-ME 1 SHKURT 2021- KOSOVA DHE IZRAELI LIDHIN MARRËDHËNIET DIPLOMATIKE/
Në 1 Shkurt 2021 Kosova dhe Izraeli lidhin marrëdhëniet diplomatike/
-Ministria Kosovare e Punëve të Jashtme dhe Diasporës: Njohja nga Izraeli është ndër arritjet më të mëdha për Republikën e Kosovës e cila është bërë e mundur falë mikut e aleatit tonë të përjetshëm, Shteteve të Bashkuara të Amerikës/
PRISHTINË, 29 Janar 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës dërgoi sot këtë komunikatë:
Republika e Kosovës po hyn në një etapë të re historike me Shtetin e Izraelit. Shtetësia dhe subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës po konsolidohet fuqishëm.
Ditën e Hënë me datë 1 Shkurt, me një ceremoni solemne virtuale, do të firmoset formalizimi i marrëdhënieve diplomatike mes Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Izraelit.
Firmosja zyrtare e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike do të bëhet nga Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj. Meliza Haradinaj-Stublla dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Izraelit, z. Gabriel Ashkenazi.
Njohja nga Izraeli është ndër arritjet më të mëdha për Republikën e Kosovës e cila është bërë e mundur falë mikut e aleatit tonë të përjetshëm, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Ky moment tejet i rëndësishme për ne, është përjetësim i miqësisë së gjatë, mes popujve tanë, që tani po kurorëzohet me lidhjen e marrëdhënieve diplomatike”, është shprehur me këtë rast shefja e diplomacisë kosovare, duke shtuar se Kosova është përjetësisht mirënjohëse ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Për detajet e ceremonisë mediat vendore e ndërkombëtare do të njoftohen me kohë.
Me rëndësi:
Linku i video mesazhit të Ministres znj.Meliza Haradinaj-Stublla.
https://www.facebook.com/105233457889389/posts/232950885117645/