Artan Nati/
Kërkimi i faljes dhe dhënia e faljes janë pjesë përbërëse e çdo zgjidhjeje afatgjatë të një konflikti të vështirë. Pa to, është e pamundur të arrihet pajtimi dhe paqja e qëndrueshme. Shtypësit që kryen shkelje të të drejtave të njeriut dhe mizori të tjera duhet të marrin përgjegjësinë për veprimet e tyre dhe të kërkojnë falje. Një falje duhet të jetë e sinqertë dhe të pasqyrojë keqardhjen e vërtetë për veprimet e kaluara. Një kërkim falje mund të jetë ende i rëndësishëm nëse bëhet nga dikush që është pasardhës i asaj klase që ka kryer krimet apo abuzimet, diçka që Presidenti William Clinton e kuptoi kur kërkoi falje për skllavërinë, edhe pse ajo kishte marrë fund pothuajse një shekull para se ai të lindte.
Shoqëria jonë nuk e ka kaluar një proçes të tillë prandaj dhe kemi disa probleme serioze që reflektohen edhe në politikë e në jetën tonë të përditëshme dhe sa më shpejt t’i evidentojmë dhe të përpiqemi të zgjidhim këtë nyje gordiane të politikës dhe kulturës shqiptare, më i shpejtë do të jetë integrimi ynë kulturor e politik me Europën e bashkuar.
Debati më i madh që konstatohet tek ne ështe se: A duhet të kërkojnë të falur (apologji) përfaqësuesit apo pasardhësit e regjimit komunist dhe pastaj të bashkëpunojmë me ta, apo të persekutuarit mund të falin persekutonjësit e tyre dhe të bashkëpunojmë për interesin e vendit dhe integrimin e tij. Besoj se çështja nuk është kaq e thjeshtë sa duket dhe eksperienca botërore mund të na vijë në ndihmë.
Duke pranuar gabimin, ju i jepni vlefshmëri dhimbjes së një individi ose tragjedisë së një popullsie të tërë. Në skenën globale, krerët e shteteve dhe institucionet fetare si Kisha Katolike shpesh kanë kërkuar falje publike. Ndonjëherë, duket sikur i nënshtrohesh një debati global gjithnjë në rritje që kërkonte njohjen e së kaluarës, dhe ndonjëherë dukej si një gjest nxitës i momentit. “Përballë humnerës së historisë gjermane dhe barrës së miliona njerëzve që ishin vrarë, unë bëra atë që ne njerëzit bëjmë kur fjalët na mungojnë”, kështu shprehej Brandt në kujtimet e tij. Ai u ul në gjunjë si një mëkatar, duke iu referuar traditës së krishterë. Ai u lut që gjermanët të faleshin. Willy Brandt, një socialdemokrat që kishte qenë pjesë e rezistencës kundër nazistëve, po lutej për falje për popullin e tij. Por a ishte i planifikuar gjesti? “Jo, nuk ishte,” këmbënguli Brandt. Ndihmësit e mi të afërt ishin jo më pak të befasuar se sa gazetarët dhe fotografët që qëndronin pranë meje. Edhe qeveria polake u befasua. Deri në atë moment konsideroheshin gjithmonë si “gjermanët e këqij”. Ata shiheshin si “revanshistë dhe luftënxitës” dhe pastaj papritmas ishte një kancelar gjerman, i cili u gjunjëzua duke sinjalizuar një hapje ndaj faljes.
Dhe në këtë mënyrë , politika e Brandt ishte një moment historik në rrugën e vështirë të pajtimit midis Lindjes dhe Perëndimit në Luftën e Ftohtë. Ishte, pikënisja e zhvillimeve që fillimisht çuan në revolucionet paqësore në Poloni dhe Gjermaninë Lindore, më pas në ribashkimin e Gjermanisë dhe më në fund në një partneritet të vërtetë: “Partneriteti midis Gjermanisë dhe Polonisë në një Evropë të bashkuar”.
Kur gabojmë me dikë që njohim, qoftë edhe pa dashje, në përgjithësi pritet të kërkojmë falje. Personi që lëndojmë ndjen të drejtën për te falur dhe shprehjen e keqardhjes . Ne, nga ana tjetër, përpiqemi të përmirësojmë situatën duke thënë: “Më fal” dhe ndoshta duke bërë dëmshpërblim.
Por kur ne veprojmë si udhëheqës, rrethanat janë të ndryshme. Udhëheqësit janë përgjegjës jo vetëm për sjelljen e tyre, por edhe për atë të ndjekësve të tyre, të cilët mund të jenë në qindra, mijëra apo edhe miliona. Pyetja e parë, pra, është, kush është saktësisht pala fajtore? Shkalla e dëmtimit është gjithashtu një problem. Kur një udhëheqës ndihet i detyruar të kërkojë falje (apologji), veçanërisht për një shkelje në të cilën janë përfshirë ndjekësit, dëmi i shkaktuar ka të ngjarë të jetë serioz, i përhapur dhe i qëndrueshëm.Meqenëse udhëheqësit flasin për vete, si dhe për ndjekësit e tyre, faljet e tyre kanë implikime të gjera. Akti i kërkimit të faljes kryhet jo thjesht në nivel individi por edhe në nivel institucioni. Nuk është vetëm personale, por edhe politike. Është një performancë në të cilën çdo shprehje ka rëndësi dhe çdo fjalë bëhet pjesë e të dhënave publike. A duhet të falin ish të persekutuarit politik ish persekutonjësit e tyre dhe pasardhësit e tyre? “Falja (e fajtorit) është mbi të gjitha një zgjedhje personale, një vendim i zemrës për të shkuar kundër instinktit natyror për ta kthyer të keqen me të keqe.” thoshte Papa Gjon Pali II. Mendoj se është e rëndësishme të kuptojmë se falja nuk e shfajëson persekutonjësin. Falja e çliron viktimën. Duke thënë të gjitha këto mendoj se po kthehemi përsëri në pyetjen fillestare. Mendoj se kërkesa për falje duhet të bëhet më parë nga pasardhësit e atij brezi që kreu krime dhe përfaqësuesit më të lartë të shtetit tonë duhet të kërkojnë falje publike ashtu si edhe Bill Clinton dhe të ulen në gjunjë si kancelari gjerman përpara gjithë shtresës së persekutuarëve. Gjithashtu është domosdoshmëri që të konkretizohen me ndërtimin e disa muzeve si burgu i Spaçit si dhe realizimin e filmave dhe dokumentarëve për përjetësimin e këtyre ngjarjeve sepse siç thotë filozofi George Santayana “Ata që nuk e kujtojnë të kaluarën janë të dënuar ta përsërisin atë”.