Julia Gjika/
Me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës/
FLAMURTARES KOSOVARE/
Nuk dija asgjë për ty/
deri ditën e demonstratës,/
as emrin./
Me emër të ri të thirrën:/
“FLAMURTARE”./
Më erdhe pranë Ylfete,
të ndjeva frymëmarrjen.
Kur ngrite lart flamurin,
shpalose dëshirat rinore,
kur plumbat të goditën,
u drodhën zogjtë e ikën,
u këputën petalet e marsit,
u përflak drita e diellit,
dhe e gjithë Kosova.
I fale trupin, emrin,
“Flamurtare e Lirisë”.
Kosovës i linde
të reja Shote Galica.
Mars – Prill, 1981.
– – – – – – – –
Kushtuar dëshmores Ylfete Humolli, nxënësja që i doli para tankut sërb e mbështjellë me flamur.
IBRAHIM RUGOVËS
Atë që askush nuk e shihte,
Ti e pe, ende udhën pa e nisë:
Qiellin e kaltër përtej reve,
Kosovën, në krahët e Lirisë.
Tek shkëmbinjtë përplasen valët
Era shkon e vjen si e marrë.
Njerëzit, gurët edhe drurët
Kanë ankth, kanë acar.
Zjarrin që të digjte në zemër,
Si trim e durove pa ankim.
Deri në shtratin e vdekjes
Me dashurinë fole, i urti Ibrahim.
Të ftohta ditët e atij Janari,
Të ftohta muret nëpër oda,
Luadhet e malet e Kosovës,
Mbuluar nga ngrica e bora.
Nata harron të largohet,
Shpirti po ikën ca nga ca.
Zemra dhe truri i munduar,
Në duart e natës dhimbjet i la.
Lot i fundit i jetës rrëshqet
Njeriun e Madh paqja mbështjell.
Janar, 2006
GËZIMI I FITORES
Mezi e pe ditën.
Mezi e ndave nga nata e gjatë.
Mezi erdhi Fitorja.
S’ishin pak tragjeditë,
humbjet, dhimbjet s’ishin pakë.
Kjo ditë Kosovë,
i ngjan stinës së pranverës.
Gëzimin solli,
me kthimin e dallëndysheve,
me kthimin e yjeve në qiell.
Si një trup i vetëm ke dalë
nuk të nxënë sheshet.
Nëpër botë,
me kohë u shitën biletat.
Rrugë të reja gjetën dasmorët,
për të ardhur te ty.
Eshtë e diel,
Qielli është i kaltër,
Fytyra jote shkëlqen.
Pritja ishte e gjatë, përtej durimit.
Me zë te plotë, me zë të fuqishëm shpërthen.
Me korin e ëngjëjve,
me fuqinë e dallgëve të oqeanit.
Rruga e gjatë e mundimeve
mbeti pas.
Fitorja është ulur
pranë sofrës së madhe, Dardani
buzëqesh me fytyrën e heronjve.
Eshtë e diel,
Shpirtrat gëzojnë
Toka dhe Qielli kanë festë
Në varrezat, martirët
të qetë janë tani.
Asgjë nuk vajti dëm
As gjaku i derdhur.
Ata që e dinë se çfarë ndodhi dje,
nën këtë qiell,
ndoshta nuk dinë shumë,
ndoshta pak, shumë pak dinë.
Por qielli yt i di të gjitha.
Ky qiell di kaq shumë.
Ndaj sot nuk mbahet,
derdh dritë e ngrohtësi.
Pranvera rrit barin e ri, me shpejtësi.
E gëzofsh Fitoren Kosovë !
Shteti më i ri në Botë.
Bota të njohu KOSOVË!
Shkurt, 2010.