Gëzim Zilja/
Ky miku im quhet Gani Zeneli. Skelar i vjetër, i shkolluar, vlonjat puro me rrënjë e me degë. E takova rastësisht rreth një kilometër larg fillimit të shëtitores anëdetit, ulur mbi një Gur, ku aty afër derdhet një përrua. Përballë ndodhet ishulli i Sazanit dhe në krah të tij gadishulli i Karaburunit, që shtrihet si një dinosaur gjigant sa të ha syri deri në Llogora. Në të dy anët e kësaj pjesëze me gurë lulëzojnë e shtohen shezllongjet e panumërta, që në muzg dhe në agim duken si varreza luftëtarësh rënë gjatë luftrave botërore. E ngacmova miqësisht me një nga ato batutat që skelarët i kanë aq për zemër….
-U bën shumë vjet që të shoh të lahesh te ky Gur o Gano! Mos vallë e ke grabitur apo e ke privatizuar me ligjin 7501?!
Ganiu nuk ma ktheu batutën! U ngrit ngadalë në këmbë, më pa me sytë e tij depërtues dhe foli i trishtuar: – Kam mbi 20 vjet që çdo verë lahem këtu që kur na betonizuan Zhironin* tonë të dashur, atje në Skelë. Ishte një plazh familjar në kufirin që ndan dy dete, Adriatik dhe Jon. Aty pranë ishte Moli ku ankoroheshin anijet tregëtare dhe ato të peshkimit. E mbushën me beton, pa asnjë lulishte, pa asnjë pemë, një marrëzi që as të çmendurit nuk do guxonin t’a bënin. Molin e prishën dhe anijet i degdisën 20 km larg andej nga Triporti. Lë mbi këtë Gur, sandalet, një bluzë sportive dhe çelësat e shtëpisë dhe sodis një copë herë detin, para se të futem, të notoj. Për mua ky Gur është vendlindja ime, vend pushimi, meditimi, është fëmijëria ime, është vatani, atdheu im, dashuria ime e parë dhe e përjetshme. Nuk e mendoj dot jetën time pa këtë copë Guri, të më mohojnë lirinë e të drejtën të rri mbi të e të bisedoj me mikun tim të vjetër, detin e pafund. Madje dhe në dimër vij shpesh ulem mbi këtë Gur e shijoj pamjen sepse në çdo stinë e kohë Gjiri i Vlorës më qetëson e më mahnit me bukurinë e vet. Ka nja tre behare që këtij grumbulli gurësh po i vijnë rrotull pushtetarët e zagarët e të gjitha llojeve e ngjyrave, që mua më shëmbëllejnë si dikur pushtuesit turq, grekë, serb, italianë e gjermanë, që kërkojnë ta zaptojnë e të vendosin pushtetin e çadrave, të shezllongjeve e kafeneve. Grabitqarët dhe të pangopurit zhvasin metra të tëra ashtu tinëz në këtë pjesëz që sa vjen zvogëlohet e ngushtohet. Kjo për mua do të thotë të më përzenë përfundimisht nga vendlindja, nga shtëpia, nga deti e të mbetem pa atdhe. Se më tutje nga të gjitha anët, atdheu im është parcelizuar, privatizuar, kollofitur e përlarë nga zagarë, banditë e qeveritarë e më duhet të paguaj të hy në ato vende të bekuara: ku jam lerë/ ku jam rritur me thërrime/ ku kam folur gjuhën time/ ku kam dashur mëm’ e at’/ ku më njeh ky Gur i that’/ ku rroj me gaz e shpresë /ku kam dëshirë të vdes,- citoi me një frymë Ganiu, Çajupin e Pavdekshëm. – E kupton apo jo se ç’po të them. Të më përzënë e pengojnë të hyjë në shtëpinë time nëse nuk paguaj. Madje dhe hapsira midis dy pallateve ku banoj është privatizuar e bërë parking me pagesë nga pronarët e një hoteli luksoz aty pranë. Atëherë çfarë duhet të bëj unë po ma morën dhe këtë Gur? Të mbetem vend-vidhisur në dheun tim?! Mos e dhëntë Zoti! Portin e Durrësit, të Vlorës, vendet më të bukura në Himarë, Dhërmi, Palasë, Ksamil, Butrint, e gjetkë i shitën ose i dhanë me qera. Kafsho këtu e kafsho atje me ata sojzëzë prokurorë e gjykatës dhe me VKM-ët e qeverisë u kanë lënë pronarëve legjitimë ndonjë rrip toke sa për sherr e shamata, që të vriten me njëri-tjerin e vëlla me vëlla. Ua grabitën pronarëve shekullorë të atyre anëve dhe kanë ngritur mbretëritë e betonit, duke shkatërruar natyrën e duke shtruar rrugë pa rrugë e ngritur rezorte që nuk kanë të bëjnë me turizmin sepse janë qendra banimi ose pushimi për të pasurit. Tani i janë vërsulur Borshit ta gllabërojnë, tjetërsojnë e betonizojnë me lloj-lloj investitorësh strategjikë të emëruar nga qeveria shqiptare. Ama nëse ma prekin këtë Gurin këtu, tre metra larg vijës së ujit atëherë do të bëj atë aktin ekstrem: do ta mbroj me çiften e vjetër të gjahut që e kam me leje. Ta provojnë po deshën të venë dorë në këtë copëz anëdeti: do t’ia zbraz çiften në kokë mbushur me saçme derri, të parit atij që do të firmosë privatizimin e këtyre gurëve. Ndoshta do të ketë të tjerë që do të ndjekin shembullin tim, ndoshta jo. Po këtë Gur me copëzën e tokës, ku ai është mbështetur me qindra vite nuk do të lë ta pushtojnë sojsëzët e hajdutët. Kurrë në Shqipëri nga Velipoja në Ksamil toka të paktën njëqind metra larg nga vija e ujit nuk ka pasur pronar. Tani edhe deti është bërë me pronar madje me dokumenta të rregullta. Vendalinjtë, pronarët e vërtetë të mbetur trokë, disa të kërcënuar me grykën e armëve, ia kanë mbathur e janë shpërndarë si zogjtë e korbit në gjithë botën. Unë nuk kam as fuqi, as moshë e as dëshirë të largohem. Vatani, shtëpia, mbrohet me zemër, me gjak dhe unë këtë do t’a bëj. Shumë do të më quajnë vrasës, por ka edhe nga ata që do të më kuptojnë. Ndoshta do jem i pari në mbrojtje të pronës këta tridhjetë vjet. Më hodhi dorën në sup, më përqafoi i malluar dhe më ftoi për kafe, në kafenetë luksoze matanë rrugës.
-Kam një merak se e di që do t’i shkruash fjalët e mia. Ama nuk dua të ndryshosh asgjë. Por atë që të thashë do ta bëj, nëse ma marrin…!
-Do t’a shkruaj, me ndonjë shtesë të vockël. Po emrin do ta ndryshoj pakëz, nuk do shkruaj emrin tënd të vërtetë!
– Hiç mos e ndrysho! As që më kërcet fare, nga këta larot oligarkë, që nuk u ka ikur ende era e dhisë dhe e fanellës së leshit dikur mbushur plot me morra e tani kanë vendosur ligjin dhe kulturën e të fortit.
Pimë në heshtje kafet dhe u ndamë pa thënë ndonjë fjalë tjetër. U kujtova se unë nuk kisha as edhe një Gur në anëdet të ishte imi. Kisha shumë vjet që endesha të gjeja një vend të përhershëm e ku të lahesha: Në Skelën e Vjetër jo e jo, as te Shkolla e Marinës, as te ish Plazhi i Ri, as te Shkëmbi i Doktorit, as te plazhi me ujërat kristal deri te Tuneli, as te plazhi ish distilerisë…. Një Gur mund ta gjejë dhe unë aty te Ganiu po si i bëhet hallit të gjej një çifte? Apo tani që lajmi do hapet e do të marrë dhenë nuk kanë për të më dhënë leje për mbajtje arme?! Më intrigon shumë idea interesante e Ganiut me atë çiften e vjetër…