Në rast nevoje SHBA do ta sulmonte e vetme Sirinë. Që sulmi të përligjet ligjërisht, është e vështirë. Sepse shumica e shteteve i refuzojnë ndërhyrjet unilaterale./
Britanikët nuk do të marrin pjesë në një sulm kundër Sirisë pa mandat të OKB-së. Por kjo nuk e pengon Presidentin e SHBA-së Obama, për të ndërhyrë ushtarakisht kundër regjimit të Asadit. Shtëpia e Bardhë do ta justifikonte ndërhyrjen me përdorimin e gazit helmues javën e kaluar në disa fshatra në afërsi të Damaskut, për të cilin ajo bën përgjegjës regjimin e Bashar al-Asadit. Sulmi me gaz helmues vlerësohet si një shkelje e së drejtës ndërkombëtare, deklaroi ministri i Jashtëm amerikan John Kerry. Meqenëse Këshilli i Sigurimit për shkak të qëndrimit të Rusisë dhe Kinës nuk mundi të marrë vendim për ndërhyrjen ushtarake, është e mundur, që SHBA të heqin dorë nga rezoluta dhe ta sulmojnë Sirinë pa aprovimin e tij.
Qëndrim refuzues nga shumë shtete
Ndërhyrja humanitare është shumë e debatuar në të drejtën ndërkombëtare, shpjegon juristi i së drejtës ndërkombëtare Stefan Talmon, që jep mësim në Universitetin e Bonit. Shumica e shteteve e refuzojnë ndërhyrjen humanitare, thotë ai. “Nga perspektiva perëndimore ndërhyrja humanitare mund të jetë e lejuar sot në raste ekstreme, në qoftë se përmes saj shmanget një katastrofë humanitare urgjente. Nga ana tjetër po të nisesh nga një perspektivë globale, atëherë intervenimi humanitar nuk është i pranuar. Dhe natyrisht për të drejtën ndërkombëtare këndëvshtrimi global i gjërave është vendimtar”, thotë Talmon.
Rreziku i abuzimit
Dyshimet e kundërshtarëve të ndërhyrjes bazohen në përvojat e mëparshme me ndërhyrjet unilaterale, në rradhë të parë me pushtimin amerikan të Irakut në vitin 2003. SHBA e patën justifikuar atëherë sulmin duke thënë se regjimi i Sadam Huseinit zotëronte armë të shkatërrimit në masë. Pohimi doli më vonë jo vetëm i pabazë, por si informacion qëllimisht i rremë për të justifikuar ndërhyrjen. Ndërhyrjet e pasanksionuara nga Këshilli i Sigurimit të OKB janë veçanërisht të dyshuara se kryhen arbitrarisht, ose për arsye të tjera nga ato të deklaruarat zyrtarisht. “Natyrisht intervenimi humanitar bart në vetvete një rrezik, sidomos për shtete të dobëta, të cilat nuk janë vetë të afta për ndërhyrje humanitare, por mund të bëhen viktima të tyre”, shpjegon Talmon. Pikërisht kjo është parë gjatë sulmit në Irak. Ajo që e shtyu qeverinë për intervenim, nuk është shumë e qartë deri sot. Ëndrra e presidentit të atëhershëm Xhorxh W. Bush për një “Greater Middle East” të qetësuar më në fund pas vitesh të dhunshme, mund të kishte qenë një motiv. Por edhe për sigurimin e burimeve irakiane të naftës është spekuluar, si dhe për atë që administrata e Bushit donte ta kompensonte rastin e humbur në luftën e dytë të Gjirit për rrëzimin e Sadam Huseinit nga pushteti. Vetëm argumenti i deklaruar zyrtarisht për armët e shkatërrimit në masë të Huseinit nuk ka qenë që në fillim i bazuar.(DW)