“Europa sot ende duket bërë dhe duhet menduar. E shkuara propozon por nuk zotëron. E tashmja është e përcaktuar, sa prej rastit dhe prej arbitrit të lirë, aq edhe nga trashëgimia e së shkuarës”/
Nga Arjan Th. Kallço/Studimet historike europiane këto ditë humbën një prej njerëzve më të shquar të kërkimeve historike, edhe pse francez ai dha një kontribut të rëndësishëm jo vetëm për vendlindjen e tij, por edhe për gjithë kontinentin. Ia dedikoi jetën e vet Mesjetës dhe ngjarjeve historike të kohës, duke sjellë në vëmendjen e të gjithëve mendimin e vet. Shtypi i huaj e konsideron si Historianin më të madh francez që me punë e tij shkencore, së cilës i bashkoi edhe atë përhapëse, e bëri Mesjetën të gjallë dhe popullore, duke i apasionuar edhe lexuesit e zakonshëm. Dhe mendja detyrimisht na shkon tek historia jonë dhe moria e studiuesve të cilët në këtë kohë, të shumtë si kërpudhat, të kapur nga kushedi se çfarë ethesh, në vend që të ndjekin shembullin e historianëve, si Jacques Le Goff, bëjnë të kundërtën, duke dashur ta prishin imazhin e historisë sonë me një arbitraritet të pashoq. Historia si dhe shumë shkenca kanë nevojë për një studim të gjatë dhe të hollësishëm, ku ngjarjet të mos studiohen në sipërfaqe, por në brendësi të tyre. Historia e shkuar e largët nuk ka gojë, por ka dëshmi të gjalla të ruajtura në memorjen e një kombi, fakte dhe të dhëna të cilat duhet të studiohen drejt, të kuptohen dhe interpretohen nga një mendim i pjekur dhe autoritar, duke mos i lënë vend amatorizmit apo studimeve të përcipta dhe me karshillëqe. Në histori ka patur dhe do të ketë gjithmonë edhe mendime të kundërta për ngjarjet e së shkuarës, por gjithësesi këto duhet të mbeten larg imponimit të komanduar nga politika, sepse dihet që politika është e kapur nga interpretime jo të drejta dhe të pranueshme që detyrimisht lidhen me interesin e vet dhe të paraardhësve të tyre. Një histori e politizuar do të ecë gjithmonë me dy kahe, njëri pro përpjekjeve të popullit dhe patriotëve që, në shumicën e rasteve, dalin fitimtarë dhe tjetri me humbësit. Historia jonë e shekullit të kaluar që nga viti 1900 ka shumë probleme për të zgjidhur dhe për të hedhur dritë mbi ngjarjet, por kurësesi nuk mund ta fshijë boshtin themelor të ecurisë së saj. Një popull me histori të përçarë dhe me dy kahe, do të mbetet gjithmonë i ndarë dhe pa asnjë qartësi në ngjarjet që i siguruan mëvetësinë dhe lirinë. Por po i kthehemi modelit të historianit francez që dje e nderoi jo vetëm Franca. Përse e nderuan? Sepse në punë e vet ai u udhëhoq nga puna e tij plot pasion, pra një historian nëse nuk ka pasionin në punë, por thjesht është robot, kurrë nuk do t’i marrë seriozisht gjërat. Së dyti kërkohet një qëndrim i pavarur në lidhje me ngjarjet dhe faktet, ndryshe do të bjerë nën ndikimet e këtij apo atij grupimi politik. Së treti në mendjen e tij duhet të ekzistojë vetëm e vërteta historike, natyrisht racionalizmi të jep mundësinë t’u afrohesh atyre, por dihet, pa mundur kurrë ta zbulosh në tërësinë e pakundërshtueshme të tyre.
Historiani francez pati edhe fatin që të ishte jetëgjatë në dy kohë si të Luftës dhe të paqes në Europë dhe kjo i krijoi mundësitë që të punonte i çliruar nga presionet dhe konjukturat e kohës. Le Goffi lindi në Tolonë më 1 janar 1924, më vonë ishte nxënës i Shkollës Normale të Lartë dhe më pas, në vitin 1950, u bë profesor i asociuar i historisë në Universitetin e Parisit. Më pas u zhvendos në Lilë dhe në gjithë vitet ’60 ishte studiues në Qendrën Kombëtare të Kërkimeve Shkencore të Parisit. Në atë kohë u bë edhe koordinator i revistës së famshme Annales. Sipas shtypit italian ishte një prej figurave të shquara që doli nga shkolla e “Annales” franceze që drejtoheshin nga mjeshtërat Ferdinand Braudel dhe Maurice Lombard. Mendimi i tyre karakterizohej nga gjithështrirja e vëmendjes së tyre ndaj problemeve të ditës dhe jo vetëm ndaj ngjarjeve të mëdha; ndaj bashkimit të historisë dhe gjeografisë me optikën sociologjike dhe antropologjike, për një rindërtim historik dinamik që e kthen vëmendjen ndaj lindjes së ideve, zakoneve, modifikimeve të modeleve ekonomike.
Në vitin 2000 mori Honoris Causa në Filozofi në Universitetin e Pavias. Në Francë ai
konsiderohet babai i Historisë së re, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në të vërtetat hsitorike të Mesjetës. Ka botuar shumë vepra dhe ese’, ku mund të përmendim ato që i dhanë famën e një studiuesi tepër të përkushtuar dhe të drejtë, si Intelektualët e Mesjetës, Fillimet e Mesjetës, Qytetërimi i Perëndimit mesjetar, Tregje dhe bankierë të Mesjetës, E mrekullueshmja dhe përditësia në Perëndimin mesjetar etj. Por veprimtaria e tij i kapërceu kufijtë francezë dhe mbërriti në Itali, ku kishte bashkëpunim shumë të mirë me Einaudin për librin Historia e Italisë, por në të njëjtën kohë kishte edhe shumë miq, midis të cilëve historianë dhe intelektualë, veçanërisht mund të përmendim studiuesin Umberto Eko, i cili e atashoi si ekspertin e padiskutueshëm të Mesjetës tek filmi Emri i Trëndafilit..