Nga Behelul Jashari/
PRISHTINË, 31 Maj-Isa Mustafa rikonfirmohet kryetar i LDK-së. Udhëheqësi aktual është zgjedhur me votim të hapur. Sipas delegatit Rexhep Gjergji, ai është zgjedhur me vetëm dy vota kundër.
Punimet e Kuvendit të 8 Zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës nisën mëngjesin e së dielës, ndërkohë që 10 delegatë të diasporës janë përjashtuar sipas vendimit të Kryesisë, i cili ka vlerësuar se zgjedhjet në dy degë, konkretisht në Zvicër dhe Gjermani, nuk janë zhvilluar në mënyrë të rregullt.
Përveç Isa Mustafës, kandidaturën e kishte paralajmëruar edhe deputetja Vjosa Osmani. Por, në mënyrë që t’i konfirmohej kandidatura, sipas Statutit të LDK-së, Osmanit i nevojiteshin 50% +1 vota të delegatëve, ose 178 delegatë nga 355 gjithsej që ka ky Kuvend.
Kuvendi i LDK-së vazhdoi punimet me dyer të mbyllura, ndërsa u mësua se delegatët diskutuan mbi heqjen e nenit 16 të rregullores, sipas të cilit nevojitej miratimi i kandidaturës për kryetar të LDK-së, përpara se të fillonte votimi i fshehtë. Burime brenda Kuvendit thanë se, disa delegatë këmbëngulën që të hiqej ky nen, pasi pamundësonte kandidimin e dy kandidatëve për kryetar.