Homazh me rastin e 20 vjetorit të rivarrosjes së të pushkatuarve të pafajshëm në Matjan të Lushnjës/
Nga Esat ÇOKU/
Ne Foto: Ish deputeti i PD Esat Coku, duke u intervestuar nga gazetari Beqir Sina, ne pervjetorin e perkujtimit te Abaz Kupit, prane varrit te tij ne Queens, NY/
…Masakra që kreu Mehmet Shehu në fshatin Matjan të Lushnjës(disa e quajnë masakra e Garunjasit, disa e Golemit) në tetor të vitit 1943, është ndër më të egrat në historinë e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri dhe kundërshton historiografinë komuniste, e cila pretendoi për 50 vite se Lufta Nacional Çlirimtare nuk kishte karakter vëllavrasës, por ishte lëvizje për çlirim Kombëtar. Masakra i paraprinë luftës civile, ku marrja e pushtetit ishte qëllimi kryesor i Partisë Komuniste, e cila në vend që të luftonte pushtuesin, nxiti urrejtjen dhe u ktheu pushkën vëllezërve nacionalistë.
20 vjet më parë/Ajo ditë nuk më hiqet nga kujtesa, edhe pse kanë kaluar 20 vite. Ngjiteshim me vështirësi drejt Majës së Shkujkës për të shkuar tek vendi ku kishte ndodhur masakra, në fshatin Matjan (në fakt si vendbanim i “armiqve” ai kurrë nuk u quajt fshat sepse e lanë anonim për hir të biografisë.) E përpjeta është e thiktë dhe këmbët të rrëshqasin nga që vend është shkëmbor. Edhe pse nuk i kalon të 200 metrat, Shkujka të duket e paarritshme, po të kesh parasysh ngjitjen e saj nga niveli fushor në atë kodrinor. Kjo quhet ndryshe edhe Kodra e Shënjimit, e marrjes shenjë. Në fakt është një kodër dominante e Darësisë së Lushnjës, ka qenë strategjike në përplasjet e ushtrive pushtuese ose kalimtare. Është një emërtim që mund ta ndeshësh në topografinë ushtarake. Ndërsa vendasit e zbërthejnë ndryshe toponimin “Shkujka”- Shkoji uji; uji shkoji. Fshati që është në këmbët e kodrës, Shegasi ka shegë shumë, por jo ujë. Dikur uji pat shpërthyer majë kodrës, por barinjtë sipas legjendës, e mbushën pusin shpërthyes me delet dhe leshin e tyre dhe që atë ditë uji shkoi nga ato kodra. Pikërisht në vjeshtën e largët të vitit 1943, në rrugën gjarpërore që përdridhej mes masiveve shkëmbore hiqej zvarrë edhe kolona e djemve të Myzeqesë, që patën pranuar thirrjen e Ballit Kombëtar për të çliruar Atdheun. Ata ishin çarmatosur në fshatin Golem dhe ashtu duarlidhur mezi çapiteshin në atë të përpjetë që të merrte frymën. Ku po i çonin? Askush nuk e dinte. Përshpëritej se atje po i priste Mehmet Shehu i tmerrshëm, komandanti i Brigadës së Parë Partizane. Ata që i shoqëronin nuk u treguan gjë, veç u thanë se do t’i çonin atje në shtabin partizan.Kur dolëm në majën e kodrës, dhe hodhëm sytë poshtë, në fushën e paanë të Myzeqesë, na u duk se qëndronim në një ballkon gjigand, ku syri dallonte pas fushës dhe kodrave të Gërmenit, kaltërsinë e detit Adriatik. Atë kohë drejtoja Shoqatën e të Përndjekurve Politikë të Lushnjës. Isha edhe pjesë e Komitetit Ekzekutiv Pluralist. Bashkë me mua ishte edhe sekretari i komitetit Pluralist, gazetari Dalip Greca. Ai ishte pjesë e asaj zone dhe e njihte mirë edhe terrenin, edhe njerëzit, edhe ngjarjen tragjike që kishte ndodhur. Fshati i tij ishte fqinj me Matjanët. Kontributi i tij në atë rivarrim, u vlerësua nga shoqata e të përndjekurve.Banorët e Matjanëve u mblodhën shpejt sapo zbritëm në fshat. Met Matjani me Faikun na japin mikpritje. Kishin ardhur dhe fqinjë të tjerë sapo kishin dëgjuar për qëllimin e vizitës tonë atje. Një zonjë e vjetër në moshë na tregoi: Isha nuse e sapo ardhur atëherë kur ndodhi masakra. Netëve ulërinin qenët dhe ujqërit nga gjaku. Fshati ishte i rrethuar me pyje. Ishte një vjeshtë e ngrohtë kur u vranë ata të gjorë. Aso kohe ne i sillnim bagëtitë për të pushuar në shtëpi deri pasdreke dhe i lëshonim sërish nëpër pyje e lëndina. Edhe unë po përcillja bagëtinë së bashku me kunatin. Ata e kishin kryer masakrën, por ne dëgjuam një rënkim të zgjatur, që na e sëmboi në zemër. Të gjorit nuk i kishte dalë shpirti dhe ai, komandanti i egër kishte urdhëruar një çupë partizane, po ma prish gjumin ai rënkim. Ç’pret? Një breshëri arme ishte dëgjuar dhe zëri qe mekë… Një nga të moshuarit na tregoi: Ishin më shumë se 200 robërit ballistë, që kishin sjellë partizanët para komandantit Mehmet Shehu. Disa nga ata që kishin të njohur në radhët e partizanëve shpëtuan; të tjerëve iu bë thirrje: Kush bashkohet me ne, i falet jeta. Në radhët e ballistëve kishte edhe të rinj të moshës 16-17 vjeçare, kishte edhe të moshës 65 vjeçare. Shumica ishin mbi 20 vjet. Disa prisnin ditën e dasmës, disa kishin lënë nuset në shtëpi, të tjerët fëmijët. Shumica e ballistëve kishte kthyer sytë nga Rakip Xhepa. Mehmeti i qe drejtuar atij: Bashkohu me ne? -Derr bëhem dhe komunist Jo!- i qe përgjigjur Rakipi. Kaq ishte dashur dhe krismat kishin korrë jetë shqiptarësh të pafajshëm. 67 jetë të pafajshme u shuan. Për 45 vjet të gjitha familjet e të vrarëve u trajtuan si familje të armikut të klasës, ku biografia shkatërroi jetë të tjera, la pa arsimuar qindra të rinj, dhe shërbeu si kontingjent për të mbushur burgjet.
Nderimi i viktimave
Shoqëria shqiptare nuk ishte çliruar ende nga makthi i komunizmit kur Shoqata e të Përndjekurve Politikë të Lushnjës së bashku me Komitetin Pluralist morën vendimin që të nderonin viktimat. U desh një përplasje e fortë me shoqatën e Veteranëve të rrethit, të cilët vazhdonin që t’i quanin armiq të pushkatuarit. Debate deri në mesnatë, por ata nuk lëshuan rrugë. Madje paralajmëruan se qytetin do ta kishim kundër në ditën e varrimit të eshtrave dhe se ata do të punonin kundër. U përpoqëm t’i bindnim, por kur e pamë se gjithçka ishte e kotë, u përcollëm edhe vendimin e Komitetit Ekzekutiv Pluralist të rrethit se varrimi do të bëhej përbri parcelës ku ishte varreza e dëshmorëve të rrethit. Ky vendim i zemëroi edhe më shumë. E braktisën takimin që u organizua në zyrën e sekretarit të Komitetit ekzekutiv, detyrë që atë kohë e kryente Dalip Greca. Nuk u tërhoqëm. Ekipi i shoqatës i drejtuar nga Esat Çoku, kryetar dhe i mbështetur nga Vasil Sylari, Hajdar Xhafa, Naim Stravecka, Sherif Kaloshi, Njiazi Bylykbashi e të tjerë, nuk u tërhoqën, edhe kur veteranët paralajmëruan se do të bënin gjithçka që ky aktivitet të dështonte. Në debat me ta mbaj mend se u thashë: Ju nuk po pranoni pajtimin e të vdekurve, po si do të pajtoheni me ne të gjallët, që na keni burgosur e persekutuar? Pasi i mblodhëm eshtrat e të pushkatuarve, i futëm në arkivole, i zbritëm në qytet, nga të gjitha anët vërshuan kërkesa nga të afërmit e viktimave: Na i lini një natë t’i qajmë në shtëpitë tona! Shumica ishin nga Divjaka dhe Çerma. Ua dhamë. Ishte një takim i dhimbshëm mes të gjallëve dhe të vdekurve. Një solidaritet i jashtëzakonshëm i qytetarëve të Lushnjës, Divjakës, Çermës dhe zonave përreth. Ata shkonin dhe ngushëllonin dhe i qanin me ligje sipas zakonit. Nuk i kishte qarë njeri në kohëvdekjen e tyre. I kishin groposur si kafshë në një faqe kodre duke hapur një gropë të madhe atje tek Matjanët. Një miting i përmortshëm me një pjesëmarrje të madhe u organizua në qendër të Divjakës nga Shoqata e të Përndjekurve, mbështetur nga Partia Demokratike dhe Partia Republikane. Në krye ishin; mjeku antikomunist Ihsan Çabej, Seit Prishta, Jovan Rudha, Llazar Sako, Perikli Sota, Xhevit Çela, Gëzim Hajdari, Ilir Zhiti, Hajdar Qerreti, Ylli Sefa, Fred Haxhiu, Liliana Beçka e shumë të tjerë. Një montazh letrar i përcjellë nga Perikli Sota e bëri trumën të përlotej. Telekronisti Viktor Davidhi e filmoi të plotë procesionin. Gazeta “Ora e fjalës” shkroi reportazhin e ceremonisë. Dua të veçoj kontributin dhe mbështetjen e kryesisë së Komitetit Ekzekutiv ët rrethit, Fetah Elezi – kryetar, Seit Prishta-zv/kryetar dhe Dalip Greca – sekretar. Ata ishin njësh me shoqatën e të përndjekurve në të gjitha fazat e ceremonisë, caktimin e vendvarrimit, nxjerrjen e fondeve dhe gjithçka tjetër. Dita e 11 shkurtit dhe mungesa e kërkimit të faljes/Dita e 11 shkurtit ishte e veçantë në qytetin e Lushnjës. Sheshi kryesor i qytetit ishte i vogël për ta mbajtur gjithë atë turmë. 67 arkivole i prinin marshimit drejt kodrës së varrezave të dëshmorëve, ku do të varroseshin edhe ata që qenë konsideruar “armiq”. Lushnja e fiseve të përndjekura; Sefajt, Korreshët, Çelajt, Xhindolët, Murrizët, Sinajt, Kërçit, Matjanët, së bashku me banorët e persekutuar të ish kampeve të internimit të Gradishtës, Grabianit, Savrës, Gjazës, Pluk, Çermë, kishin zbritur atë ditë në shesh, jo për hakmarrje, por për dinjitet dhe nderim të viktimave. Sa shumë lule kishin sjellë lushnjarët atë ditë morti! Nga altoparlantet e vendosura nëpër shtyllat e rrugës, dëgjohej apeli emër për emër i 67 burrave që nga tradhtarë të shpallur padrejtësisht, po ktheheshin në shtratin e lavdisë së munguar për 48 vite.Mbaj mend se në fjalimin përcjellës, u kërkova ndjesë të pranishmëve se për të nisë atë fjalë përcjellëse, kisha marrë hua një shprehje të Patër Anton Harapit, tek po përcillte eshtrat e Çerçiz Topullit dhe Muço Qullit në vitin 1936, “Ndalni burrat e Gjirokastrës, Shkodra e ka një fjalë me Ju!”. Këtë thirrje doja t’u drejtoja sot para se këto arkivole t’i fusim në dhe’ edhe atyre martirëve që u ndëshkuan me plumba pa bërë asnjë faj. Atë fjalë desha t’u përcillja edhe unë dëshmorëve tanë, që u ndëshkuan pse luftuan për Shqipëri etnike, ndryshe nga komunistët, që donin një Shqipëri pa Kosovë e pa Çamëri, në miqësi me sllavët.Dhe shpalosa para turmës që lotonte fjalë zemre. Ceremonia e varrimit ishte madhështore. Veteranët na vëzhgonin nga larg. Nuk u ndjenë mirë që armiqtë e shpallur nga ata u varrosën pranë e pranë dëshmorëve. Ne në fakt kishim pajtuar të vdekurit, por jo të gjallët. Ne as sot s’ndjehemi të pajtuar. Si do të ndjehem unë i tillë, kur në Parlamentin Shqiptar, bashkë me mua si deputet i PD ishte edhe ai i PS, ish-hetuesi im? Si do të ndjehej familja ime që për 45 vjet u burgos e syrgjynos burgjeve dhe bëri jo pak por 70 vite, babai, dy vëllezërit dhe unë? As hetuesi im nuk më tha një herë”më fal”, qoftë edhe për formalitet a kortezi njerëzore. E prita këtë ndjesë që ai ta shqiptonte nga foltorja e Kuvendit, por jo, nuk e pati kurajon. Madje as kur ia kërkova unë. Si do të ndjehemi të pajtuar ku të gjithë ishët dhe bijtë e bllokut kërkojnë ende revansh në radhët e Partisë Socialiste? Si do të çlirohet Shqipëria nga e djeshmja e tmerrshme, kur Ministri i Brendshëm i fundit të kohës së diktaturës, është 20 vite aktiv në politikë?
Lista e 67 ballistëve që u pushkatuan nga Mehmet Shehu: Ndoni Miti Sako, Fani Zoi Trungu, Gori Siku Todi, Jani Spiro Gjeka, Jorgji Spiro Gjoni, Jorgji Xhovan Lala, Kozma Andon Zhuka, Nasi Spiro Zhuka, Koli Xhovan Tashi, Kristo Joti Shkoza, Loni Naun Bita, Llazi Llambi Prifti, Liti Nasi Shkoza, Mihal Tasi Bita, Nasi Llazi Janko, Nasi Simon Sako, Nasi Leksi Zaho, Perikli Kozma Prendi, Pali Teni Zaka, Ristan Gjergji Bani, Simon Nuni Gjini, Stefan Ndoi Prendi, Trifon Leksi Gjeka, Trifon Kozma Gjoni, Todi Spiro Gjyrgji, Vasil Koci Përboti, Myslym Haxhi Bedalli, Ram Koci, Bajram Jeshili, Medi Pirra, Bajram Pepa, Rako Nako, Hysen Dupi, Arif Muço, Rakip Xhepa, Shaqir Sula, Elmaz Xhepa, Çaush Xhepa, Latif Karafili, Shaban Sina, Asllan Vrapi, Hysen Ismaili, Murat Meshani, Bajram Bilbili, Ismail Koçiu, Muhamet Kasmi, Alush Kasmi, Shemsi Arapi, Skënder Arapi, Ymer Bullari, Sabri Bullari, Beqir Cani, Haxhi Sina, Tafil Lluzha, Ibrahim Lluzha, Arif Halili, Kadri Murrizi, Ismail Murrizi, Hysen Murrizi, Haxhi Murrizi, Gaqi Ndoni, Ndini Ndoni, Isuf Buzi, Shyqeri Leka, Ramazan Kofsha, Shefik Tata, Gori Lala.(Dielli –arkiv)
sami repishti says
Falemnderit Z. ÇOKU per kete shkrim ndriçues. Emnat e viktimave te pafajshme kane tashti edhe nji faqe gazete ma shume qe te lexohen nga brezenite e ardhme. I perjetshem qofte kujtimi i tyne.
Sami Repishti