-Është fjala për flamurin e Shoqërisë Sinicare “Përparimi” me qendër në Çikago-
Nga Fuat Memelli-Boston
Këto ditë isha në shtëpinë e Peshkop Ilia Ketrit në Boston, për t’i marë një intervistë për dokumentarin e Sinicës, fshati ynë i përbashkët. Krahas të tjerave, ai më tregoi edhe flamurin që shikoni në foto, i cili është i Shoqërisë Sinicare “Përparimi” me qendër në Çikago. I përket vitit 1929, kur edhe është themeluar shoqëria. Ishte një surprizë e bukur për mua të shikoja e të prekja flamurin e sinicarëve të parë që erdhën në Amerikë. Në foton e tyre, ku janë gjithësej 30 veta, anash janë flamuri amerikan dhe shqiptar, ndërsa në mes është flamuri i shoqërisë. Një koncepim vërtet i bukur! Por, si u gjet ky flamur? Ka historinë e vet ai. Atë na i tregon Peshkop Ilia.-Kohët e fundit duke kontrolluar arkat me disa materiale familjare që kishim në shtëpi, gjeta këtë flamur. U gëzova pa masë , pasi kisha gjetur flamurin e Shoqërisë Sinicare “Përparimi”., pjesëtarë të së cilës kanë qënë edhe të afërt të mi. E lava, hekurosa dhe u bë si i ri. Trifon Sotua, i gjeti një mbajtëse dhe u bë për bukuri.
Ka ditë që krahas flamurit amerikan e shqiptar, në shtëpinë e Ilias është edhe ky flamur. Duke folur me të për historinë e flamurit, ai thotë se duhet t’i jetë dorëzuar babait të tij, Sotir Ketri, nga kushëriri i vet i parë, Kristo Cicani, i cili gjithashtu ishte në Amerikë dhe qe një nga veprimtarët e asaj shoqërie. Babai duhet ta ketë vendosur në një arkat e shtëpisë dhe kështu u gjet rastësisht.
Duke parë me kujdes flamurin, ve re se ai ka datën e themelimit të shoqërisë, që është 3 nëntor 1929 dhe qytetin Akron, në shtetin Ohio të Amerikës. Ka gjithashtu të fiksuar edhe Çikagon, si qendër të shoqërisë. E pyes Ilian edhe për dy qytetet që gjenden në flamur dhe ai më shpjegon :-Shoqata është krijuar në fillim në qytetin Akron të Ohios, pasi aty u sistemuan një pjesë e mirë e sinicarëve kur erdhën nga Shqipëria. Aty e krijuan edhe shoqërinë. Më vonë shumica e tyre shkuan në Çikago dhe aty mbeti qendra e shoqërisë. (Dua të theksoj se dy vjet më parë e konkretisht në vitin 1927, në Sinicë ishte krijuar Shoqëria Sinicare “Lulëzimi, e cila kishte si objekt përparimin e fshatit dhe mbrojtjen e pronës së fshatarëve, pyjeve, kullotave, etj.) Sivjet mbushen 90 vjet nga krijimi i Shoqërisë Sinicare “Përparimi”. Ata që e krijuan, nuk jetojnë më, por jetojnë pasardhësit, jeton kujtimi i tyre. Nuk harroet kontributi që ata dhanë për vendlindjen. Me kontributin e tyre u ndërtua godina e shkollës, u bënë kalldrëme, çezma, ura, etj, krahas disa shtëpive të reja që ndërtuan për familjet e tyre në fshat.
Pas viteve 90, në Amerikë dhe sidomos në Çikago erdhën disa familje sinicare. Duke ecur në gjurmët e të parëve të tyre, ata vazhduan të kontribuojnë për fshatin. Kështu ata dërguan fonde për murin e kishës si dhe këmbanaren e saj, e cila ishtë dëmtuar në vitin 1967, si shumë objekte të tjera fetare. Vitet e fundit , kontribuan për rikonstruksionin e shkollës e kthimin e saj në muze, tok me shumë sinicarë të tjerë që janë në Amerikë, Greqi, Kanada dhe Shqipëri.
Kur të shkojë në Çikago, Peshkop Ilia Ketri, do ta çojë flamurin aty ku e ka patur “folënë” për shumë vite. Në nëtor, kur mbushen 90 vjet nga krijimi i Shoqërisë Sinicare “Përparimi”. Mendoj se sinicarët e atyshëm që kanë edhe shoqatën e tyre, duhet ta përkujtojnë këtë ngjarje të shënuar. Pse jo, edhe sinicarët në Shqipëri mund ta përkujtojnë. Kështu mbahet gjallë një “copëz” historie. Ky do të jetë edhe një homazh për të kujtuar të parët e tyre si dhe një nxitje për të vazhduar kontributin për vendlindjen, zëri i të cilës na thërret të gjithëve.