Nga PIRRO LOLI/
Jani Ilia Dilo është një personalitet tejet kompleks që ndriti në dy fushëbeteja të mëdha: në atë të luftës që zgjati 10 vjet (39-44 kundër fashizmit italian e gjerman dhe 44-49, kundër komunizmit )dhe në atë të dijes që zgjati terë jetën e tij. Në baltën 70 vjecare, hedhur mbi të ka mbirë bar i zi. Por balta dhe llumi nuk mundën ta tjetërsojnë thelbin e kwtij njeriu që unë po e them me bindje se ishte misionar i kombit shqiptar..
Më tepër se Dita dhe fama e dilenje, sot le të jetë kjo ditë që na ofron Shoqata kulturore “Çajupi” dita jonë, dita e fjalës së lirë, dita e një mirëkuptimi dhe pajtimi të gjerë shoqëror, a thirrje modeste për të zbuluar të vërtetën. Por e vërteta historike si thelb është e prirë të lërë copa nga vetvetja, edhe kur shkruhet nga fituesit dhe nga humbësit.
Dilenjtë jetuan me nder, ata i dhanë emër kohës së tyre, por lartësuan dhe majat e Dhëmbelit e të Cajupit dhe supet e kombit; ata ishin ushtarë shembëllorë me penë e më pushkë dhe sot nuk kërkojnë ndere e dekorata. Ne, më tepër se ata, kemi nevojë të ngrihen flamujt e së vërtetës në historinë e këtij vendi.
Ata që dënuan Aristidh Rrucin e Jani Dilon, që i mbuluan dilenjtë me heshtje, që u lëvizën dhe eshtrat, ata që i burgosën e i torturuan një jetë të tërë, gratë, djemtë dhe nipat, persekutorët, që nuk kanë munguar as në Zagorie, po harrohen, ndërsa Dilua e Rruci, Jani, dhe krejt familja e madhe e dilenje, të ringjallur tashmë deri në nivelin “Nderi i Kombit”, ashtu të freskët e të bukure fisnikë, po i afrohen atdheut me amanete të rënda. Zagoria e vogël që nuk kishte as njëmijë banore ka pasur një elitë të shquar intelektuale. Atë, fshatin e vogël “me kishë e me varre”, e bënë të madhe e të dëgjuar bijtë e saj më të mirë, njerëzit e mençur, të penës e të dyfekut. Zagoritët kanë qenë gjithmonë më këmbë për ardheun e ndizen si ajo eshka e thatë që e merr zjarrin me një fërkim.
Burra dhe djem të tillë, si A.Z Cajupi, Mihal Harito, Aristidh Rruci, Ilia Dilua, Petro Harito, Jorgji Çakua, Diogjen Haritua, Kostika, deputetët e saj në të gjitha regjimet , dhjetë dëshmorët e shenjtë me në krye heroin Themo Vasi, komandantin e shquar, Pano Xhamballo, misionari i spikatur Jani Dilo etj, mbi të gjitha kishin një vizion te qartë kombëtar.
Për zagoritin, cdo gjë që i ndodh atdheut i ka ndodhur dhe atij. Natyrisht e vërteta e një kombi, nuk është sumim i të vërtetave individuale. Njeriu nuk është identik me njerëzimin. Dhe krimbat e një peme nuk do të thotë se janë të të gjithë pyllit.
* * *
Jani Dilo lindi më 17 janar 1911. Krejt moshës së adoleshencës dhe rinisë ( në liceun e Gjirokastrës dhe të Korces)ka qenë nën mbikëqyrjen e të atit, mësuesit të madh Ilia Dilos. Është pak të themi se qe nxënës i shkëlqyer. Ka qenë shok shkolle me Enver Hoxhën në lice. Pas liceut të Korcës ndjek studimet e akademisë ushtarake në Romë dhe paralel me të vazhdon studimin për financa dhe shkencat politiko shoqërore sidomos ato juridike. Si oficer i ri shërben në Korcë, gradohet shpejt në pozitë dhe më 1933 (23 vjec) emërohet sekretar i përgjithshëm në shtatmadhërinë mbretërore.
Ditët e para të atij prilli të zi të 1939-s Jani Dilon e gjen në Korcë me preokupimin e një organizimi ushtarak kundër fashizmit. Më 5 prill në krye të ushtërisë niset për Këlcyrë, merr urdhër për t’u kthyer dhe më 7 e 8 prill gjendet në Larisa. Në kalimin e tij dezertues, Mbreti Zog zgjodhi oficerin e tij të njohur për ta shoqëruar, por Jani nuk ndoqi udhën e mbretit , as të lumturisë së tij, ai kthehet menjëherë në atdheun e pushtuar. Në Korcë takon një gjeneral italian, ish pedagogun e tij në Akademinë e Romës. Ai zgjatet ta përqafojë ish studentin e tij të shkëlqyer, por Jani Dilo , i vë dorën para dhe i thotë :Të desha e të respektova si profesor, por jo si gjeneral që ke ardhur të pushtosh vendin tim. Ai i propozon postin e ministrit të arsimit. Por, më kot. Ai tashmë do ta shikonte veten ushtar dhe oficer i atdheut me armë në dorë, krye të 2000 forcave gjithmonë të gatshëme, të organizuara në qarkun e Korcës. Ka aktivitetet të dendur ushtarak në Korcë, Leskovik, Kolonjë, Përmet, Skrpar, Malësinë e Veriut dhe në Kosovë sidomos në Prizren. Mithat Frashëri e kish emëruar Kmandant në atë qark e ai shquhej mbi të gjithë i pakursyer si ushtar me armë në dorë dhe si oficer madhor e organizator i talentuar. Italianët e kapin e internojnë në Itali e pas internimit përsëri Jani Dilo është në luftë. Mithat Frasheri e kish projektuar si Ministër kombëtar, por jemi akoma në luftë e Jani do ishte ushtar e komandant. Për tu përmendur : Në Leskovik autoriteti i tij shpëton 100 burra nga pushkatimi dhe Leskoviku nuk u dogj sic kish vendosur komanda italiane.
Në Kosovë një grup kosovarësh donin të hakmerreshin ndaj një grupi serbësh të kapur rob. Jani Dilo urdhëron prerë: “Në asnjë mënyrë. Ne duhet të fitojmë me vetveten. Në doni të vrisni, vritmëni mua.” Në shumë shkrime të tij ai proteston ashpër kumdër komunistëve sidomos ndaj Mehmet Shehut dhe agjentëve jugosllavëve të tipit Mugosha, që vrisnin njerëz të pafajshëm dhe pushkatonin edhe robërit. Nuk donte terror dhe vëllavrasje. I tha Mehmet Shehut ne Kuçovë : “Nuk mund t’i jap dorën , dorës sate që është lyer me gjak shqiptari”. Ato vende ku shkelte këmba e tij ishin ishuj lirie. Jani nuk humbi asnjë beteje, anipse PBK, për arsyet që dihen dhe nuk dihen akoma, humbi luftën. Nuk harrohen, Betejat në Barmash dhe Qafë Thanë ku komandoi edhe forcat partizane e ku mbetën dhjetra gjermanë të vrarë.
“Shkemb dyfeku” e quajti Jani Dilo-n Mit’hat Frasheri në mbledhjen e K. Q. Me te drejtë Bazi i Canes tha: luftë kundër gjermaneve di të bejë vetem Jani Dilo ,ballë pëer ballë me ta e jo, 3 dyfekë e pastaj mbathja nga sytë këmbët….Në Korcë, para Bashkisë dora e një atentatori u drodh përpara Jani Dilos, dhe plumbi kapi qytetarin H.F. Oficerët anglezë dhe ata amerikanë që ndihmonin forcat partizane në Shqipëri vetëm premtonin se do të këtheheshin… E, ajo ditë që nuk erdhi kurrë, lidhej me stinën kur të “fillonte me dalë gjethi i fikut…” ndërkohë, dimri bolshevik, po thante edhe barin e fushave…
Jani Dilo dhe BK punuan me mish e me shpirt për Marrveshje, Por, sic dihet marrveshja e Mukjes u tradhëtua djallëzisht , akt ky që i kushtoi Shqipërisë një dramë gjakatare me regjisor agjentëturën serbe. Akademiku Jani Dilo që luftoi kundër fashizmit italian e gjerman e humbi luftën dhe në fund të nëntorit, 44`, sw bashku me liderin e tij Mit`hat Frashërin arratiset me një barkë për Itali.
Theksoj se brenda mureve të burgut dhe në arrati jashtë atdheut, nacionalistët, nuk e bindën dot kohën e vet me drejtësinë e vet. Drama e tyre mori përmasat e një drame kombëtare ku ata,“reaksionarët”, intelektualët e vërtetë të dyerve të mëdha të Shqipërisë e të universiteteve evropiane, – nuk arritën të realizoheshin, sepse liria e tyre ishte liria e munguar e kombit shqiptar. Më 6 mars 1945 Jani Dilo dënohet nga gjyqet ushtarake si kriminel lufte e tradhëtar.
Para se të largohet për në USA, 1950, ai, ra viktimë e një loje aspak objektive dhe të ndershme antikomuniste e drejtuar me verbëri nga aleatët britanikë dhe amerikanë. Kjo ndërmarrje ngarkon me përgjegjësi sidomos pseudomiqtë e aleatët tanë britanikë që për mendimin tim, po luanin thjesht një aventurë provokuese duke sakrifikuar edhe më gjakun e viktimave të parealizuara, tashmë mundës. Jani Dilo, i pari nga oficerët shqiptarë që i tha lordit Barthel se po hiqte dorë nga ajo aventurë sepse kish nuhatur tradhëtinë. Pas këtij monenti ai strehohet në USA dhe në të gjitha shkrimet e tij publicistike në disa gjuhë do mbronte lejmotivin e tij, se vatani duhet të çlirohet nga të vetët…
Ai nuk qe një ushtarak i thjeshtë, qe një strateg e politikan . Duke folur në ansamblene e Shteteve te roberuara , J. Dilo që, jo më kot, ishte zgjedhur si kryetar i delegacionit te Bashkimit Ndërkombetar te fshataresisë deklaroi se një politikë çlirimi “ do te thotë praktikisht qe Bashkimi Sovjetik të detyrohet të tërhiqet në kufijtë e mëpareshem”.. ka ardhur koha për ndryshime” E. D.fq. 272-273) . Kjo deklaratë do të thoshte përmbysjen e Jaltës famëzezë që i dhuroi Stalinit gjysmën e Evropës. Tashmë jemi dëshmitarë si u shpërbë Evropa komuniste dhuratë për Stalinin. Shpërbërja erdhi nga vetë komunistët, ndërsa Ruzvelti dhe Curcilli tashme harruar, duhet të dridhen që i jepnin dhurata Stalinit popuj dhe shtete…midis tyre dhe Shqipërinë e vogël.
Jeta e Jani Dilos është jeta e një trimi, e një intelektuali të shquar enciklopedik, fisnik e njerëzor, me aktivitet të spikatur patriotik për liri e demokraci. Edhe në mërgimin e detyruar politik, nuk rreshti kurrë edhe kur propaganda bolshevike kulmonte gjithandet plot urrejtje, por koha dhe mendimet e tij treguan se gjinkalla nuk u bë kurrë bilbil ! Deviza e tij është libri që e barazonte me lirinë. Tërë jetën vazhdoi studime pas universitare , mori disertacione e doktorata, jo vetëm në artin ushtarak, por kryesisht në studimet mbi shtetin dhe Të drejtën ndërkombëtare. Shquhej për kulturë shumë të gjerë elitare në shumë fusha edhe jashtë profileve të tij universitare e akademike si në gjuhësi e kritikë letrare me shkrime për rilindasit, Fishtën e Migjenin. Jani Dilo në gjurmët e të atit të madh ishte poliglot i talentuar. Që në klasën e tretë filloi të mësoi italisht, në vazhdim frëngjisht. Në Lice mësoi greqishten e vjetër dhe latinisht. Më vonë, përvetësoi gjermanisht, anglisht e i pangopur për dije mësoi edhe spanjisht dhe rusisht.
Ai qe bilbil në fjalë e mjeshtër në shkrim. Falë gjuhëve të huaja fitoi vendin e analistit në “Zërin e Amerikës” dhe dërgonte artikuj në shumë gazeta e revista. Kish stilin e një shkrimtari dhe mendimin e thellë të filozofit. Në asnjë rast, pra kurrën e kurrës, nuk shihte ndonjë dallim midis dëshmorëve të atdheut. Gjakun e tyre të pastër e sheh në valëzat e flamurit kombëtar kuq e zi. Më 31 korrik 1944 ai shkruante në ditar: “T’i lutemi Zotit që dëshmorët t’i vendosim ndër shenjtorët e kombit”. Jani Dilo ka realizuar dhjetëra portrete në personaliteteve shqiptare. Nuk është e rastit që njihej me dy presidentë amerikanë, shkëmbente kartolina për Krishtlindje e Niksoni i paska thënë se “Po. Diçka do të bëjmë për Shqipërinë”. Njihej me Pikason piktorin e madh botëror që i paska falur dhe tre piktura, sot, me vlera kolosale. Kish korrespodencë edhe me Nolin, Për të kanë shkruar dhjetra gazeta, kanale Tv e qindra personalitete të luftës e të kulturës. Në pamundësi për t’i përmendur veçoj gjuhëtarët e mëdhenj, Cabein dhe Petro Zhejin, politikanët Enver Hoxha, Ahmet Zogu, Mit`hat Frashëri, Abas Ermenji, dhe anglezët Maklin e Barthel, personalitete të shume fushave, profesorë, doktorë, shkrimtarë, avokatë të dëgjuar, gazetarë…Jani Dilo ishte gazetë folëse nëpër botë, një kanal televiviv shqiptar. I kudondodhur, gjithmonë shkruante për Shqipërinë, Kosovën e robëruar, dhe kombin, në Romë e Nev York, në Londër e Paris, tek mbretëresha e Anglisë dhe mbreti i Spanjës, në Vashington, Turqi, Hindi, Greqi, Amerikën Latine…Kudo ishte zëri i fortë i një shqiptari misionari. Heshtje varri, mallkim dhe ndëshkim ishte vetëm në Zagorie. Ky shqiptar i madh misionar i Shqipërisë së re, mungonte vetëm në Shqipëri. Ramis Alia , akoma pa vdekur Enveri ka thënë: “Kemi një armik të rrezikshëm në Amerikë., Jani Dilon. Partia po mendon për të.”. Pas pak kohësh më 14 janar 1984 u gjet i vdekur në shtëpi në Nev Jork. Kështu u gjet edhe Mit`hat Frashëri, Bilal Xhaferri dhe të tjerë e , të tjerë, kosovarë e shqiptare, që propaganda komuniste i quante “mërgata e qyqeve”, duke shpallur edhe në art një urrejtje gjaku. Por më e rëndë se vdekja ishte llumi i zi mbi veprën dhe personalitetin e tyre.; Prandaj them : kultura shqiptare sot kërkon, prej të gjithëve, vdekjen e skllavit të dikurshëm brenda vetvetes, me qëllim që të qartësojë të vërtetën. Dielli nuk mbulohet me shoshë. Komunizmi bolshevik i dha provat se si shkatërrohen gjërat e shenjta, kombi, feja, prona dhe vetë njeriu. Ashtu sic e parashikonin elitat tona nacionaliste, midis tyre dhe elitari zagorit, Jani Ilia Dilo.
Eduard M. Dilo says
Ju falnderojme i nderuar Z. Pirro, per shkrimin shkruar plot ndjenje respekti dhe dashurie per nje nga figurat qe nuk eshte vetem nder i Sheperit, Zagorise dhe Gjirokastres, por mbare Kombit. Ju lumte! Falnderojme gazeten DIELLI, per publikimin e artikullit.