Bruksel, 25 qershor 2020– Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, gjatë vizitës zyrtare në Bruksel, ka takuar presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.
Gjatë takimit, kryeministri Hoti e ka njoftuar për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, siç është procesi i liberalizimit të vizave, menaxhimi i pandemisë të shkaktuar nga COVID 19, pakoja e rimëkëmbjes ekonomike, si dhe për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit.
Kryeministri Hoti theksoi se liberalizimi i vizave mbetet ndër çështjet më urgjente në raport me Bashkimin Evropian. Më tej, kryeministri Hoti vlerësoi se për Qeverinë e Kosovës përmbyllja e këtij kapitulli është shumë e rëndësishme, në mënyrë që qytetarët e Kosovës, sikurse edhe fqinjët e tyre, të mund të udhëtojnë lirshëm në vendet e BE-së.
***
Kryeministri Hoti u takua me Kryesuesin e Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister
Bruksel, 25 qershor 2020– Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, gjatë vizitës zyrtare në Bruksel, takimin e parë e ka zhvilluar me Kryesuesin e Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister, me të cilin bisedoi për procesin e liberalizimit të vizave dhe procesin e integrimit evropian të Kosovës.
Po ashtu, Kryeministri Hoti gjatë takimit ka biseduar për procesin e dialogut dhe zhvillimet e fundit politike, me ç’rast ka shprehur orientimin properëndimor të Republikës së Kosovës.
Kryeministri Hoti me këtë rast ka thënë se Qeveria e Kosovës është e angazhuar në avancimin e proceseve demokratike në vend, thellimin e bashkëpunimit rajonal ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, në funksion të proceseve integruese evropiane.
***
HOTI:DIALOGU NUK KA ALTERNATIVE
Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se dialogu nuk ndalet dhe se nuk ka alternativë.
Ai në një deklaratë për media, pas takimit me David McAllister, kryesues i Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian, tha se ka kërkuar nga ambasadori Richard Grenell që të shtyjë takimin e 27 qershorit në Washnigton, Kosovë – Serbi.
“Dialogu nuk ka alternativë. Ne tani kemi autoritetin e nevojshëm institucional si shtet për të tejkaluar çdo situatë me të cilën përballemi. Unë në konsultim me ambasadorin Grenell kam kërkuar që ta shtyjmë këtë takim për një ditë tjetër për shkak të zhvillimeve që kanë ndodhur. Çështjet që lidhen me drejtësinë, siç ishte vendimi i djeshëm, unë besoj që nuk duhet të diskutohen por të respektohen. Unë besoj së tanimë si Kosovë kemi maturi insitucionale për t’i tejkaluar këto çështje”, tha Hoti.