Nga Harilla Koçi/Vlore.-Karroca simbolike, me të cilën udhëtoi Ismail Qemali gjatë rrugëtimit të tij drejt Vlorës, në nëntor të vitit 1912, u vendos të dielën në Muzeun Kombëtar të Pavarësisë në qytetin e Vlorës.
Me këtë rast, në mjediset e këtij Muzeu u organizua një ceremoni për të improvizuar mbërritjen e kësaj karroce me ideatorin dhe Kryeministrin e Pavarësisë së Shqipërisë, ku ishin të pranishëm qytetarë dhe përfaqësues të institucioneve, gazetarë, artistë etj. Mes të ftuarve ishte edhe zoti Behar Selimi, ish deputet në Kuvendin e Kosovës dhe ish gjeneral i Policisë së Kosovës, si dhe pjesëtarët e Ansamblit Folklorik “Lidhja e Prizrenit”, nga Prizreni.
Në fjalën e tij, drejtori i Muzeut Kombëtar të Pavarësisë, Istref Dobi, e cilësoi eveniment plotësimin e relikeve të këtij objekti, me një element të tillë sikurse është karroca simbolike, që solli në Vlorë Ismail Qemalin, në ato ditë të lavdishme të nëntorit të 1912-ës, për të organizuar Kuvendin Kombëtar dhe Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Ai falenderoi firmën “Shehaj Metal” që realizoi ndërtimin e karrocës, të ngjashme me atë që shfaqet në filmin “Nëntori i Dytë”, si dhe zotin Bujar Leskaj, Kryetar i KLSH-së, që mbështeti realizimin e këtij projekti.
Po ashtu, të pranishmit i përshëndeti edhe zoti Behar Selimi që u ndal tek rëndësia që ka për të gjithë shqiptarët, Shpallja e Pavarësisë Kombëtare në 28 Nëntor të vitit 1912.Ansamblet folklorike “Lidhja e Prizrenit”(Prizren) dhe “Ismail Qemali”(Vlorë), dhanë një koncert për të pranishmit.
Karroca simbolike e Ismail Qemalit, do të qëndrojë në oborrin e godinës së Muzeut Kombëtar të Pavarësisë. Në këtë shesh, janë vendosur edhe bustet e anëtarëve të Qeverisë së Pavarësisë.