Opinion nga Fadil LUSHI/
Një ditë një miku im më tha se fqinji i tij kishte “dalë fare nga mendtë”. Sabah e aksham i shqetësuaka fqinjët e apartamentit ku jeton dhe për këtë, padrejtësisht, e kishin konceptuar si “jashtëqitja e mëhallës së tyre”(!?). Ky sa herë që i bën “hesapet pa hanxhiun”, aq herë nuk i dalin ato dhe, kur nuk i dalin, aq herë kalamajve të tij ua shanë nënën…, por zonja e tij e nderuar, ia kthen përgjigjen e mprehtë, të goditur dhe të menjëhershme: “Të marrsha të keqen! Hajt, mos i gënje fëmijët dhe mos u ushqe me shpresa të kota e të vdekura!”. Ky fqinji, disa ditë më parë, pa “arsye ishte preokupuar” me atë pankartën e Ernesto (Che) Guevara-s që e kishte parë diku te sheshi “Shkupi 2014” gjatë protestave të organizuara nga punëtorët dhe anëtarët e sindikatave të Republikës së Maqedonisë, me rastin e 1 Majit. Kur ky “preokupim nuk i kishte mjaftuar”, ishte dalldisur me “punët” e kryeparit të partisë politike në opozitë gjegjësisht, të partisë së Lidhjes Socialdemokrate të shtetit biblik, në veçanti me “bombat a patatet verore, të ziera, të pjekura, të fërguara dhe të skuqura të tij”, mandej kishte vendosur të “fusë hundët” a të merret edhe me “emrat e mysafirëve të ftuar” në punimet e kongresit të VMRO-DPMN-së, si dhe me kandidaturën e kryeparit të saj, në detyrë…, ishte dalldisur me “panoramën fizike” të ca lëneshave si dhe të njerëzve të pasur, po edhe të atyre në nevojë…, ishte dalldisur edhe me faturën e qirasë së shtëpisë si dhe me atë të rrymës që “gabimisht hesapin ia kishin futur a rrasur deri në kurriz”(!?). Kur edhe gjithë këto “dalldisje nuk e ngopën“, filloi të merret me dertet dhe me fukarallëkun e miletit, ra në konflikt me vetveten si dhe me politikanin e zonës së tij, i cili vite me radhë, me premtime boshe, kinse ia paskësh përbuzur votën e tij të shitur, të blerë, po, në doni thuajeni, edhe si të shituar!? Për këtë arsye, dhe të tjera të tilla, kishte lënë pas dore të gjitha “detyrimet” e tij…, se me çfarë detyrash (shtëpiake) ishte i ngarkuar një dreq e di. Një gjë e dimë se kur duhet të shkojë në pazar, ai “ frekuenton mejhanen e Xhelo qufarit”(!?), që gjendet diku në Çarshinë e Epërme të “katundit poteremadh”(!?) të Tetovës.
Miku im nuk ndryshon nga mendja e fqinjit të tij. Edhe ky ka një dërrasë mangët, ndonëse vend e pa vend çan kopalla!? Sa herë që më takon, muhabetin e fillon me shamatë dhe me ca shprehje anadollake. Kur do të të përcjellë ndonjë haber që i dedikohet armikut të tij, e bën ashtu si në gjumë, të krijon përshtypjen se e ka gjumin si të pleshtit dhe kur ta thotë haberin, nuk e koncepton tamam. Më thotë se ishte “ngatërruar më kot” me Blendin gjegjësisht me Fevzon si dhe me emisionin e tij OPINION!? Kur i parashtrova pyetjen se ç‘pate me të, ma ktheu: “Ja, po ta shpjegoj vakinë. Fevzoja në emisionin e së mërkurës u bëri tarafllëk femrave të bukura shqiptare që nga vakti i mbretit shqiptar, Ahmet Zogolli e deri më sot. Në atë mbrëmje atij sikur i paskësh munguar burrëria shqiptare, kinse tek ai nuk ishte hetuar ai shovinizmi mashkullor, kinse i kishte munguar fytyra dhe ai zëri i malësorit, sikur i kishin munguar mendimet dhe zakonet patriarkale…, sikur i kishte munguar ajo fryma e kohës së vjetër e të tjera”(!?). Një ditë “ishte ngatërruar edhe me ekologjistët katundarë(!?) dhe ashtu troç u kishte thënë: Ç’u zë zori juve për ajrin e ndotur të kasabasë sime…, ç’u hyn në punë juve trafiku i ngarkuar i lagjes sime”(!?). Filloi të ngatërrohet edhe me mua, kinse, sipas fqinjit të tij, shkrimet i mia paskan qenë “nekrologjike, të sajuara, shkrime që përcjellin lajme të njohura dhe mbase edhe të absolvuara”(!!). I thashë t’i bënte të fala fqinjit të vet se unë, “filan fistaku”, do të shkruaj për aq kohë sa do të frymojë inati i tij prej shqiptari dhe për aq kohë sa ai do të jetojë aty pranë mëhallës sate…, do të shkruaj për aq kohë sa atij nuk do t’i hynë në punë dertet dhe sikletet e të tjerëve. Si duket, ky miku, sikur ra dakord me “konstatimet e mia” dhe më tha nëse do vazhdoja të shkarravisja, atëherë të shkruaja edhe për atë mbledhjen e Rijasetit të Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë. Sikur desha t’i them se kjo është paksa e sikletshme, aq më tepër kur “Rijaseti në mbledhjen e vet të fundit kishte vendosur që të shkarkojë nga posti myftiun e qytetit të…, N.N., sekretarin e përgjithshëm në BFI, N.N. dhe N.N nga Myftinia e N.N. Mosmarrëveshjet në BFI lindën pasi ish-myftiu nga…, N.N., dyshohet se ka keqpërdorur një kredi prej “xxx” mijë eurove që është marrë në emër të BFI-së”(!?). Nëse miqtë e mi të lartpërmendur, tok me mua, “prodhuan ca lajme të papërfillshme”, ky lajm që do e lakojmë në vijim nuk mund të thuash se është i parëndësishëm, sidomos kur hetohet tash a në vigjilje të Muajit të bekuar të Ramazanit. Sot e gjithë ditën e Perëndisë asnjeri nuk mund ta anashkalojë këtë lajm që del nga një institucion, sa human po aq edhe emancipues, një institucion që nuk është dosido, një institucion që nuk është i “rezervuar” as për azilantë e as për klandestinë…, një institucion që është i vetmi që nuk njeh, po edhe nuk i nënshtrohet tranzicionit tonë politik të bezdisshëm dhe të pafund, është i vetmi institucion pa pronarë, është një institucion në hapësirat e të cilit, nuk ka dhe as që mund të ketë vend për njerëz me moral të dyfishtë, nuk është një institucion ku mund të futesh fukara e të dalësh me xhepa të thellë, është një institucion që nuk njeh parti politike, që nuk njeh as shtet e as qeveri…, që nuk është në vartësinë e…, është një institucion që njeh Zotin dhe që i nënshtrohet fjalës së tij, është një institucion ku përcillen mesazhe të solidaritetit, institucion që nuk njeh fjalën e rreme dhe as të shtrembëruar. Nëse dikush edhe në të ardhmen do të mëtojë ta nënshtrojë këtë institucion, atëherë e meriton atë thënien e psikologëve, ku, pos të tjerash, thuhet: “Injoranca është nëna e gjithë të këqijave!”. Ne i besojmë këtij konstatimi të psikologëve, sa për të tjerët nuk dimë!?
Ata që merren me të kaluarën do të thonë se historitë e shpëtimit të shqiptarëve, sipas një mendimtarit tonë të madh, kanë këto rrjedha: “…, ne shqiptarëve nga greqizimi na shpëtuan romakët, nga latinizimi na shpëtuan bizantinët, nga sllavizmi respektivisht nga “grykësia imperialiste sllave” na shpëtuan turqit dhe, së fundi, na shpëtuan amerikanët bijat dhe bijtë më të mirë kosovarë. Unë jam kureshtar ta di se kush do ta rrënojë atë kështjellën e “perandorisë së inateve tona patologjike e histerike”(!?). A mos vallë ky shtet me gjithë “insanatin” e vet është shndërruar në spital neuropsikiatrik a në Bardovcë…, (duke futur në këtë strajcë edhe artikullshkruesin, mikun tim dhe fqinjin e tij).