Një grup gazetarësh të gazetës greke Kathimerini kanë qenë në Lazarat gjatë ditëve të operacionit policor antidrogë, kanë takuar banorë të fshatit, kanë biseduar me ta dhe kanë filmuar pamjet e fshatit pas ndërhyrjes së policisë.
“Vetëm pak kilometra larg nga kufiri greko-shqiptar, në një shpat mali shtrihet Lazarati me 5.000 banorë”, shkruan Kathimerini. Që nga fillimi i viteve 2000, kur filloi të kultivohej kanabis, në këtë fshat nuk shkelte këmbë polici. Dy javë më parë, njerëzit e RENEA-s me mjete dhe maska në fytyrë, rrethuan fshatin dhe malet përreth duke ndjekur prodhuesit e hashashit. “Prodhimi ishte aq i madh saqë kur arritëm në Lazarat, në epilogun e operacioneve policore, në çdo rrugicë e oborr kishte pirgje bimësh hashashi të djegura”, shkruan gazetari. Po aq shpesh dëgjohen edhe të shtënat, ndërkohë që çdo ditë policia zbulon dhe sekuestron municione. “Me ardhjen tonë në Lazarat na ndaluan në 3 pika kontrolli. Prania e policisë në fshat ishte aq e madhe, saqë në kafenetë e sheshit qendror, nuk kishte fshatarë, por prokurorë, hetues, e policë të ardhur nga Tirana. Policia ka kontrolluar mbi 130 shtëpi, ku ka gjetur drogë, armë e municione. Ku kaluar shënon hyrjen me një “X” i madh”, thuhet në shkrim. Gazetari grek ka takuar kolegun shqiptar Telnis Skuqi, i cili i ka treguar se Lazarati në të shkuarën ka qenë peng i organizatave kriminale dhe në të s’mund të shkelte asnjë gazetar. Skuqi rrëfen historinë e tij të kërcënimeve pas shkrimeve për trafikun e drogës.
Më pas gazetari grek i referohet avionit të Divjakës, për të cilin sic thotë deri javën e kaluar janë të panumërta raportimet e medias shqiptare. Opozita mori avantazhin duke kritikuar qeverinë e Edi Ramës për tregtinë e pakontrollueshme të drogës, deri në protestat që PD zhvilloi në rrugët e Tiranës duke e akuzuar Ramën se mbështet trafikantët. Presioni politik përkoi me pritjen e Shqipërisë për dhënien e vendit kandidat për anëtarësim në BE, e cila u dha disa ditë më parë.
Megjithatë, shton Kathimerini, raporti më i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit tha se Shqipëria në vitin 2013 mbeti burimi kryesor i marihuanës për tregun evropian. Sidomos tre vitet e fundit, prodhimi i hashashit është rritur. Vitin e kaluar numri i të arrestuarve për trafik droge në rrethina dhe kufirin e Shqipërisë ka qenë 803, ndërsa në vitin 2012 ishte 729. Transferimi i hashashit në Evropë bëhet me anije, aeroplanë, madje edhe me mushka më të trajnuara të ndjekin këtë rrugë pa drejtues. Pavarësisht prodhimit në rritje, autoritetet shqiptare nuk mund të hynin në Lazarat dhe çdo aksion i tyre nuk ka mundur ta ulë prodhimin e hashashit. Ndërkaq në Lazarat vendasit tani po kërkojnë ndihmë nga shteti, për t’i futur në punë, shkruan Kathimerini pa harruar të ndalojë edhe në Dervician ku banorët minoritarë grekë shprehen se kanë frikë nga hakmarrja dhe tregojnë muret e shtëpive të shpuara nga plumbat