Nga Faik Konica/
“Kur vajta me 1913 ne Shqiperi per te shikuar per s’afermi punet, zbulova me hidherim se shumica e madhe e popullit jo vetem qe nuk i shihte me sy te mire idealet t’ona te nje Shteti te perparuar, po s’pelqente as ndihmen qe po na jipej nga rastet dhe nga bamiresit e fuqive te’Evropes. Eshte per cudi dhe gje fare e vertete, se shumica e madhe e popullit te Shqiperise e priti dhuraten e dhene me moskenaqesi, me thartesira dhe me sy te zgurdulluara nga prapamejtime: qe u duk pak me vone nga kryengritjet qe u bene njera-pas tjatres. Duke qene punet ashtu, u kuptua shpejt se qe te mbetej Shqiperia si nje Shtet me vete dhe populli te mbahej me zor i bashkuar qe te hynte ne udhen e disiplines, te punes dhe perparimit, e vetmja fuqi e duhur ish dora e hekurt po shpetimtare e nje diktaturi. Kujtuam nje kohe se diktatorin e gjetem ne personin e Esad Pashe Toptanit. Dhe Esadi kishte me te vertete disa zotesira per te qeverisur, po mosha e tij e shkuar nuk i premtonte ta ndryshoja mendjen e tij pas ndryshimeve te reja qe u bene ne Shqiperi, dhe ashtu fundi ish qe u larguan te gjithe dhe e lane te vetem. Me 1913, u poqa per heren e pare ne Tirane me Ahmet Bej Zogun (qe te perdorim titujt sic perdoreshin dhe zyrtarisht asi kohe). Vura re menjehere fisnikerine te bashkuar me force karakteri qe cfaqej nga sjellja edhe nga fjalet e djalit. U interesova dhe pyeta. Dhe nga sa degjova s’me mbeti asnje dyshim se fati e kish shenuar per te lojtur nje rol me rendesi ne Shqiperin e re. Ne pjekjet qe pata me vone me Mbretin Karol te Rumanise, me Kryeministrin rumun Tito Majersko, me Princin Wilhelm te Wied-it, dhe diplomatet austriake dhe italiane, u permenda emrin dhe posibilitetet e ketij te riu. Mbaj mend nje bisedim qe pata me Turhan Pashane ne Durres pasi plasi kryengritja e Shijakut dhe u rrezua Esadi. I tregoja Turhanit nevojen qe te perdoret Zogu per te zgjidhur krizen. -“Ahmed Beu eshte teper i ri “, m’u pergjigj Turhan Pashai”. -“Vertet” thash’une “Po William Pitt-i u be kryeminister i Inglise kur qe njezet e tre vjetsh, dhe ka qene nje nga me te mbedhenjte kryeministra t’atij vendi”. -“Si fjaloseni keshtu”, me thote Turhan Pashai, – “Mund te barabitim me Pitt-in nje te ri te panjohur?” -“Nuk bej barabitje” u pergjigja une, – desha vetem, me kete shembell, ku ju permend se atje ku ndodhet zotesia, versa s’munt te jete dhe s’duhet te jete pengim”. Me kete menyre, vazhdova se perhapuri mendimin se do t’ish mire, ne dojim te kishim nje Shqiperi te bashkuar dhe te lire, ta perkrahnjim Zogun te merrte nje dite fuqine, se ay kish pervec zotesise dhe kater te mira qe i mungojin Esadit: kuptimin e ndodhjes se re ne Shqiperi pas ndarjes nga Turqia, ndjenjen e kombesise, te mos beret ndryshime ne mes Toskesh e Gegesh, dhe me ne funt deshiren per ta pare Shqiperine ne shkalle Shteti t’organizuar. Noli u bashkua ploterisht me mua ne besimin qe Shqiperia s’munt te qendroje me kembe pa nje diktatori, dhe qe Zogu duket njeriu i duhur per kete rol. Gjurmat e ketyre mendimeve munt t’i gjeni ne shtyllat e “Diellit” ne kohen e luftes dhe pastaj, ku Zogu lavdohet si nje hero, si nje idealist, si nje udheheqes qe munt te barabitet me Anglo-Saksonet, e tjera. Disa nga keto lavdata jane te shenuara nga Fan Noli vete. Kjo politike vazhdoj gjer me 1921 dhe pertej. Me 1922, Fan Noli zuri te lidhet me grupin e Gurakuqit, dhe menjehere mendja e tij e ceket hyri ne nje udhe te ndryshme. Fan Noli filloj te na jape lajme jo te pelqyera per Zogun: qe ky ish bashkuar me reaksionaret, qe ish armik i nje Shqiperie sic e duam ne, qe ka humbur tere influencen, qe s’ka asnje zotesi, qe ushtria anon me “liberalet”, qe duhet ta ftohim popullin ca me teper nga Zogu, e tjera. Une me shoket e Vatres, sic e desh logjika, sic e desh disiplina e grupit t’one, pasqyruam te “Dielli” politiken e re te perfaqesonjesit t’one ne Shqiperi, perfaqesonjes i cili kohet e fundit nuk ish tjater gje, vec se fonografi i Gurakuqit, gjer sa me ne funt dolli sheshit dhe komitaxhi duke shkelur tere programin t’one dhe gjithe idealet tona. Fundi qe nje ckaterrim dhe nje maskarallek pa emer. C’munt te bejim? Dy udhe qene te hapura per ne: vazhdimi i perkrahjes se maskarallekut gjer sa te behej gjak dhe te prishej Shqiperia, – ose te kthyerit ne politiken e pare te Vatres, e cila ka qene te venet perpara te Zogut si kryetar i duhur i Shqiperise. Zume udhen e dyte. Le ta shkurtojme tani ne tre fjale ato qe thame: 1) Fan Noli, une, me Vatren dhe me shoket, qe me 1914 gjer me 1922, kush me shume dhe kush me pake kemi mprojtur mendimin se Shqipera, qe te shtrohet, qe te stabilizohe, e te hyje ne udhen e reformave te qyteterimit, ka nevoje per nje dore te hekurt dhe si ajo dore eshte Ahmed Zogu. 2) Fan Noli, nen influencen e Gurakuqit, dhe me vone nen influencen e frymes bolshevike, u bint dhe na bindi se Shqiperia munt te qendroj ne kembe pa Zogun dhe kunder Zogut. Ngjarjet i dhane pergenjeshtrimin me te plote, dhe Shqiperia u shpu nje qime afer varrit. 3) Une me shumicen e shokeve u kthyhem ahere (ndonese me cape te ngadaleshme se na vinte keq te ckeputeshim fare nga Fan Noli) te programi i vjeter i permbledhur me siper nene numrin 1, kurse Fan Noli u fut thelle e me thelle ne rebelione kundra Shtetit e n’intriga revolucionare. Munt ta vazhdojme bisedimin ne nje numer t’aferm. Po i kemi hedhur ketu mjaft ushqim per mejtim djemurise se kthjellet (se sa per mejhanexhite, maqedhonasit dhe te tjere vagabonde qe tallen fshehtazi me Shqiperine, s’bejme kabull as t’i degjojme) s’di ose harron, por duhet se ketej e tutje ta marre ner sy se Presidenti Zogu nuk eshte heroi i ri i Vatres, por ka qene hero i vjeter i kesaj organizate, i neveritur me 1922-24 nga intrigat e Gurakuqit dhe nen influencen e bolshevismes. Dhe ne qofte se esht e zonja te mejtoje duke thelluar, djemuria e kthjellt le ta gjykoje kush u kthye nga udha-Fan Noli apo une?
(Arkiv- Gazeta “Dielli”, 6 maj 1926)