Kampet e internimit të periudhës 1945-1954, nga kampet e Krujës dhe Beratit, deri tek i Portopalermos dhe i Tepelenës/
Nga Simon Mirakaj/
Menjëherë mbas çlirimit dhe vendosjes të pushtetit komunist në Shqipëri filluan raprezaljet kundra kundërshtarëve politik. Nëse në pjesën e Europës perëndimore filluan rindërtimin, mbas shkatërrimit të luftës, në pjesën e Europës Lindore filluan të hapin kampe internimi, që ngjasonin me kampet e nazismit.Filluan vrasjet me gjyq e pa gjyq,filluan torturat në burgje,internimet,rrëmbimi i pronave etj.Shqipëria u kthye në një shtet burg.Këtij terrori të panjohur në historinë e popullit tonë ju thurën dhe këngë, si ajo e famëshmja”enver hoxha e mprehu shpatën”.Shpata e Demokleut i qëndroi mbi kokë njerëzve të pa fajshëm për dyzet e pesë vjet.Nëse do të kishte çmime për krime,burgime dhe internime Shqipëria për nga numuri i popullësisë do të zinte vendin e parë, janë vrarë me gjyq e pa gjyqe 6000 vetë,janë burgosur 23000 persona,janë internuar e dëbuar 400000 persona. Në cilin vend u vra gruaja shtatëzënë, në cilin vend u vranë poetët, në cilin vend u var poeti, u vranë klerikët.Në cilin vend u dënua me ligj fëmija në djep,me internim dhe doli nga kampi 45 vjeç? Për mua është e vështirë të përshkruaj çfarë ndodhi me ne, në këto kampe.Për të qenë sa më i saktë duhen shtruar disa pytje:
1- Çfarë kuptojmë me fjalën internim,apel ?
.2 -Si bëheshin internimet e periudhës 45-54?
3- Sa kampe kishte?
4- Si trajtoheshin njerëzit?
Me fjalën internim në kuptimin linguistik kuptojmë një qëndrm të detyruar në një vend të caktuar. Duhet shtuar në një vend të caktuar të rrethuar me tela, e me polici të pa shpirt që përveç emrit njeri, nuk kishin as gjë të përbashkët me të.Apel do të thotë thirrje emër për emër,ky apel bëhej tre herë në ditë, me orar të vënë nga komanda.Internimet beheshin pa vendime.Vendimet i kishte vetë sistemi i diktaturës që po venodsej në Shqipëri.Makinat të shoqëruara me polici ju afroheshin shtëpive të rrethuara nga ushtarë të armatosur. I nxirrnin nga shtëpitë me forcë plaçkisnin çfarë ishte me vlerë dhe duke i shtyrë i hipnin në makinë e i nisnin nëpër kampe përqëndrimi të shpërndarë në të gjithë vendin. Duke i lënë të marrin vetëm rrobat për të fjetur, e a to me numër.Veriu dërgohej në jug ndërsa jugu në veri.
Kampi i internimit i Beratit dhe Krujës
Dy ishin kampet e fillimit, ai i Beratit dhe i Krujës..
Kampi i Krujës(17Qershor-7 korrik 1947).Në këtë kamp të intrnuarit kanë jetuar me 600 gramë bukë misri në ditë.Plot dy vjet punuan të internuarit me punë të rëndë krahu.Ata flinin në stallat e kafshëve të rrethuar me tela e të ruajtur nga policia.
Në Berat të internuarit jetonin në kazermat e pashait e në kala.Një pjesë që ishin me të rinj i dërguan në Kuçovë për të punuar.Kur nuk e bënin normën, rriheshin nga komandanti i kampit Pandi Anastasi. Duhet theksuar se kampet ishin mbushur me gra, fëmijë, e pleq.Kampi i Krujes edhe i Beratit u nda në dysh. Me këtë mënyrë ndanin familjet. Nga Kruja një pjesë i internuan në Kashar për të punuar dhe të internuarit e Beratit i dërguan në Kuçovë.Në Nëntor të 47 të internuarit i dërguan në Kamëz i strehuan nëpër çadra e stalla.Këtu, thotë një nga të internuarit e atij kampi kemi punuar zbathur edhe në kohën e dimrit ku balta shkonte deri në gju.Të internuarit e kampit të Beratit në 49 i dërguan në Tepelenë në kampin e çfarosjes apo Aushvici shqiptar. Gjatë rrugës për në Tepelenë makina rrëzohet dhe si pasojë vdiqën Fadil e Xhuma Petrela.Në 14 prill të 49 shumë djem të moshës 14, 15 vjeç i dërguan në Lozhan.
Lozhan, 14 prill -12 dhjetor 1949
Ja si tregon një i internuar në kampin e Lozhanit Vasil Kokali;Para se të shkonim në Lozhan,kemi qëndruar në Godoviat të Gramshit 17 ditë pa strehë në qiell të hapur,edhe moti ishte për ditë me shi.Nga Godoviati u arratisën 9 vetë,6 kaluan kufirin një u vra,një u plagos e një u kap i gjallë.Në 7 Maj të vitit 1949 të shoqëruar nga forca të shumta ushtarësh, u nisëm nga Godoviati në këmbë për në Lozhan të ngarkuar me rraqet tona,mbas tre ditësh kemi mbërritur në Lozhan të rraskapitur nga lodhja e të uritur ,rrugës kemi ngrënë gjethe hardhije të egër. Punën e kishim shum të rëndë,hapje rrugë, ku gjetëm edhe 80 çamë.Kush nuk realizonte normën tregon Vasili e futnin për ndëshkim në ujin e lumit Devoll deri në brez – mos harroni këta të internuar ishin të moshës 14 ,15 vjeç.Në kampe janë rrahur në mënyrë barbare si Nikolla Bicuni nga Dropulli i sipërm dhe Safet Xoxi nga Paramithija e Çamërisë. Më 12 dhjetor një pjese të internuarëve transferohen nga Lozhani për në Portopalermo.
Portopalermo,dhjetor 1949-50
Mua më nisën për në Portopalermo,thotë V.Kokali në Lozhan më mbetën dy vëllezrit njëri 14,e tjetri 15 vjeç,ndërsa motrën e nënën i dërguan në kampin e Valiasit, familja ishte ndarë në tre kampe e kjo jo pa qëllim.Në orën 5 të darkës na kanë hipur në makinë nën shoqërinë e një shiu të imtë.Të gjitha lëvizjet nga një kamp tek tjetri i bënin gjithmonë nën shi.Më 14 dhjetor në orën 10 të natës arritëm në Portopalermo.Në këtë kala kemi gjetur gra, fëmijë,plaka e pleq të ardhur nga kampi i Tepelenës.Në këtë kamp kishin sjellë për ndëshkim familjet më të nderuara nga krahina e veriut,si të Fiqiri Dines,të Markagjonit,të Mirakajve,Kaloshëve,Të Hysni Demës,të Cen Elezit,Preng Previzit,të Sina Goles,Nush Topallit,Pal Pognit,si dhe shumë beqarë si Shpend Sherfi,Xhevit Matjanin,Bajram Xhafen,Avni Agollin,Hazis Kurjanin,Kujtim Velmishin,Sabri Dergutin,Luigj Markun e të tjerë.Më vonë erdhën ata që u liruan nga burgu si Fatbardh Kupi,Viktor Dosti,Alush Dizdari,Isuf e Imer Keqi,e shumë nga Devolli që s’më kujtohen emrat.Në këtë kamp fatëmirësisht nuk ishte i gjatë qëndrimi se do të kishim vdekur të gjithë.Kapter Ahmeti nga Kuçi i cili më parë kishte qenë gardian i burgut të Gjirokastrës i transferuar me detyrë në Portopalermo,u çudit nga kushtet tepër të këqia duke thënë se Kalasë së Gjirokastrës i ka dalë nami se kjo qenka për të qarë hallin.Këtu të Internuarit u verbuan nga mungesa e vitaminave,si Ndue Doshi,Mark Doshi,ata ecnin këmba doras Ushqimi ditor ishte 400gramë bukë thekri e një lugë lëng groshe.Në kala rrezja e diellit nuk depërtonte asnjëherë,dritaret ishin shumë të vogla,ambjenti ishte gjithmonë në terr,lagështirë ishte një gejndje tmerri.Për të fjetur si dyshek kishim rrasat e gurit,ujë të kripur e me krimba pinim nga pusi që ishte në hyrje të kalasë.Në kamp buka gatuhej e piqej në kala.Një ditë i them bukëpjekësit :- Ore Ded’, s’të kam parë asnjëherë të pastrosh govatën e gatimit,ai mu përgjigj se unë kurrë s’kisha me mujtë me e pasturue ma mirë se minjtë.
Kampi famëkeq i Tepelenës
Tepelenë (9Prill 1949-14Mars 1954).Kampi ngrihej rrëzë kalasë,buzë lumit Bençe ,në gazermat e ngritura nga ushtria italiane gjatë luftës së dytë botërore.Në kampe ngriheshim në orën 5 për apelin ndërsa në orën 6 do të grumbulloheshim para drejtorisë për të na caktuar punën.Organizimin e punës e bënte policia e kampit, në përbërjen e saj kishte 15 policë. Një pjesë punonim në baçen e komandës, pjesa tjetër priste e trasportonte dru në kurriz nga mali i Turanit 7 km larg .Ndërsa gratë mblidhnin pleh organik nëpër stanet e maleve të Tepelenës e i transportonin në kurriz me litar,disa punonin me bel ,bënin qelizëm ,të tjerë mbanin driza në kurriz për t’i çuar në kamp për guzhinën ,drizat i merrnin 5 km larg kampit.Për transportin e drizave komanda kishte caktuar një skuadër me vajza të reja,të cilat shkonin dy herë në ditë.Kapterri që i shoqëronte nuk i lejonte që të pinin ujë.Këto ishin vajza të familjes Kaloshi,Mirakaj,Markagjoni,Demaj,Tuçi nga Mirdita,Gole.Topalli[Suzana Topalli].Nga lodhja,urija,ato vendosën të hidhen të ngarkuara me dru në lumin Vjosë, njëra prej tyre kundërshtoi, duke iu thënë se ne nuk bëjmë asgjë vetëm ju shtojmë dhimbjen nënave tona. Shpesheherë kur ktheheshim nga puna ishim të lagur prej shiut, rrobat na thaheshin në trup.Kampi kishte 2000 persona.Racioni i ushqimit ishte 80 gr.oriz për person 50 gr makarona,bollgur,grosh të gjitha me krimba,9 gr.vaj,5 gr kripë e 400 gr.bukë.Në kampe njerëzit hanin çfar të gjenin,si lende derrash gorrica të egra ,mish të ngordhur kur i gjenin gjatë punës..Kampi ishte i mbushur me predha të mbetura nga lufta italo greke ,komanda vinte edhe fëmijët për t’i stivosur.(Vijon)
Abonoho tek gazeta “Dielli”
Dergoje cekun ( i paguhet Vatres) me $ 60 per abonim vjetor ne SHBA dhe $ 100 ne Europe dhe Australi. Keni deshire te anetaresoheni ne Federaten “Vatra”? Me $100 siguroni anetaresimin dhe gazeten Dielli.
ADRESA
VATRA
2437 SOUTHERN BLVD
BRONX, NY 10458