“Një tokë e karakterizuar me male të fuqishme, që për shekuj të tërë janë lëkundur nga beteja të përgjakshme”…
Mund të tingëllojë si citat nga një broshurë turistike që shet pushime verore në Ballkan, por në fakt me të tilla citate nis një video e re propagandistike e asaj që njihet si qendër mediale “Al-Hayat”, e ndërlidhur me grupin militant “Shteti Islamik”.
Videoja ka në shënjestër myslimanët që jetojnë në shtetet e Ballkanit dhe theksi bie mbi versionin revizionist të Shtetit Islamik mbi historinë e Ballkanit, duke nisur nga Lufta e Parë Botërore.
Ajo është publikuar në rrjetet sociale më 4 qershor, por duket se është xhiruar para 6 shkurtit, kjo për faktin se njëri nga militantët që shfaqet në video, Mirza Haklaj nga Mali i Zi është raportuar të jetë vrarë pikërisht në atë datë.
Mesazhi në këtë video është i ngjashëm me atë që kanë video mesazhet tjera të IS-it: Myslimanët në Evropë janë përçmuar nga “të pabesët” dhe ata mund ta rimarrin dinjitetin e tyre vetëm përmes “xhihadit” në radhët e Shtetit Islamik.
Dhe përveç thirrjeve për t’iu bashkuar Shtetit Islamik, videoja bën thirrje gjithashtu për sulme të vetme kundër caqeve vendore në Ballkan.
Dy nga personazhet në këtë video, flasin shqip.
Abu Muqatil [Al Kosovi] dhe Abu Bilqis [Al Albani] paralajmërojnë hakmarrje “ndaj atyre që kanë poshtëruar myslimanët”, ndërsa thonë se “armiqtë e Allahut po kërkojnë t’i përçajnë”.
Në mesazhin e Al Kosovit flitet për “ditë të zeza” ndaj atyre që kanë nënçmuar myslimanët dhe Allahun, “në Kosovë, Shqipëri, Bosnjë, Maqedoni dhe në të gjithë Ballkanin”.
Ndaj videos së publikuar nga Shteti Islamik me përmbatje kërcënuese, ka reaguar edhe Bashkësia Islame e Kosovës.
Zëdhënësi i kësaj Bashkësie, Ahmet Sadriu duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se Bashkësia Islame e Kosovës i gjykon ashpër kërcënimet që Shteti Islamik i përcjellë për rajonin, përfshirë edhe Kosovën, përmes videos së publikuar.
“Këto nuk kanë të bëjnë absolutisht me anën fetare Islame, sepse të kërcënosh me vrasje, me shkatërrime dhe gjera të tjera, Islami këto i ndalon. Ato faktikisht nuk kanë të bëjnë fare me Islamin”.
“Kështu që, ne si institucion, si Bashkësi Islame, paraqitjet e tilla i gjykojmë, mirëpo apelojmë tek institucionet tona shtetërore që të jenë vigjilente dhe t’i përcjellin këto gjëra”, thotë Sadriu.
Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, thonë se ekzekutivi është duke i dhënë përkrahje të gjithë dikasterëve që janë përgjegjës për sigurinë në vend, përfshirë këtu, Policinë e Kosovës dhe Departamentin e saj Kundër Terrorizmit, prokurorinë dhe Agjencionin Kosovar të Intelegjencës, në mënyrë që ato t’i kenë resurset e nevojshme për të kryer detyrat e tyre.
Edon Miftari, këshilltar për siguri i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, thotë për Radion Evropa e Lirë se organet e sigurisë janë të gatshme të reagojnë përballë çfarëdo lloj kërcënimi, përfshirë këtu edhe kërcënimet sikurse ky i fundit nga Shtetit Islamik, përmes videos së publikuar.
“Unë besoj që nëse policia, përmes analizave të veta dhe përmes bashkëpunimit që e kanë me AKI-në , vlerësojnë që ka kredibilitet në ato kërcënime, atëherë ata i kanë masat e veta që i ndërmarrin në përputhje me kërcënimin”, theksoi Miftari.
Policia e Kosovës, përmes një komunikate për medie ka vlerësuar se “tani për tani nuk paraqitet ndonjë rrezik i lartë nga terrorizmi në Republikën e Kosovës, megjithatë Kosova nuk mund të jetë imune sikurse nuk janë edhe shtetet me te zhvilluara ne Evropë e me gjerë”.
Gjithashtu në këtë komunikatë thuhet se Policia e Kosovës, “ monitoron çdo aktivitet të personave fizik dhe juridik, për të cilët siguron informata se mund të paraqesin rrezik për rendin kushtetues në të ardhmen apo mund të kryejnë ndonjë vepër penale” dhe se “e gjithë kjo bëhet me qëllim të parandalimit dhe zbulimit të ndonjë vepre penale të mundshme, duke përfshirë veprat e terrorizmit dhe ekstremizmit fetar”.
Sidoqoftë, ajo që është e dukshme në këtë video, është mungesa e Lavdrim Muhaxherit, militantit më të njohur nga vendet e Ballkanit në IS.
Muhaxheri pretendohej të jetë vrarë vitin e kaluar, deri në shpërfaqjen e një videoje më 21 maj, në të cilën shihej teksa kryente një sulm me raketahedhës kundër një të riu sirian. Koha se kur është bër videoja në të cilën shihet Muhaxheri mbetet ende e diskutueshme.
Ndryshe, sipas hulumtimit të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, mbi 230 qytetarë nga Kosova thuhet se u janë bashkuar organizatave terroriste në Siri edhe Irak, duke e renditur Kosovën në vendin e tetë nga numri i shteteve, qytetarët e të cilave u janë bashkuar luftërave të huaja.(Kortezi:Bekim Bislimi dhe Joanna Paraszczuk)