Kryetari i Dibrës Ruzhdi Lata takohet në 8 Mars me komunitetin dibranë në Staten Island/
Nga Beqir Sina/STATEN ISLAND : Njoftohen të gjithë dibranët në zonën e Tri- Shtetshit se të shtunën më datën 8 Mars 2014 ora 12 e mesëdrekës deri në orën 4 të mbasdrekës, do të mbahet takimi me të parin e Komunës së Dibrës maxhistër Ruzhdi Lata. Takimi do të mbahet në lokalin e njohur Klubi Dibra me pronar bashkëqytetarin tonë Titi Maqellara dhe gjendet në adresën Bay Street, Staten Island – Siper tek BARI PIZZA. Takimi është i organizuar nga Shoqata Atdhetare Dibra dhe është i hapur për të gjithë dibranët. Ky takim ka një rëndësi të veçantë për të tu takuar dhe për të zhvilluar një bashkëbisedim me Kryetarin e Dibrës, dhe dibranëve që kan një pjesë të jetës së tyre në Dibër të Madhe. Dhe jetojnë me hallet e brengat e familjeve të tyre në Dibër të Madhe.Do të diskutohet çështja e regjistrimit të dibranëve në SHBA për votimet në Maqedoni dhe ajo i devijimit të Lumit të Radikës.Kryetari i komunë së Dibrës , Ruzhdi Lata, si kryetar komune, ka dëshmuar për këto 11 muaj prej se kur e mori Komunën në drejtimin e tij se ka për të realizuar gjitha projektet e pushtetit vendor. Të cilat ishin edhe premtimet e tija elektorale. Ai gjithmon ka shprehur kënaqësinë e tij si kryetar i Dibrës duke potencuar se është kryetar për të gjithë, pa dallim politik, fetar apo nacionaliteti.
“Pushteti vendor në fillim të mandatit tim kishte nevojë për sistemim dhe rregullim të mjeteve financiare, sistemim të vendeve të punës dhe këtë e arritëm me sukses. Në komunën e Dibrës nuk ka më punëtorë me kontratë në vepër por të gjitha kanë vendime, ne nuk duam punëtorë me stres por duam të ketë rehati në vendin e punës”, ka deklaruar në tremujorin e parë të punës së tij si kryetar Lata.
“Kemi paguar shumë borxhe sepse duhej të bëhej një punë e tillë, me këtë rast dua të përmend Ndërmarrjen e Gostivarit “Progres,, një vlerë prej 80 mijë euro. Për mua si kryetar është bashkëpunimi i mirëfilltë me qytetarët , jam i pari kryetar që nuk kam bë asnjë ndryshim kadrovik në komunë e jo më në institucione të tjera” ka potencuar Lata.
Sa i takon projekteve ai deklaruar se për këtë kohë janë bërë shumë punë , asfaltime të lagjeve të shumta. Sipas tij nuk ka pasur tender në këto projekte, sepse i gjithë materiali është ofruar nga ana e pushtetit vendor ,ndërsa krahu i punës ka qene vetë qytetari i lagjes.
Ai ka pasur në fokus asfaltimin në lagjen Varosh, lagja e Inqarit, rruga “Dervish Mustafa”, rruga “22 Dhjetori” lagja Konjarëme rrugën “Xhavit Ushtelenca”, lagja Tabakane, lagja Bomovë, asfaltime të rrugëve dhe mbushje të gropave në qytet. Përgatitje për pllakëzim të rrugëve tjera të qytetit, përmirësimi i gjendjes së rrugës për në kalimin ndërkufitar “Bllatë,, në bashkëpunim me ndërmarrjen “Rrugët e Maqedonisë”, asfaltimi i rrugës në lagjen Rajçicë, ndikimi i përfundimit në aksin rrugor Dibër-Strugë, vendosja e gurthemelit të gjimnazit në fshatin Mogorçë.
Kryetari Lata gjithashtu ka në plan edhe disa projekte të tjera në sferën e urbanizmit për planin e përgjithshëm detal urbanistik,rikonstruimin e pusetave të ujësjellësit,si dhe takimet dhe pjesëmarrjet e tij nëpër manifestime të ndryshme si brenda ashtu edhe jashtë shtetit.
Këto janë disa nga projektetet e tij për të cilat ju si dibran që keni një pjesë të jetës suaj atje në Dibër të Madhe, dhe çdo ditë mendoni e punoni edhe për prindërit tuaj atje që mund t’i diskutoni së bashku me të parin e Dibrës – Kryetarin e Komunës magjistër Ruzhdi Lata.