![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2021/11/66-1024x768.jpg)
Shkup, 20 nëntor 2021 – Muzika e pasur arbëreshe sot ishte në fokusin e studiuesve në kuadër
të manifestimit tradicional kulturor – shkencor “Ditët e Alfabetit” në ITShKSh – Shkup.
Në fjalën e hapjes, udhëheqësi i Departamentit të Etnologjisë në ITShKSh, Rini Useini, tha se me
anë të këngëve dhe valleve, nëpërmjet riteve dhe manifestimeve, nëpërmjet haresë së
përditshme apo edhe të krijimeve të reja muzikore, arbëreshët e kanë ruajtur më së miri
identitetin e tyre të veçantë. “Arbëreshët shquhen për kolektivizmin e tyre, ata bashkëfestojnë
dhe bashkëjetojnë me muzikën e traditën, dhe janë koshientë që tradita e tyre është
shumëshekullore dhe atë e ruajnë në formën më të mirë. Kudo që të shkosh në hapësirën ku ka
arbëresh e shikon se muzika është pjesë e jetës së tyre të përditshme”, tha Useiuni.
Më tej studiuesit paraqitën kumtesat e tyre për larminë dhe madhështinë e këngës dhe valles
arbëreshe. Studiuesi Sami Piraj, prezantoi kumtesën me temë: “Bartja e frymës së muzikës
arbëreshe në arealin muzikor shqiptar”. Studiuesja nga Kosova, Rreze Kryeziu, përmes një
video-prezantimi paraqiti temën: “Muzika arbëreshe përmes krijimtarisë së kompozitorit Shime
Deshpali”, me rastin e 40 vjetorit te vdekjes se kompozitorit. Më tej, studiuesja dhe soprano
Besiana Mehmedi, referoi në temën: “Roli i muzikës në ruajtjen e gjuhës dhe traditave tek
arbëreshët”, dhe Ermal Mehmeti e Jeta Starova – Mehmeti u prezantuan me temën: “Kultivimi i
këngës arbëreshe”, ndërsa me violinë dhe flaut interpretuan një melodi arbëreshe.
Në manifestimin “Ditët e Alfabetit -2021”, gjatë ditës së nesërme (e diel), prej ora 12.00
aktivitetet do të zhvendosen në Manastir, konkretisht në Muzeun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe,
ku do të ketë disa referime. Ndërsa, ditën e hënë më 22 nëntor në ITShKSh në Shkup solemnisht
do të shënohet 113-vjetori i Kongresit të Manastirit dhe 14-vjetori i ITShKSh.
Manifestimi mbështetet nga Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive.