluarës. Një post në qeveri a shoqëri, si çdo gjë tjetër, nuk është krijuar për të qenë përgjithmonë, por ka që mendojnë se janë lindur për të udhëhequr, edhe pse jeta një ditë ndërpritet dhe të gjithë duken njësoj. Fuqia e një Perandorie shuhet edhe pse rilind a reformohet në mënyrë që perandori të zgjasë edhe për ca kohë sundimin. Anomalitë e dukshme në historitë shoqërore ose politike, tregojnë se krijimi i botës nuk ndodhi në fillim të kohës, por ndodh çdo ditë. Një hap përpara implikon rrënime e humbje të gjërave që njeriu i harron që i ka pasur. Ngjarjet e kaluara janë të vetmet që sot analizohen e simulohen vetëm për të arritur përfundimin që dihet, se dëmet kanë qenë më të shumta sesa të mirat qē ato kanë mundur të sjellin, por, edhe se pa ‘to asgjë, as historia, nuk do të kishte qenë e mundur të ndodhte.