
Dr. Ervin Kujtila/
Nga pikëpamja gjeografike, lugina e Shkumbinit ka shërbyer që në kohët prehistorike si një nga rrugët më të përshtatshme natyrore, që ka mundësuar komunikimin ndërmjet pjesësbregdetare të Shqipërisë dhe brendësisë kontinentale të Ballkanit. Duke filluar nga grykëderdhja e Shkumbinit në Adriatik e deri në Elbasan,terreni që përshkon ky lum është fushor, kjo ka bërë të mundur që të dyja anët e lumit të përshkohen shumë lehtë, dhe nga ana tjetër nuk ka asnjë pengesë natyrale për kalimet e rrjetit rrugor, qoftë nga veriu apo edhe nga jugu. Ndërsa në segmentin nga zona Peqin – Elbasan deri në Mokër, Shkumbini kalon nëpër një terren më të thyer me karakter kodrinor e malor dhe rruga ndonjëherë, u ngjitet qafave ndërmalore. Përgjatë luginës së këtij lumi, veçanërisht në pjesën kodrinore e malore të saj, janë vendosurnjë numër i madh fortifikimesh prehistorike, që kanë tërhequr prej kohësh vëmendjen e studiueseve të ndryshëm.
Megjithatë, deri në vitet 60’ të shekullit të kaluar lugina e Shkumbinit përfaqësonte një hapësirë krejtësisht të panjohur në fushën e kulturave arkeologjike në përgjithësi dhe fortifikimeve prehistorike në veçanti.
Nga sa dimë studiuesi i parë që i përmend fortifikimet e luginës së Shkumbinit është “Mësuesi i Popullit” Shahin Zharri. Atij i takon merita e zbulimit të mjaft fortifikimeve prehistorike të zonës së Librazhdit, disa prej të cilave u bënë edhe objekt studimi edhe më i thelluar. Sipas tij në këtë luginë gjenden 23 fortifikimet prehistorike.
Në këtë rajon janë bërë disa ekspedita përnjohëse dhe vrojtime sipërfaqësore nga studiues të mëparshëm, që kanë evidentuar ekzistencën e disa fortifikimeve prehistorike të datuar në atë kohë në periudhën e Hershme të Hekurit(Qukës Skëndërbe). Përpjekja e parë për evidentimin e këtyre fortifikimeve daton relativisht herëtdhe i referohetvitit 1967, kur në luginën e Shkumbinit kryhet një survei sipërfaqësor nga N. Ceka.
Interesi për të gjurmuar gjurmët e rrugës antike të luginës së Shkumbinit u materializuar nga një ekspeditë përnjohëse nga Ceka dhe Papajani në vitin 1971. Po në këtë vit ai ka ndërmarrë një ekspeditë për të gjurmuar fortifikime të vona antike pranë rrugës Egnatia. Nga këto vrojtime sipërfaqësore u grumbullua një material interesant i cili i ka shërbyer studimeve të më vonshme të kësaj lugine.
Në vitet 1972 – 74 N. Ceka kryen gërmime sistematike nëvendbanimin paraqytetar në gradishtë të Belshit. Gjithashtu u kryen gërmime arkeologjike në qytetin e Selcës së Poshtme, në krahun e majtë të kësaj lugine, gërmime që sollën të dhëna të reja për studimin e kulturës së luginës së Shkumbinit në periudhën parahistorike dhe periudhën qytetare ilire. Gjithashtu në një botim të kohët e fundit N. Ceka i kthehet fortifikimeve prehistorike të luginës së Shkumbinit dhe bën rivlerësim kronologjik përmbajtsor të tyre.
Më vonë një kontribut të rëndësishëm në ndihmesë të hartës arkeologjike të rrethit të Librazhdit kanë dhënë studiuesit A. Koka, I. Gjipali, L. Papajni, V. Shtylla, Dh. Ristani, R. Hasa dhe kohët e fundit edhe S. Muça. Gjithashtu wshtw realizuar dhe projekti: Via Egnatia (Albania) Project. Mjaft të rëndësishme konsiderohen gërmimet arkeologjike të viteve 1987-1989 në Lleshan (Elbasan) nën drejtimin e R. Hasa pjesën e akropolit dhe në lugun midis dy kreshtave. Sipas autorit të gërmimeve përcaktuan dy periudha banimi, Lleshan I që lidhet me fortifikimin, datohej në fund të periudhës së vonë të Bronzit dhe në fillim të periudhës së Hekurit dhe Lleshan II që i përket periudhës qytetare ilire.
Në kuadër të programit të studimeve doktorale, me qëllim përftimin e të dhënave më të plota kronologjiko–kulturore mbi fortifikimet prehistorike të luginës së Shkumbinit, gjatë viteve 2018–2019 dhe 2024(gërmimet u drejtuan nga Dr. Ervin Kujtila), u zhvilluan gërmime arkeologjike me karakter sondazhi në fortifikimet e Dragostunjës, Orenjës dhe Zdranjshit. g. Këto gërmime sollën një sërë të dhënash të rëndësishme mbi sistemet fortifikuese, si dhe mbi karakterin stratigrafik e kronologjik të depozitimeve kulturore, veçanërisht në qytezat e Orenjës dhe të Zdranjshit.
Rezultatet e arritura nga këto sondazhe pasurojnë ndjeshëm panoramën e kërkimeve mbi fortifikimet prehistorike të rajonit, duke sjellë informacione të reja dhe duke e bërë më tërheqëse çështjen e studimit të tyre. Veçanërisht i rëndësishëm është fakti se për herë të parë në Orenjë dhe në Zdranjsh janë evidentuar depozitime kulturore të Bronzit të Hershëm, të mbuluara nga shtresa kulturore të Bronzit të Vonë. Fenomene të ngjashme janë dokumentuar edhe në disa fortifikime të tjera prehistorike në Shqipëri, si në Kukum (Himarë) dhe në Ganjollë (Shkodër).
Të dhënat stratigrafiko–kulturore të përftuara nga këto gërmime kanë mundësuar ndërtimin e një pamjeje më të qartë mbi karakterin dhe funksionin e vendbanimeve të fortifikuara gjatë periudhës prehistorike. Një pjesë e këtyre fortifikimeve ruajnë gjurmë të sistemeve mbrojtëse të periudhave më të vona historike.
Në përgjithësi, fortifikimet prehistorike të luginës së Shkumbinit janë ngritur në mjedise të favorshme natyrore, të pasura me burime bujqësore dhe kullota, të cilat përbënin bazën kryesore të ekonomisë së komuniteteve vendase.
Të dhënat arkeologjike të siguruara brenda këtyre vendbanimeve dëshmojnë gjithashtu për një veprimtari të kufizuar zejtare, e cila plotësonte nevojat e përditshme të popullsisë. Vendbanimet e fortifikuara bashkëjetonin me një numër vendbanimesh të hapura fshatare në zonat përreth, duke formuar njësi të caktuara ekonomiko–shoqërore, të ndërlidhura ndërmjet tyre.