Nga Mimoza Dajçi-New York/
Më datë 23 Janar 2016 do të përurohet në Shkup shtatorja e Heroit tonë kombëtar Isa Boletini, iniciator i kësaj veprimtarie është Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore Shqiptare në Shkup Dr. Skënder Asani. Sipas nipit të Heroit Gazmend Boletini: – “Komuna e Mitrovicës është angazhuar të transportojë qytetarët e fshatit Boletin për në Saraj të Shkupit për të marë pjesë në këtë ceremoni të rëndësishme”. Ndër të tjera ai tha: “Unë besoj se ardhja e Isa Boletinit e përhershme në Saraj do të reflektojë pozitivisht tek shqiptarët, për shkak se ai ka dhënë jetën për bashkimin kombëtar. Kjo përmendore tha ai ngrihet pikërisht me rastin e 100 vjetorit, në ditën kur edhe është vrarë Isa Boletini”.
Juristja Fatbardha Boletini nga Mitrovica, po mbesë e Heroit tonë kombëtar Isa Boletini, gjatë një bisede telefonike na tregon se busti i Heroit do të vendoset në Komunën Saraj pranë shkollës “Dituria”, ku përveç familjarëve do të marin pjesë edhe liderë e patriotë nga Kosova, Shqipëria e treva të tjera shqiptare, njerëz të politikës, artit e historisë.
“Mendoj – thotë Fatbardha – se ky eveniment do të shërbejë si një mesazh paqeje dhe bashkimi për shqiptarët dhe një simbol që personifikon heroizmin e popullit tonë, çfarë trasmeton tek brezat trimërinë, guximin e dashurinë për atdheun e kombin tonë”.
Ndërsa Kryetari i Komunës në Mitrovicë Agim Bahtiri tha për median se vendosja e bustit të Heroit tonë kombëtar në Shkup do të ndikojë në bashkimin e faktorit shqiptar në Maqedoni dhe do të jetë një moment kyç që shqiptarët të ecin përpara drejt realizimit të aspiratave mbarëkombëtare.
Busti i Heroit Isa Boletini që do të vendoset në Saraj të Shkupit është i lartë 3.69 m dhe ka për autor skulptorin e njohur durrsak Idriz Balani. Po në Shkup më datë 22 Janar do të mbahet një simposium shkencor ku do të promovohet edhe libri me titull “Isa Boletini në lëvizjen kombëtare shqiptare” bashkëpunim i parë ky mes tre institucioneve historike të Shqipërisë, Kosovës e Shkupit.
Cermonia në Saraj do të mbahet nën drejtimin e Ali Mehmetit dhe do të shoqërohet me një koncert të pasur artistik, që do të fillojë në orën 12.00, ndërsa përurimi bustit do të bëhet në ora 13.00. Tek Sheshi në Saraj do të ketë edhe një improvizim të Kullës së Boletinëve përballë Bustit të Heroit dhe sheshi do të marë emrin “Sheshi i Plisave”.
Nga politikanët shqiptarë deri më tani kanë konfirmuar pjesëmarjen e tyre Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli dhe Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë Lulzim Basha.
* Autorja e këtij shkrimi eshte mbesë nga Famija e Boletinëve