Nga Prof. As. Dr. Enver Bytyçi/
Në historinë tonë kombëtare brezat kanë lënë një trashëgimi të pashtershme, e cila i frymëzon shqiptarët në udhën e lirisë, demokracisë dhe prosperitetit. Ndërsa periudha e dekadave të fundit të shekullit XX ishte për Kosovën koha e rilindjes së saj, për shkak se djemtë dhe vajzat e Kosovës u shkolluan dhe mësuan se nuk mjafton vetëm pushka për ta fituar lirinë. Ndër këta më të spikaturit ishte padyshim Gani Azemi, një personalitet politik, diplomat, gazetar, veprimtar i shquar dhe pse jo edhe krijues e poet i talentuar. Gani Azemi lindi më 1951 në fshatin Babush, afër Gadimes së njour në Kosovë për shpellën e saj të famshme me kristalet e mrekullueshme. Ndoshta këtu, ku dhe mbaroi studimet e para, ai u formua si idealist i kristaltë, me shpirtin e lirisë dhe dashurinë e pakufishme për vendin e tij, Kosovën. Mbaroi normalen e Ferizajt e më pas universitetin e Prishtinës. Ai ishte vetëm 17 vjeç kur u përfshi në protestat dhe demonstratat e vitit 1968 për “Kosovën Republikë” dhe natyrshëm një protestues i kësaj moshe nuk mund ta tradhëtonte veten e tij në asnjë moshë tjetër. Prandaj nuk iu nda veprimtarisë patriotike për një Kosovë të lirë e të pavarur, derisa nën presionin e forcave të sigurisë e të shërbimit të fshehtë serb u detyrua më 1978 të arratiset nga vendi e të kërkonte azil në Bruksel. Eshtë interesant fakti se kur Ganiu u arratis nga Kosova në Perendim po kryente shërbimin ushtarak në armatën jugosllave. Të guxoje të ikje nga ai shërbim ishte një guxim i dyfishtë, që shprehte veç tjerash vendosmërinë e tij për të sfiduar regjimin e Beogradit në Kosovë. Një sfidë, të cilën pak njerëz e kanë realizuar. Dhe për këtë arësye Gani Azemi ishte në shënjestër të goditjeve dhe të atentateve të UDB-së. Shërbimi sekret serb nuk mund të pranonte këtë sfidë, si dhe devotshmërinë dhe punën atdhetare të tij me qëllim lirinë e shqiptarëve në Kosovë. Prandaj u përpoq që ta likuidontë atë fizikisht, siç kishte bërë me patriot të mëdhenj të asaj kohe si Jusuf e Bardhosh Gërvalla (1981) apo Enver Hadrin më vonë (1990). Ai u largua dhe dezertoi nga ustria jugosllave pas një dhune e torture të zgjatur në kohë, për ç’shkak ishte dobësuar dhe do të përballes edhe me ndonjë sëmundje. Ashtu, I dobët, por me vullnet të fortë Ganiu i tha “JO” shërbimit ushtarak, i tha “JO”, torturës e dhunës fizike e psikologjike të regjimit të Beogradit. Gani Azemi u shfaq në Bruksel asokohe jo si një punëkërkues, por si një luftëtar lirie. Shpirti i lirisë ishte dhe shpirti i Kosovës, e cila pak më vonë do të bëhej përsëri pre e dhunës dhe terrorit serb. Ndodhën ngjarjet e vitit 1981, të krahasueshme me ato të vitit 1968, dhe Prishtina e qytete të tjera të vendit u pushtuan nga tanket, ushtria dhe policia federative e Jugosllavisë (saktësisht Serbisë). Zoti Azemi prej këtij momenti organizoi mërgatën e Brukselit, më pas të të gjithë shqiptarëve në Belgjikë e më vonë me ndikim tek e gjithë mërgata në Europë e deri në Amerikë, për të denoncuar dhunën shtetërore të Beogradit në Kosovë. Denoncimi i atyre veprimeve antihumane e antishtetërore ishte një detyrë parësore për shumë arësye. – Sepse Serbia ishte shfaqur para opinionin europian si viktima e shqiptarëve dhe e kombeve të tjera në Ballkan dhe me evidentimin e dhunës serbe e denoncimin e saj, ajo do të shihej me sytë e një realiteti ekzistues. – Sepse shqiptarët, ata në Shqipëri dhe shumë shqiptarë të Kosovës në diasporë nën ndikimin e ideologjisë komuniste hoxhiane, u shfaqën në opinionin perendimor si nacionalistë, si njerëz problematikë, që duan të ndryshojnë hartën e Ballkanit me dhunë. Ky qëndrim i Shqipërisë pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën, duke thirrur në ndihmë të pushtetit nacionalizmin e përforcoi përceptimin se “serbët janë vërtet viktima të shqiptarëve”. Në vend të ankoheshin shqiptarët, ankoheshin serbët, në vend që shqiptarët të qanin për varret që hapeshin, ata mburreshin me heroizmat e tyre dhe me dëshmorët fiktivë të tyre, duke e ndihëmuar procesin e viktimizimit të Serbisë e të serbëve. Me përkushtimin e jashtëzakonshëm të tij, Gani Azemi punoi me mish e me shpirt për bashkimin e diasporës shqiptare në botën e Perendimit dhe për këtë qëllim bashkëpunoi ngushtë me shumë patriot të tjerë me emër, si Jusuf Gërvalla në Gjermani e Hysen Gërvalla në Zvicër. Në këto përpjekje ai u shpreh gjithnjë kundër indoktrinimit të shqiptarëve me ideologjinë komuniste, që vinte si propagandë e regjimit komunist të Tiranës. Sipas tij “nuk fitohet përkrahja e botës demodratike me parulla komuniste, por vetëm duke kërkuar mbrojten e të drejtave të njeriut dhe të popullit për shqiptarët të Kosoves”. Duket se Deklarata e të Drejtave Universale të Njeriut si dhe zhvillimet që kishte marrë mbrojtja e këtyre të drejtave pas Konferencës së Helsinkit kishin shënuar një ndikim të jashtëzakonshëm te ai. Bashkatdhetarët e tij mërgimtarë e mbajnë mend Gani Azemin si një personalitet me cilësitë e një njeriu të mençur e të urtë, karizmatik e më një zë të fuqishëm si vocal e në përmbajtje, si një intelektual që ushqente besim, krijonte atmosferë entusiazmi dhe dëshmonte fuqinë e mendimit të tij patriotic e demokratik. Vokali i tij ndoshta ishte i trashëguar nga babai, i cili ishte një imam (hoxhë) I zoti në fshatin e tij të lindjes. Gani Azemi nuk u tundua nga kjo lloj megalomania, u tërhoq nga vetëmburrja. Ashtu i qetë, paqësor, dukë prodhuar gjithnjë energji positive ai iu ngjiz jo vetëm fakteve, ngjarjeve, të dhënave, argumenteve që prodhonte sidomos grupi për të Drejtat e Njeriut, të cilin ai e drejtonte bashkë me Enver Hadrin, por i tillë u shfaq para bashkëbiseduesve europianë. Rastësisht ose jo ai jetoi dhe militoi në kryeqytetin e Europës së Bashkuar. Aty gjeti bashkëbisedues të shumtë, me të cilët kontaktoi çdo ditë e çdo orë, duke ndarë me ta ngjarjet e Kosovës, sidomos dhunën e terrorin serb që ushtrohej mbi shqiptarët. Nuk u ndal asnjë moment dhe punoi me përkushtim në marrëdhënie të ngushtë me politikanët e diplomatët europianë të Brukselit, me median europiane, me personalitete të kulturës dhe shkencës. Bashkëshortja e tij, Mejreme Azemi, e cila është ende sot e angazhuar me shtypin dhe medien në Bruksel, u bë një mbështetje e jashtëzakonshme për Gani Azemin, duke krijuar kështu një çift të aftë e të suksesshëm në përpjekjet e mundimshme në ndihmë të çeshtjes kombëtare shqiptare. Natyrisht që dalja e Dr. Ibrahim Rugova ne skenën politike dhe të lidershipit të Kosovës krijoi një hapësirë të re për përpjekjet e vazhdueshme të diasporës shqiptare në ndihmë të çlirimit të vendit nga sundimi e dhuna e Serbisë. Duhet thënë se diaspora e shqiptarëve të Kosovës mund e duhet shënuar si kontribuesja kryesore e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, edhe për shkak të pamundësive për të vepruar në territorin e saj. Gani Azemi kishte shumë arësye të ishte në një linjë me Rugovën e të bëhej krahu i djathtë i tij në kryeqytetin europian, ku vendimmarrja ishte shumë domethënëse për lirinë e shqiptarëve. Ai kishte një profil të lartë intelektual, kishte kapërcyer, ashtu si edhe Rugova, nëpër shumë realitete të dhimbshme për vendin, kishte marrë pjesë në barrikadat e luftës për liri, kishte një përvojë të gjatë të luftës “guerile” kundër pushtetit e dhunës serbe në Kosovë. Nga ana tjetër kishte një temperament të qetë, e urrente protagonizmin, por punonte fort për të informuar botën demokratike për çka po ndodhte në Kosovë. Ai ishte i urtë, i kthjellët, karakteristika këto që i pëlqenin liderit historik të Kosovës. Për të gjitha këto arësye mund të thuhet se Rugova dhe Gani Azemi u mirëkuptuan që së paku në Bruksel të plotësonin njëri-tjetrin. Nëpërmjet Gani Azemit Ibrahim Rugova ishte çdo ditë i pranishëm në Parlamentin Europian e në Komisionin Europian, por edhe në Këshillin e Europës. Ai u bë urëlidhëse midis Prishtinës e Brukselit si dhe mbështetja kryesore e Ibrahim Rugovës në ndërtimin e promovimin e çeshtjes shqiptare të Kosovës në Bruksel. Dhe jo vetëm në institucionet europiane, por edhe në selinë e NATO-s Gani Azemi u gjend kurdoherë si bashkëbisedues dhe ndërlidhës i politikave të lëvizjes çlirimtare të Kosovës me interesat, konjukturat dhe rrethanat në të cilat duhej të vepronte Aleanca e Atlantikut. Nëse ka patur ndonjë lidhje të qëndrueshme e të pakompromis për lirinë e Kosovës midis dy personaliteteve, si dhe midis Kosovës dhe Europës, midis Prishtinës dhe Brukselit, kjo lidhje padyshim mund ta marrë emrin si lidhja midis Dr. Rugovës dhe Gani Azemit. Në këtë mënyrë zoti Azemi u bë “ambasadori” i parë i presidentit Rugova në Bashkimin Europian, u formua praktikisht e teorikisht si një diplomat i klasit të lartë, u shqua për një marrëdhënie miqësore, mirëkuptimi e kompromisi me partnerët e tij të politikës dhe diplomacisë euripiane e euro-atlantike, duke shkuar hap pas hapi te krijimi i bindjes se “Kosova vuan një regjim aparteidi”, dhe se “duhet dalë nga kjo situatë dhune e terrori të pandërprerë të regjimit të Milosheviçit”. Sa më shumë shtohej terrori serb në Kosovë, aq më shumë i rriste Gani Azemi kredencialet e vendit të tij dhe përçonte argumentet e ndërhyrjes nga jashtë për zgjidhjen e konfliktit. Por edhe kur lindi UÇK, ai me shumë maturi e largpamësi dalloi se lëvizja paqësore e Dr. Rugovës dhe Lëvizja e Armatosur për Çlirimin e Kosovës ishin dy aleatë të pandashëm për lirinë e saj. Qenë shumë pak ata njerëz që Luftën dhe UÇK-në e kuptuan dhe e interpretuan si të tillë, si zgjatim i përpjekjeve të shqiptarëve për liri e pavarësi, fillimisht përmes lëvizjes paqësore active të refuzimit të regjimit serb në Kosovë. Ndër ta spikati Gani Azemi, duke dhënë mesazhin e bashkimit të shqiptarëve në luftën kundër përpjekjeve të Milosheviçit për asgjësimin e tyre. Pas Luftës Gani Azemi thjesht iu gëzua çlirimit të Kosovës dhe mbeti gjithnjë besnik i vijës së urtë e filozofisë përbashkuese të presidentit Rugova. Ndërsa pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, qeveria e Kosovës e emëroi Gani Azemin si këshilltar-Ministër në ambasadën e saj në Bruksel. Nuk e di nëse do të gjendej apo u gjet ndonjë diplomat tjetër si ai për ta përfaqësuar Kosovën si ambassador në kryeqytetin europian! Por ky aspekt nuk është çeshtje që mund të trajtohet në këtë homazh me rastin e 4 vjetorit të asaj dite të dhimbshme, kur njeriu i urtë e besnik i Rugovës dhe i Kosovës ndërroi jetë. Kam pasur fatin ta njoh Gani Azemin, të bisedoj me të, madje në librin tim “Ibrahim Rugova: Filozofia politike dhe nacionale”, kam vënë disa vargje të poemës që ai i kushtoi presidentit historik të Kosovës, Dr. Rugovës. Me këtë dua të përmend faktin se Gani Azemi nuk ishte thjesht një politikan dhe diplomat, ishte gjithashtu poet, eseist, gazetar dhe një personalitet, vepra e të cilit mund të konsiderohet shumëdimensionale, para së gjithash humane e shoqëruar me vendosmërinë, përkushtimin dhe devotshmërinë e pafund për t’i dhënë Kosovës lirinë e pavarësinë e saj.