15 Janar 2020/
I nderuar Presidenti Pavlopulos,/
Emri im është Joseph DioGuardi. Unë jam një ish anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA (përfaqësues nga Nju Jorku) dhe themeluesi e Presidenti i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, një organizatë e regjistruar në SHBA që promovon të drejtat e njeriut të shqiptarëve në Evropën Juglindore si dhe marrëdhënie të forta me Shtetet e Bashkuara.
Paraardhësit e mi e kanë origjinën nga një fshat i vogël shqipfolës, Greçi, në provincën Avellino, Itali. Ata i përkasin pakicës Arbëreshe në Itali, më saktë nga një batalion i ushtrisë së Gjergj Kastriotit Skënderbeut që i dha ndihmë të rëndësishme ushtarake Mbretit të Napolit në Shekullin XV dhe që prej atëherë u vendosën atje.
Grekët dhe Shqiptarët janë popujt më të vjetër në Gadishullin Ballkanik. Ndjenjat e tyre të miqësisë dhe lidhjeve të përbashkëta janë shekullore. Ngjashëm me popullin arbëresh të Italisë, Arbërorët ose Arvanitët e Greqisë kanë dhënë një kontribut thelbësor në Revolucionit të 1821 dhe në themelimin dhe zhvillimin e Greqisë Moderne. Pakicat tona përkatëse sot përbëjnë një urë të fortë miqësie të ndërsjellë, të vazhdueshme dhe të sinqertë.
Për fat të keq, ndërsa i afrohemi 75 vjetorit të fitores në Luftën e Dytë Botërore, Dekreti grek Nr. 2636/1940 për Statusin e Luftës me Shqipërinë mbetet akoma në fuqi si një relike absurde e asaj Lufte dhe një pengesë e madhe midis shteteve të Greqisë dhe Shqipërisë [shiko dokumentin bashkëlidhur, ribotuar nga shtypi lokal].
Siç e dini, Shqipëria humbi pavarësinë dhe sovranitetin e saj pasi Italia pushtoi vendin ushtarakisht më 7 Prill 1939. Sunduesi i ligjshëm i Shqipërisë, Mbreti Zog, drejtoi një rezistencë simbolike dhe u detyrua të largohej nga vendi së bashku me gruan e tij amerikano – hungareze dhe djali i tyre 2 ditësh. Ndërsa Presidenti Ruzvelt nuk e njohu kurrë pushtimin e Shqipërisë, fqinjët e saj nuk lëvizën as gishtin për të mbështetur rezistencën e Shqipërisë kundër Italisë Fashiste.
Ne e dimë nga historia se Italia shpalli luftë kundër Greqisë në Tetor 1940, e ndjekur nga një deklaratë e ngjashme e qeverisë kukull të Shqipërisë së okupuar, e cila nxiti deklaratën reciproke të Greqisë dhe rezistencën heroike të popullit grek. Por, në sytë e Ligjit Ndërkombëtar, çdo shpallje lufte nga një vend i okupuar, siç është Shqipëria, kundër çdo vendi të tretë është e pavlefshme dhe pa asnjë efekt.
Në mënyrë të ngjashme, në dhjetor 1941 Qeveria italiane shpalli luftë kundër Shteteve të Bashkuara, dhe kështu bëri edhe qeveria bashkëpunëtore shqiptare.
A do të thotë kjo që Shtetet e Bashkuara ishin de jure në luftë me Shqipërinë në 1941, dhe për pasojë, a është de jure tani në luftë?
Unë po sjell në vëmendjen tuaj pozitën parimore të qeverisë amerikane që shpreh:
“Aneksimi i Shqipërisë nga mbretëria italiane nuk është njohur kurrë nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara. Qeveria e kukullave e Shqipërisë i shpalli luftë Shteteve të Bashkuara më 17 dhjetor 1941. Shtetet e Bashkuara nuk i kanë shpallur luftë Shqipërisë” *
Z. President, me sa di unë Greqia nuk i ka mbajtur premtimet e saj për Shqipërinë për shfuqizimin e këtij Dekreti. Në të vërtetë, rifillimi i marrëdhënieve dypalëshe greko-shqiptare në vitet 1970 ishte parakusht për një hap të tillë. Gjithashtu me sa kuptoj unë, Qeveria e Shqipërisë ka kërkuar vazhdimisht dhe në mënyrë të përsëritur shfuqizimin e këtij Dekreti. Ish Presidenti i Shqipërisë Prof. Dr. Rexhep Meidani e ngriti këtë çështje edhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB në SHBA në Shtator 2000. Duket se Presidenca greke ka bllokuar një veprim të tillë kaq të domosdoshëm dhe të tejzgjatur.
Me respekt po ju tërheq vëmendjen se Ligji grek për Statusin e Luftës me Shqipërinë, si një shkelje e ashpër e së drejtës ndërkombëtare, përbën një shkelje të Kartës së Kombeve të Bashkuara, sepse në thelb ajo minon “paqen dhe sigurinë”. 1, Neni 1. Qëllimi] dhe indirekt përbën “një kërcënim … kundër tërësisë territoriale” të Shqipërisë [Nyja 2.4, Parimet].
Shfuqizimi i këtij Dekreti është një çështje urgjente me rëndësi jetike për popullin e Shqipërisë dhe për paqen dhe sigurinë në Evropën Jug-Lindore, dhe nuk mund të zgjidhet përmes “negociatave”, ndonjë “marrëveshje pakete” ose ndonjë programi shkëmbimi të diçkaje që kërkohet për diçka tjetër.
Nga ju, si President i Republikës miqësore greke, kërkohet një hap i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë: të shfuqizohet ky ligj menjëherë, pa kushte dhe ex tunc, d.m.th në mënyrë retroaktive dhe sikur të mos ketë ekzistuar kurrë që nga dita e hyrjes në fuqi të tij.
Ky do të jetë një kontribut i madh për miqësinë e lashtë midis dy popujve tanë, për paqen dhe stabilitetin në Evropë, dhe me siguri do t’i tregojë botës se Greqia me të vërtetë respekton të drejtën ndërkombëtare, siç pretendon ajo.
Do ju kujtohet, zoti President, atë që i tha Presidenti ynë i madh Ronald Reagan Presidentit të BRSS në Berlin në 12 qershor 1987: “Z. Gorbaçov, SHEMBE KËTË MUR”.
Pa dashur të bëj ndonjë krahasim me personalitete kaq të mëdha, lirisht dhe publikisht i bëj Shkëlqesisë tuaj një thirrje të ngjashme historike:
“Z. Pavlopoulos: GRISENI KËTË DEKRET MBRETËROR”.
Populli i Greqisë dhe Shqipërisë e meritojnë atë, dhe ata e meritojnë atë tani.
Me urimet më të mira për Shkëlqesinë Tuaj dhe popullit grek për një vit të mrekullueshëm dhe Gëzuar Vitin e Ri 2020.
Me respekt,
Joseph J. DioGuardi
Në dijeni:
H.E. Ilir Meta, President of the Republic of Albania
Honorable Mike R. Pence, Vice President of the United States of America
H.E. Edi Rama, Prime Minister of the Republic Albania
Hon. Besiana Kadare, Permanent Representative of the Republic of Albania to the U.N.
Hon. Floreta Faber, Ambassador of the Republic of Albania to the United States
*Procesverbali i Departamentit të Shtetit në lidhje me Punët e Brendshme të Shqipërisë, 1910 —1944, Administrata e Shërbimeve të Arkivave Kombëtare, Letra e Paul T. Culbertson, Ndihmës-shefi i Divizionit të Çështjeve Europiane, 9 nëntor 1942, 875.01 / 426