
Arif Murrja
Në një majë shkëmbore buzë lumit Drin të Zi, në hyrje të fshatit Hotesh të Dibrës, aty ku rrjedha e lumit është herë relaksuese, herë e zhurshme dhe herë agresive; aty ku historia përplas kohët, qëndron ende e gjunjëzuar Kulla e Elez Murrës. Dikur zemra e rezistencës së Luznisë, sot ajo rri duke “rënkuar”, me plagë të hapura prej dhjetra dekadash si pasojë e moskujdesjes. Nga kjo kodrinëz shkëmbore kontrollohen të gjitha hyrjet për në fshat dhe kulla duket sikur komunikon në heshtje me Kodrën e Kalasë, të njohur si Kodra e Kalasë së Qytezës.

Foto të bëra nga Edmond Hasani para vitit 2016


Foto të bëra nga Erzen Murja ne vitin 2020
Përshkrimi i figurës së Elezit nuk mbështetet vetëm në kujtesën popullore. Shkrimtari dibran dhe mbledhësi i parë i folklorit të krahinës së Dibrës, Haki Stërmilli, e ka trajtuar Elezin si një nga shtyllat e rezistencës në Nëntë Malet e Dibrës. Edhe pse i emëruar formalisht nga Perandoria Osmane si Kreu i Malit të Luznisë, njësoj si krerët e tjerë të maleve, Elez Murrja nuk u pajtua me reformat e saj, duke u rreshtuar hapur në mbrojtje të dheut të Luznisë dhe të të drejtave të banorëve të maleve. Këtë qëndrim të palëkundur e kanë dokumentuar më pas studiuesit Munir Shehu dhe Hazis Ndreu, të cilët e pasuruan tablonë historike të figurës së Elezit, duke ndalur veçanërisht te roli i tij në Kuvendet e Maleve dhe në përballjet me pashallarët osmanë, duke i dhënë kështu peshën e merituar në historinë e Dibrës.



Elez Murrja Isuf Murrja
Kjo frymë qëndrese nuk u shua me Elez Murrën. Ajo u trashëgua dhe u përforcua nga i biri, Isuf Murrja, i cili mori mbi supe jo vetëm drejtimin e Malit të Luznisë, por edhe barrën e rëndë të përballjes së drejtpërdrejtë me dhunën osmane. Vrasja e tij barbare nga xhandarmëria turke, me prerje koke dhe ekspozim publik të trupit, tronditi mbarë Dibrën dhe ndezi një reagim të paprecedentë. Hakmarrja e organizuar nga djemtë e Isufit, e mbështetur gjerësisht nga luznakët dhe dibranët në betejën e Qenokut, u kthye në një akt rezistence me jehonë përtej krahinës, deri në Stamboll, duke e shndërruar Isuf Murrën në simbol të gjakut të derdhur për liri dhe dinjitet.
Në këngët popullore, kjo vijimësi e qëndresës ngrihet si figurë e pathyeshme, ndërsa në kujtesën e krahinës Elezi dhe Isufi mbeten njerëzit që e mbajtën pushkën mbi krye vetëm për mbrojtjen e Luznisë dhe Dibrës. Pikërisht kjo histori e mishëruar në qëndrim, sakrificë dhe gjak, ka pasur një adresë konkrete: Kullën e Elez Murrës. Mirëpo sot, ajo “kullë me 12 qoshe e tre pode”, simbol i autoritetit, i rezistencës dhe i mbrojtjes së të drejtave të malësorëve, po shembet. Me rrënimin e saj, po zhbëhet nga themelet jo thjesht një ndërtesë, por një faqe e lavdishme e historisë së Dibrës, e shkruar me qëndresë brezash.
Kjo kullë nuk e njohu dorën e armikut. Por po e rrëzon heshtja jonë.
Në periudhën socialiste, u braktis nga pinjollët biologjik të Elezit për një jete më të mirë në Tiranë. Që atëhere mbeti në mëshirën e fatit. U përdor nga të pastrehët dhe më pas u përdor si stallë për bagëti. Muret e saj të trashë, që dikur mbroheshin nga pushka e Elezit dhe e luznakëve, u çanë nga shpërfillja njerëzore e mesuesve të historisë, e institucioneve të kulturës, e vetë banorëve të fisit Murrja. Arkitektuara e saj është unike, nuk ngjason me asnjë kullë tjetër në Dibër. Ndryshe nga kullat e tjera të zonës, ajo u ndërtua si kullë-rezidencë, me funksion drejtues dhe mbrojtës, duke reflektuar vizionin e Elez Murrës.Kozmetika e historisë nuk mjafton për ta ruajtur atë; duhen punëtorë, duhen vizione, duhen njerëz që nuk e lënë suksesin e të parëve të transformohet në rrënojë.

Disa dibranë të respektuar nuk e kanë harruar: Aqif Doku (poeti i vjetër) ka gjetur frymëzim dhe ka thurur vargje, po ashtu edhe poeti i ditëve të sotme Malet e Dibrës; Emrie Skuka në librin e saj Sinoret e Luznisë, i bën jehonë Elezit dhe djalit të tij Isufit: Edmond Hasani ka shërndarë foto të kullës, duke i ruajtur kujtesën vizuale, po ashtu edhe pasionati Erzen Murrja; Abdurahim Ashiku (gazetar i vjetër) dhe Dr. Selman Meziu ngritën zërin kundër zhdukjes së saj, sidomos në kushtet e ndërtimit të HEC Skavica; Afrim Shehu ditët e fundit e ringjalli përmes vizualizimit dixhital, që të shohim se çfarë jemi duke humbur. Ndjesë nëse kam harruar dikë.


Punuar ne IA nga Afrim Shehu
Por zëri i tyre është ende i pakët për të zgjuar shtetin.
Kulla e Elez Murrës është një provë e gjallë se historia ka themele; ajo nuk është vetëm një monument lokal, por kujtesa e një rezistence që duhet t’u tregohet brezave, një dëshmi se liria nuk na erdhi dhuratë, se tokën nuk e trashëguam falas dhe se dikush dhe disa luftuan kur pushtuesi trokiste tek dera.
Është koha që Ministria e Kulturës, Bashkia Dibër, institucionet e trashëgimisë, si edhe akademikët e fushës, të marrin përgjegjësinë që historia ua kërkon. Ka fonde europiane, ka programe restaurimi, ka mundësi konkrete – duhet vetëm vullnet dhe punë.
Nëse sot heshtim, nesër do të mos kemi ç’të shpëtojmë.
Kulla rri gjunjëzuar, e heshtur në majë të shkrepit buzë Drinit. Por ajo heshtje nuk është dorëzim. Është thirrje!