Fidanishte në lulzim është folklori i Malësisë së Madhe falë dashnisë dhe kujdesit prindëror, që krahas rritjes dhe mirëedukimit të fëmijëve të tyre po investojnë në rigjallërimin e kësaj pasurie të trashëgimisë kulturore malësore. Janë të shumtë lulezërat që shohim të çelin dita-ditës në këtë lëndinë shumëngjyrëshe, të cilët na mbushin me jetë e shpresë, se amaneti i rapsodëve shekullor po u përcillet brezave si kristale të pastra të artit burimor, të rrjedhë nga thellësia e shekujve.
Mes tyre një zë i rrallë nisi të këndojë këto ditë në Malësi, si dikur motit, e të fishkëllojë shpatit të malit si Murlani i Hotit.
Ai është Ilirjan Peti Camaj, i lindur dhe rritur në Amerikë, të cilin e njoha në përurimin e Kullës së Çun Mulës – Muzeut “Malësi e Madhe”.
Energjik dhe pasionant për të kënduar sikur të kishte lindur për skena të mëdha. Edhe pse një fëmijë i vogël, Iliriani kishte ardhur enkas nga Amerika në këtë përurim për të kënduar një këngë të madhe, kushtuar kësaj Kulle e këtij Bajraku.
Falë profesionit dhe misionit tim si studiuese, mësuese dhe etnologe, me bindje mund të them se është fat të jesh prind i një fëmije si Ilirjani, i cili rrezaton vetbesim e krenari malësori që në këtë moshë. Që beson tek vetja e përçon energji pozitive tek të gjithë, çka e bën shumë të veçantë këtë fëmi artist.
Kjo falë asaj që muzikantët pikasën në të dhe përkujdesjes së veçantë të prindërve të tij, për ta nxitur që të vashdojë rrugën e artë që artisti virtuoz Lindon Camaj axha i tij, la në mes.
Në ecurinë e atyre ditëve u vendos që kjo këngë të pasurohej me një klip të realizuar në Kullën e Bajraktarëve, së cilës i dedikohej, pasi vetëm kështu do ta bënte madhështor mesazhin e kësaj kënge.
Në këtë klip kisha rolin e etnografes të kujdesem për veshjet dhe për episodet e mikpritjes së malsorit në këtë kullë, Kryebajrak në Malësi. Dhe për çudi, në gjithë atë Kullë dëshmi në histori, lulet e zërit të Ilirjanit zunë të shpërndahen deri në kupë të qiellit, atje ku ndahen kufinjt e tokës e të diellit.
Një klip i realizuar bukur dhe i kuruar me kujdes nga “Power Media” ku gjithçka përputhet më së miri me mesazhin e këngës, dinjitetin e kullës dhe Muzeut që sot përfaqson.
Ky realizim i thjeshtë në dukje, i paraprinë një udhëtimi të gjatë e të artë për këtë artist, i cili nga këtu hedh hapin e parë në botën e artit.
Nëse sot flasim për patriotizëm dhe vlera kombëtare, pasqyrë e këtij qëndrimi janë fëmijët tanë, shëmbull i së cilës është Ilirian Peti Camaj, i cili edhe pse ka lindur e rritur në Michigan, flet e këndon shqip. Njeh e nderon flamurin, plisin, çakçirët, Kullën e Malësinë, gjë që na bën krenar për këta malsorë, të cilët krahas integritetit për të qënë qytetar të nderuar amerikan, luftojnë fort të mbeten shqiptar të mirë e të devotshëm, për tu quajtur bij të denjë të Malësisë.
Mirënjohje të sinqerta prindërve të Ilirjanit dhe bashkëmoshatarëve të tij, që me kaq dashuri po përtërijnë fidanishten e folklorit në Malësi. Ju pastë Malësia, folklori e Shqiptaria.
Nga Rita Shkurtaj