NGA FILIP GURAZIU/
Romani ‘Internimi i Kufomës’ me autor Marçel Hila jo vetëm që zen vënd nderi në ” kolanën” e romaneve që trajtojnë periudhën komuniste në Shqipëri, duke e sjellë ate të gjallë në ditët e sotme, por e pasuron ate, pasi trajton një periudhë historike të patrajtuar ose per të qenë i sakët, të trajtuar fare fare pak deri më sot.
Ne roman trajtohet një ngjarje tragjike, histori e vertetë e ndodhur në Shqipërine komuniste të vitit 1947, kur po formohej Blloku i Udhëheqjes. Jo vetem që zbohet nga shtëpija, paçkitet dhe internohet ( brënda disa minutave) nën forcen a armëve, pa asnjë akuzë dhe vendim gjyqësor familja e shqiptarit patriot Zoj Xoxe, por i mohohet edhe e drejta për të varrosur djalin 16 vjeçar që ndodhej për fatalitet në ato momente në arkivol ! Peripecitë që e ndoqën familjen Xoxe deri në varrimin e djalit nuk kanë të sosur, por keto le të ja lemë lexuesit kur të njihet me romanin.
Ajo që të surprizon duke lexuar veprën, është jo vetem paraqitja me hollësi dhe realizëm e periudhës historike në të cilën zhvillohet ngjarja, por sidomos përshkrimi i sakët deri në detaje i personazheve, gjë që të kujton veprat e Balzakut. Kaq fort ndikon kjo ndjesi për lexuesin, sa gati, gati të krijohet bindja ( gjë natyrisht e pamundur) se autori i pat përjetuar personalisht ato biseda dhe ngjarje. Shkrimtari me një aftësi të rrallë ka arritur të hyjë në psikologjinë e personazheve dhe të udhëheqësve komunistë të atyre viteve, duke ja paraqitur lexuesit “lakuriq” karakterin e tyre, ashtu siç ishin; brutalë, të pabesë dhe hajdutër. Indirekt, pa i sharë, duke mos folur një fjalë të keqe për to; i diskretiton moralisht, sepse në fund të fundit është vepra e shëmtuar e tyre dhe jo sharja që mund ti bejë autori, ajo që peshon. Fakti makabër, që internohet edhe kufoma e djalit të vdekur në shtëpi në moshë 16 vjeçare, përbën thelbin e romanit dhe padyshim një ngjarje jo vetem të padëgjuar dhe antinjerëzore, por mbi të gjitha anti shqiptare sepse është krejtësisht në kundërshtim me besën dhe kodet etike të popullit shqiptar, por edhe të moralit njerëzor që në mjegullnajën e historisë; (Akili e vrau Hektorin ne dyluftim, dhe më pas, ja dorëzoi kufomën babait të të vdekurit, Priamit për ta varrosur!). “ Ngjarje e rëndë dhe tronditëse ”, do të shprehej një gazetar i njohur, mik i imi; është pikërisht ky konkluzion, kjo tronditje që të shoqëron deri ne fund. Thjeshtësia dhe modestia e përshkrimit të ngjarjeve në liber, përfshi edhe ato më tragjikët, rrjedhin aq natyrshëm, sa lexuesi bëhet padashur pjestar dhe bashkëkohës, jeton dhe udhëton me ngjarjet dhe me kufomën deri në varrosjen e djalit, atje në periferi të fshatit Shtyllas: i diskriminuar edhe në varr nga lufta imorale e kllasave!.
Emocioni që lind në ballafaqim me një veper arti do të thotë se autori i asaj vepre ka bërë art të vertetë. Romani ‘Internimi i Kufomës’ të emocionon që në fillim e deri në fund. Në fushën letrare ku trajtohet ‘Kujtesa historike’, përjetohen emocionalisht sot, ato ngjarje që ‘ndodhën’ diku dhe dikur, shumë vite më parë. Jeta njerëzore në aspektin emocional mund të krahasohet edhe me një pikturë ku ngjyrat përcaktojnë emocionet. Sado brutale të jetë ngjarja që paraqitet, nuk mund të eleminohet ngjyra që paraqet humorin njerëzor në kuadrin e jetës së një shoqërije, sepse humori është pjesë e jetës. Dhe në “pikturën” që na paraqiti autori Marçel Hila, atë të tragjedisë së familjes Xoxa të vitit 1947, krahas ngjyrave të tjera, zen vënd edhe ngjyra e humorit, futur me mjeshtri ne gojën e plakës, nënës së Muços…, çka përbën vlerë shtesë për veprën.
Diktaturat në përgjithësi dhe në veçanti për ne shqiptarët, Diktatura Komuniste e kriminelit Enver Hoxha, duhen demaskuar pa pushim, metoda më e mirë dhe më efikase mbetet, pa dyshim, edukimi i rinisë me ‘kujtesën historike’ duke dëshmuar me dokumente dhe ngjarje, fakte të verteta, sado të dhimbshme dhe antinjerëzore te kenë qenë ato.
Kujtesa dhe harresa janë dy fenomene që shoqërojnë mendimin njerëzor. Në psikollogji harresa konsiderohet edhe e dobishme, kurse në fushën e historisë vlerësimi është ndryshe, këtu merr prioritet absolut kujtesa dhe harresa bëhet e dëmshme.
‘Kujtesa historike’ lidhet me identitetin, me traditat dhe me kombëformimin e një populli. ‘Kujtesa historike’ është konstruktive sepse ndihmon në edukimin pozitiv-formues të ndërgjegjës së brezit të ri. Pikërisht këtu qendron esenca e vlerës së veprës në fjalë.
Kaq i skajshëm qe brutaliteti i diktaturës Enveriste në vëndin tonë, kaq padrejtësi, përdhunime, vrasje, vjedhje dhe poshtërime bënë komunistët e Enverit ndaj popullit të tyre, sa sot në vitin 2015, bëhet shumë e vështirë që të besohen dhe të kuptohen nga brezi i ri. Për konkretizim dëshiroj të ju rikujtoj se ngjarja në romanin ‘Internimi i Kufomës’ zhvillohet në vitin 1947, pra plot 68 vite më parë, fakt që edhe për brezin tim bëhet e veshtirë kujtesa e asaj kohe, mendoni pastaj se sa mund të dijne dhe të kuptojnë për atë periudhë të rinjtë sot… Ndërgjegjësimi i rinisë për ‘krimin komunist’ duhet ti nënshtrohet një nisme të mirëmeduar dhe mirëorganizuar nga politika shqiptare duke e futur ‘ kujtesën historike’ në edukimin shkollor dhe duke mbështetur dhe financuar iniciativat e Shoqërisë Civile pro demokratizimit të shoqerisë shqiptare me fokus në objektiv brezin e ri. Në këtë drejtim luan një rol parësor edhe vepra letrare e Marçel Hiles; ‘Internimi i Kufomës’.
Epilogu i romanit mund të themi se “i ve kapakun tragjedisë së familjes Xoxa. E pabesueshme, por realitet; ende sot në vitin 2015, biri i familjes Xoxa, Kostaqi, personazh i gjallë i romanit, nuk ka arritur të marrë pronën, shtepinë e tij të grabitur dhe të plaçkitur nga banditët komunistë në vitin 1947.
A e nderon kjo politikën shqiptare? No coment!.
Filip Guraziu
28.11.2015