(Unë, ne, Prishtina, Kosova pa Dr. Gani Demollin)/
Jeta është e tillë, kohë pas kohe t’i rrëmben miqët dhe dashamirët, bashkëpunëtorët më të afërt, më të çmuar dhe të dalluar duke shkaktuar huti, dhembje, pikëllim, por edhe kujtime, falënderime, krenari për ata që i patëm, për ata që shënuan kohën dhe hapësirat tona, si Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim RUGOVA, Prof. Anton ÇETTA, Prof. Jak MITA, Dr. Gani DEMOLLI e shumë të tjerë. Vdekja e pamëshirëshme, “hajni” tinzar për çdo njeri vazhdon “korrjen” e fytyrave tona të ndritshme, na varfëron nga këta “heronjë” të ditëve tona, krijon ndër ne dhe në ne zbrazëti të mëdha dhe shpesh edhe të pakompenzueshme, na vetëdijëson, udhëzon dhe drejton kah shtegtimi dhe amshimi.
Mirëpo ne që besojmë në vlera dhe virtyte, mbi të gjitha në Mirësi dhe Dashuri – në Jetë edhe pas kësaj jete, në amshim, kemi një siguri dhe ngushëllim se vdekja nuk është fjlala dhe fati i fundit i kësaj jete.
Tashmë i ndjeri Dr. Gani Demolli, ishte për mua një Vëlla, bashkëpunëtor, së bashku me Prof. Jak Mitën “shtylla dhe zemra e “Nënës Tereze”. Ai dhe shumë të tjerë, për ne, për Prishtinën, Kosovën tonë ishin “shpëtimi” në disa aspekte dhe dimensione, si mjek dhe organizator i shërbimeve shëndetësore në Kosovë, në një kohë pa kohë, njeri me vizion dhe parime të qarta, me vendime dhe përcaktimve profetike, me vullnet të fortë dhe të palëkundshëm, me zemër të madhe dhe vepruese. Ai ishte “dirigjenti” i “orkestrës” së madhe të mjekve, infermierëve, teknikve, me një fjalë, i tërë asaj që quhet dhe është “Shërbimi shëndetësor”, gjithnjë i gazshëm për veprim dhe flijim të pashoq, për ballafaqim dhe organizim të saktë dhe të përpikët, për synime dhe zbatime magjistrale.
Dr. Gani Demolli kishte shumë vlera dhe virtyte, mbi të gjitha vizion për punë dhe vperimtari, guxim për shërbim dhe flijim në të mirë dhe në dobi të jetës dhe të njeriut, shëndetit, optimist i “papërmirësueshëm” edhe atëherë kur shumçka, mos të themi asgjë, nuk ishte mirë, Njeri i cili në historinë e këtyre 20 viteve të Kosovës dhe një kontribut të pamohueshëm dhe një impuls pozitiv jo vetëm për shëndetësi, por edhe për çdo Njeri të kërcnuar dhe të rrezikuar nga çdo lloj pengese, ndalese, kufizimi, anësimi, nënçmimi.
Ishim së bashku në shumë anë dhe të kënde të Kosovës sonë të robëruar. Kudo dhe kurdo që isha me të ndihesha dhe isha mirë. Në një rast mjaft të koklavitur dhe të rrezikshëm i pata thënë kështu: “Doktor Gani, për këtë duhet të mendojmë pak më gjatë dhe më mirë, sepse, sa më duket mua, nuk është fare lehtë dhe pa rreziqe të mëdhaja…”. Ai më shiqonte me ata sy sy të vegjël, por depërtues, dhe pas pak kohe më tha: “Don Lush, unë për këtë kam menduar gjatë dhe shumë, kam matur dhe shmatur, dhe jam më se i bindur se për Njeriun e sëmurë dhe të rrezikuar ia vlen të rrezikojmë edhe ne çdo gjë, deri edhe jetën… Asgjë e madhe, e rëndësushme, me vlerë nuk arrihet lehtë dhe pa flijime dhe rrezikime… Ti më së miri e di dhe na ke mësuar strategjinë e jetës dhe të veprimeve të Nënës Tereze. Parimi i saj i mdhe dhe i shenjtë: “Kudo që jeta është në rrezik, aty do të jemi edhe ne”, është përbetimi dhe qëndrimi ynë jetësor. Ajo, pa askend dhe pa agjë, kishte filluar veprën madhe të dashurisë, me Zotin dhe me Njeriun pa asnjë mbrojte… Jam i sigurt se edhe ne do t’ia arrijmë qëllimeve dhe synimeve tona…”.
Duke parë bindjen dhe sigurinë e tij, pranova këtë sfidë dhe veprimtari, dhe sot, mund të them me plotë gojë dhe zemër, Dr. Gani Demolli, së bashku me të ndjerin Prof. Jak Mitën, ishte “motori, lokomotiva, zemra” e shumë veprimeve të Shoqatës Humanitare Bamirëse të Kosovës “Nëna Tereze” jo vetëm në shëndetësi, por edhe në shumë lëmi. Ai vite të tëri i ka siguruar popullatës sonë në Kosovë jo vetëm shërbime nëpërmjet personelit, mjekime me barna dhe paisje teknike, por mbi të gjitha e ka ushqyer shpresën, e ka ngjallur shpresën dhe e ka zbatuar dashurinë në flijim dhe në veprim për ta mbrojtur dinjitetin dhe lirinë tonë, vlerat dhe virtytett shekullore dhe aktuale, mbi të gjitha “kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë” sipas parimeve dhe veprimeve të së Lumes Nënës Tereze.
Do ta kujtoj gjithnjë qetësinë dhe sigurinë e mendimeve dhe planeve të tija, gatishmërinë për të biseduar dhe dialoguar me të gjithë, largpamësinë dhe besimin në Zotin dhe në Popullin Shqiptarë, në drejtësi dhe në liri. Në një rast në Qendrën Poliklinike “Nëna” në Kodrën e Trimave, ishte një vizitë e një delegacioni amerikan. Ishim së bashku me Dr. Gani demollin. Gjatë vizitës se maternitetit “Nëna”, personeli na tha se ishte një rast i rëndë dhe tejet i rrezikshëm për jetën e nënës dhe fëmijës. Dikush më tha: “Don Lush, binde ti këtë grua, që të shktrohet në “Klinikën shtetërore”. Provova, por pa sukses. Ajo më tha: “Kam ardhur tek Nëna Tereze, tek ju. Më leni të vdes këtu!…”.
S’pata më fjalë, u dorëzova. Pas pak kohe, na thirri prapë personeli ynë. Ishim ende në bisedime. Mendova në më të keqen, në vdekjen e saj dhe të fëmiut ende të palindur, Por jo, ndodhi, besfasia, mos të them mrekullia. Nëna kishte lindur një djalë dhe të dy ishin shëndoshë dhe mirë, Shkuam për ta vizituar dhe për t’ia uruar lindjen e djalit. Ajo më tha prap një fjalë të madhe dhe shenjte që s’do ta harroj kurrë: “Don Lush, së paku ti beson dhe e di se edhe për ne ka Zot! Unë nga zemra u falënderoj që s’më keni larguar. Jeta vazhdon…”.
Dr. Gani Demolli është disi “ati” i më se 12.000 fëmijëve të lindur në këtë Qendër, i mijëra jetave të shpëtuara dhe të shëruara, Njeriu që jetonte për t’ua mundësuar të tjerëve jetën, vepronte për t’i ndikuar dhe frymëzuar të tjerët për jetë dhe punë, fliste, shkruante, udhëtonte me një qëllim të madh dhe të shenjtë: që të tjerët, Populli Shqiptar në Kosovë të jetë gjithnjë më i lirë dhe më i mirë.
Jeta dhe vepra e Dr. Gani Demollit është një kapitull i veçantë në historiografinë e SHHB “Nëna Tereze”, në Kosovën e viteve 1990 e këndej, e shëndetësisë sonë, e humanizmit dhe bashkëpunimit ndërvëllazëror për të mirën e përbashkët, ku është dëshmuar bindshëm fuqia e vëllazërisë dhe bashkëpunimit, arti i dashurisë dhe flijimit, mençuria dhe provania e Zotit dhe përkrahja e gjithmbarshme e Popullit..
Deshti Zoti, rethanat, rasti që mos të isha në Kosvë për vdekjen dhe varrimin e Dr. Gani Demollit, gjë kjo që e rëndon edhe më shumë dhembjen dhe pikëllimin tim: Ky fakt shton bindjen se jeta dhe vepra e tij është monument mirësie dhe humanizmi që gjatë do të jetojë në mendjen dhe zemrën time, në jetën dhe veprimet tonë. Ai ishte dhe mbetet shembull i mirë dhe bujar i altruizmit flijues dhe dhurue, humanizmit pa kufi, veprimit me dashuri dhe për dashuri, me jetë dhe për jetë, që na ngushëllon të gjithëve.
Dr. Gani Demolli ka dy aspekte të pavdeksisë, jetën dhe veprën me të tjerët dhe për të tjerët, si dhe idealizmin, fenë në Zotin dhe në Njeriun, që ishin “krahët” bartës të këtij personaliteti kaq të rralë dhe të dashur.
Dr. Gani Demolli s’pati “kohë” për pushim, sepse sëmundja dhe vdekja e “rrembeu” atë fizikisht nga rrethi familjar dhe shoqëror. Ai tashmë “pushon” në Zotin, jeton në mendjet dhe zemrat tona, na ndihmon, përkrah dhe frymëzon nga Amshimi i lumtur.
Familjes, miqve dhe dashamirëve të shumtë të Dr. Gani Demollit, ngushëllime vëllazërore, që më tepër i përngjajnë urimit: TË LUMTË JU – NE QË E PATËM DR. GANI DEMOLLIN! PUSHOFTË NË PAQE!
Prishtinë, 25 mars 2014 Don Lush GJERGJI