Në një intervistë dhënë enkas për Gazetën më të Vjetër të Botës Shqiptare në print “DIELLI”, gazetari dhe studiuesi Ilir Ikonomi shprehet se:…”Historia rishkruhet më mirë dhe më saktë përmes debatit dhe debati duhet të jetë si një vorbull që zien; aty duhet të marrin pjesë shumë pikëpamje dhe jo një e vetme…”
Ndiqeni intervistën që Editori i Diellit Dalip Greca, i mori gazetarit dhe studiuesit Ilir Ikonomi, që po lëvron suksesshëm një zhanër të veçantë, mes rrëfimit dhe historisë:
Si ndjehet Ilir Ikonomi pas një promovimi të sukseshëm në Tiranë të librit të tretë”Pushtimi”?
Ilir Ikonomi -Më vjen mirë që libri u prit me interesim, me sa kuptova. Besoj se interesimi erdhi kryesisht nga kërshëria e lexuesit për të ditur se si e shihnin amerikanët pushimin e Shqipërisë nga Italia. Ishte diçka për të cilën nuk është folur ndonjëherë me kaq hollësi.
Si shkuat tek zbulimi i raporteve të ambasadorit amerikan Hugh Gladney Grant?
Ilir Ikonomi-Raportet i zbulova në vitin 2010 në Arkivin Kombëtar amerikan që ndodhet në College Park të shtetit Maryland, rreth 50 minuta larg shtëpisë sime. Isha në valën e kërkimeve për një libër që po shkruaja mbi jetën e Faik Konicës në Uashington. Hugh G. Grant ka qenë i dërguari diplomatik i SHBA në Tiranë mes viteve 1935 dhe 1939, prandaj natyrshëm më duhej të rrëmoja në korrespondencën që Granti shkëmbente me Departamentin e Shtetit në atë periudhë, me shpresë se do të gjeja se çfarë thuhej në komunikimet e tyre për Konicën. Kërkimi ishte i frytshëm, sepse sqarova shumë gjëra që më ndihmuan të përcaktoj me saktësi disa lëvizje të Konicës dhe disa fakte që lidheshin me marrëdhëniet e Mbretit Zog me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë këtij kërkimi, hasa fillimisht në një raport të gjatë, ku Granti përshkruante me hollësi pushtimin e Shqipërisë, ashtu siç e kishte parë me sytë e tij, si dhe pasojat e menjëhershme që solli kjo ngjarje: humbjen e pavarësisë së shtetit shqiptar në të gjitha aspektet. Materiali i daktilografuar mbante datën 24 maj 1939, pra rreth një muaj e gjysmë pas pushtimit të 7 prillit. Në dosjet me dokumente të zverdhura të arkivit gjeta edhe një raport tjetër, më të shkurtër të Grantit, që me sa dukej ishte përfunduar së daktilografuari më 25 korrik të atij viti.
Kuptova se për të shkruar raportet, ministri amerikan ishte bazuar në shënimet që kishte mbajtur gjatë gjithë asaj periudhe të turbullt. Materiali përmbante hollësi që mu dukën mjaft të besueshme dhe me vlerë, sepse ato tregoheshin nga një dëshmitar pamor, madje nga një dëshmitar që kishte kontakte me qarqet më larta politike të vendit. Jo vetëm kaq. Ky dëshmitar i rrallë ishte i paanshëm dhe objektiv në rrëfimin e ngjarjeve. Ai nuk kishte ndonjë arsye të fortë të mbante anën e dikujt në këtë histori të trishtueshme. Së fundi, Granti ishte i njohur për skrupulozitetin e tij prej burokrati. Në kabllogramet që i dërgonte Departamentit të Shtetit dhe që ishin të shpeshta, nuk kisha gjetur ndonëherë pasaktësi ose mospërputhje.
Prandaj mendova se materiali që kisha në dorë ishte me rëndësi, si dokument që e pasqyronte më së miri këtë kapitull të historisë shqiptare.
Do të doja të sillnit për lexuesit e Diellit se çfarë ndjetë në momentin e zbulimit të raporteve shtatë e më shumë dekada pasi ambasadori i pat shkruar.
Ilir Ikonomi-U ndjeva i privilegjuar. Kur hasa në raportin e parë, isha në sallën kryesore të arkivit, ku punonin disa dhjetëra kërkues si unë dhe gjëja e parë që bëra ishte ta fotografoja menjëherë të gjithë raportin, për ta shqyruar më me imtësi më vonë. Ndodhesha përpara një perle të vërtetë, rreth 100 faqe të daktilografuara, që kishin fjetur në arkiv për 7 dekada, fare të panjohura. Në fillim më kapi një frikë e kotë: Po sikur dikush nga punonjësit e arkivit të vijë e të më thotë se materiali është ende i klasifikuar dhe nuk lejohet fotografimi?
Mendoj se çdo send historik që zbulojmë, çdo relik apo dorëshkrim nga historia, nuk na takon neve personalisht, nuk është diçka që na shërben për të zbukuruar dhomën apo bibliotekën tonë personale, por merr rëndësi kur bëhet pjesë e të gjithëve, e kujtesës së kombit. Prandaj mendimi se këtë material mund ta botoja një ditë më dha emocione. Kur më në fund gjeta kohën për ta shqyrtuar me imtësi rrëfimin e Grantit, pashë se kisha të bëja me një material të pazakontë. Me shumë habi dhe kënaqësi kuptova se Granti vërtet i kishte shkruar raportet për Departamentin e Shtetit, por qëllimi i tij kryesor ishte që ato të ruheshin në arkiv dhe, më vonë, kur dikush të interesohej për këtë pjesë të historisë së Shqipërisë, t’i lexonte për të kuptuar më mirë aferën e pushtimit italian. Kjo dëshirë e Grantit, ky vullnet i mirë i tij për shqiptarët më la një përshtypje të pashlyeshme.
Ju jepni në libër vështrimin e ftohtë amerikan për një nga ngjarjet më të përfolura të historisë së Shqipërisë. Sa ndikojnë materiale të tilla në rishkrimin e paanshëm të historisë?
Ilir Ikonomi-Mendoj se historia rishkruhet më mirë dhe më saktë përmes debatit dhe debati duhet të jetë si një vorbull që zien; aty duhet të marrin pjesë shumë pikëpamje dhe jo një e vetme. Në këtë vështrim, raportet e Grantit e pasurojnë procesin e rishkrimit të historisë së Shqipërisë, për më tepër se ai flet si një aktor i jashtëm, i painteresuar drejtpërsëdrejti.
Duhet pranuar se gjatë periudhës komuniste, historia e Shqipërisë është shkruar në mënyrë të deformuar dhe në shumë raste shtrembërimet kanë qenë të neveritshme. Janë thënë plot gënjeshtra dhe ata që i kanë thënë mbajnë përgjegjësi. Është shumë e saktë shprehja e George Orwellit: “Mënyra më e efektshme për të shkatërruar një popull është të mos e lejosh atë të kuptojë historinë e vet, t’ia fshish nga kujtesa këtë histori.”
Për shembull, një ndër figurat ende të debatuara në historinë shqiptare të pas pavarësisë është Ahmet Zogu. Gjatë dekadave të komunizmit, historia e Shqipërisë i ka mëshuar mohimit të plotë të kësaj figure. Aq e madhe ka qenë këmbëngulja, saqë ndikimi i kësaj teze vazhdon edhe sot. Një pjesë e historianëve, megjithëse shëtisin shpesh nëpër Evropë dhe citojnë plot literaturë të huaj, nuk mësohen dot me mënyrat perëndimore, realiste të analizës së ngjarjeve, ose nuk kanë guximin të mohojnë atë që kanë thënë dikur. Tek disa të tjerë mbizotërojnë dogmat, në vend që të ndjekin intuitën. Këtyre do t’u kujtoja thënien e novatorit të madh amerikan, Steve Jobs: “Mos u kapni në grackë nga dogma, që do të thotë të jetosh me rezultatet e mendimit të të tjerëve.”
Të dërguarit amerikanë në Tiranë në vitet 1930, Herman Bernstein dhe Hugh Grant, e shihnin qeverisjen e Ahmet Zogut si një periudhë stabilizimi, unifikimi dhe modernizimi të shtetit shqiptar, që zgjati nga viti 1925 deri më 1939, pra plot 14 vjet. Edhe para kësaj periudhe, duke filluar nga Kongresi i Lushnjes, Zogu ishte një figurë qendrore në Shqipëri dhe shihej gjerësisht si patriot dhe bashkues, po të gjykojmë nga kronikat e gazetarëve perëndimorë që e kanë takuar. Ai veproi në rrethana jashtëzakonisht të vështira për një shtet që ishte krijuar vetëm një dekadë më parë dhe për të cilin kishte dyshime të mëdha nëse do të mund të ekzistonte gjatë.(Te plote do ta lexoni ne Gazeten Dielli te Printuar)
Sadik Elshani says
Fatkeqsisht, ata “historiane” qe e shtremberuan dhe falsifikuan historine tone, ende jane shume te zhurmshem ne mediat dhe publicistiken shqiptare duke mbrojtur veprimet, pikepamjet e tyre te turpshme. Historia shkruhet me fakte e analiza shkencore te paanshme, dhe Z. Ikonomi eshte duke bere nje pune te lakmueshme ne kete drejtim. Suksese!
Mark Gjonaj says
Ideja juaj Z. Ilir eshte percaktuese, se vetem keshtu sic thoni mund t’i afrohemi historise se vertete te Shqiperise dhe pak a shume kjo po del. Por me duket se historise e cila eshte shkruar me dokumenta baze dhe me shtesa , apo ngritja ne nje lartesi te pamerituar te fitueseve ne cdo kohe. Kjo eshte semundje. A e keni vene re(nuk po flasim per historine e lashte, as te rilindjes), por po marrim ma te thjeshten gje, historine e re dhe te vjeter PD qe duke ardhur ne drejtim dhe deritani, sa deformime i nxjerrin krijimit te saje?! Ndryshe e tregojne dhjetoristat, ndryshe lideri i saje kryesore, ndryshe Ramiz Alia, ndryshe demokratet qe u perjashtuan qe ne 92 dhe nje pjese iken dhe jashte.. Une mendoj se historise, qofte te shkruares, qofte kesaje qe po diskutohet tash rreth 25 vjet, i mungojne analistet e mirfillte, pa u atashue ne ndonje force politike, pa mllefe! Ne dy faktoret kryesore, do te thoshnja me i rendesishmi eshte i brendshmi. Ne se do te formulohet dhe do te formulohet historia e vertete e periudhjes se Zogut, jane analistet qe do te rrjeshtojne anet pozitive dhe negative te drejtuesit te nje shteti dhe ato vihen ne ballance. Faktori i opresioneve te jashtemeve, eshte ndihmues, orjentues. Se bie fjala, nuk mund ta percaktojne anglezet qe mbreti i asaje kohe nuk e takoi, as e priti nje here Zogun, apo nepermjet ambasadorit francez dhe me pershtypjet e tij prane ministrise se jashtme se, ai ishte nje kryegangster qe nepermjet korrupsionit, ja shiti Shqiperine Italise. Por duke i analizuar nje per nje situatat ne baze te dokumentave, asgje e keqe nuk do te ishte te cilsohej sipas ballances, negativ ose pozitiv!
Shefqet says
Eshte e vertete. Zoti Ilir Ikonomi krahas kontributit si gazetar i VOA, po jep nje kontribut te vecante per njohjen e historise se popullit shqiptar, e pare kjo ne veshtrimin e studjuesve e diplomateve te huaj. Librat e z.Ilir po priten mire ne Shqiperi dhe tashme ai po krijon personalitetin e tij ne kete fushe. Shqiparet ndjehen me fat qe kemi njerez te tille qe japin me vertetesi, dokumente, fakte dhe ngjarje te panjohura me pare. Botimet e tij dhe mjaft historianeve ne SHBA, po tregojne se mardheniet shqiptaro-amerikane nuk kane qene aq te thjeshta ne dukje, por me nje dinamike ne rritje, aq sa syrit dhe veshit te diplomateve amerikane nuk i kane shpetuar zhvillimet e Shqiperise se shekullit te kaluar. Jane pikerisht studjues te perkushtuar si z.Ilir etj, qe i hulumtojne dhe evidentojne keto dokumente duke pasuruar keshtu historine e popullit tone. Nuk na mbetet gje tjeter vec ti urojme rruge te mbare z. Ilir ne shkencen e historise per te na sjelle botime te tjera ne te ardhmen.