– Kardinali shqiptar Ernest Simoni – Troshani, sonte në meshën Lutja e Mbrëmësores me Lutjet e Nënë Terezës në Kishën e Shën Ndout në kryeqytetin e Kosovës. Të pranishëm edhe vatranë nga SHBA/
-Shugurimi i Katedralës Nënë Tereza bëhet në 5 shtator 2017, në ditën që është e 1 vjetorit të shenjtërimit e të 20 vjetorit të kalimit në amshim të shenjëtëreshes shqiptare/
PRISHTINË, 4 Shtator 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ I Dërguari i Posaçëm i Papa Françeskut për shugurimin nesër të Shenjtërores Shën Nënë Tereza në Prishtinë, Kardinali shqiptar Ernest Simoni – Troshani, sonte ishte i pranishëm edhe në meshën Lutja e Mbrëmësores me Lutjet e Nënë Terezës në Kishën e Shën Ndout në kryeqytetin e Kosovës.
Gjatë ditës, në Rezidencën e Ipeshkvisë Kardinal Simoni në konferencë shtypi është shprehur i lumtur që ndodhet në Kosovë dhe është lutur e ka uruar që të ketë rritje të dashurisë vëllazërore, të mbizotërojë begatia e harmonia.
Në meshën sonte në në Kishën e Shën Ndout në Prishtinë ishin të pranishëm edhe vatranë nga SHBA, Zef Balaj, anëtar i Kryesisë së Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, që ka ardhë në Kosovë bashkë me bashkëshorten Lina, anëtari i Këshillit të Vatrës, Lek Përlleshi, me bashkëshorten Vera, si dhe Nue Balaj, nip i Zefit, të cilët sapo kanë ardhur në Kosovë kishin një pritje të veçantë në Ipeshkvi nga Ipeshkvi Dodë Gjergji, e edhe më shumë vatranë do jenë nesër në festën e shugurimit të Katedralës Nëna Terezë. Ata ishin të ftuar sonte nga Ipeshkvia e Kosovës në darkën e falënderimit për donatorët e ndërtimit të Katedrales.
Shqiptarët nga SHBA – Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, që vepron në Nju Jork dhe rrethinë, kanë kontribuar për mëse 9 vite me
Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji në fjalën përshëndetëse në hapje të “Ditëve të Nënë Terezës” në 26 gusht, vlerësoi lart të gjitha kontributet, ndërsa takoi e falënderoi vatranët edhe gjatë koktejit, ku ishin i ardhuri enkas bashkë me bashkëshorten Dila, Marjan Cubi, anëtar i Kryesise së Vatres, njëherësh arkëtar si dhe kryetar i Komisionit për mbledhjen fondeve për ndërtimin e Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë, anëtari i Komisionit, Fran Marku, si dhe Tomë Paloka që do e botojë së shpejti librin “Shqiptarët më të mirë në Amerikë që i njoha unë”.“Dua me këtë rast të falënderoj të gjithë donatorët, që na kanë ndihmuar për ndërtimin e kësaj Kishe, ata që janë sot prezentë e ata që do të jenë me 5 shtator”, është shprehur Ipeshkvi Gjergji.
Është bërë e ditur se realizimi i Shenjtërores-Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë është bërë i mundur nga donatorët e diasporës shqiptare nëpër botë. Rezultati është një Katedrale madhështore në qendër të kryeqytetit të Kosovës, e lartë 32,50 metra, e gjerë 42,30 metra dhe e gjatë 77,40 metra.
Shugurimi i Katedralës Nënë Tereza bëhet në 5 shtator 2017, në ditën që është e 1 vjetorit të shenjtërimit e të 20 vjetorit të kalimit në amshim të shenjëtëreshes shqiptare.
Gurthemeli i Katedrales në Prishtinë është vënë në 26 gusht 2005 për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë nga ana e Presidentit historik Ibrahim Rugova, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinalit të Uashingtonit Teodor Mekkerik.
“Papa Gjon Pali i Dytë e ka përkrahur personalisht ndërtimin e kësaj katedraleje”, theksonte Presidenti historik i Kosovës, Rugova.