Kryeparlamentari Jakup Krasniqi është paraqitur në Prokurorinë Speciale, ku po merret në pyetje nga një Prokuror i EULEX-it, si i dyshuar për krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovë, gjatë periudhës 1998-1999.
Ai ka arritur te Zyrat e EULEX-it në dalje të Prishtinës me vetura të Kuvendit të Kosovës, njoftuan mediet elektronike. Zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi, nuk e ka komentuar lajmin se kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, është i dyshuar për krime lufte në periudhën 1998–1999. “Prokuroria Speciale e Kosovës nuk ka koment në lidhje me këtë ngjarje”, ka thënë Krasniqi për Telegrafin.
EULEX ka zgjeruar hetimet për krime lufte në Kosovë gjatë viteve 1998-1999. Portali lajmi.net raportonte se kryeparlamentari Jakup Krasniqi, i cili ka qenë njëri nga anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, gjatë ditës do të mund të merret në pyetje si i dyshuar për krime lufte ndaj popullatës civile, gjatë periudhës 1998-1999, varësisht nga rezultatet e hetimeve, mund të përfshihet në aktakuzën që tashmë ngritur për Sylejman Selimin, Ismet Haxhën, Nexhat Çubrelin dhe Shefki Hysenin.