Zbulohen veprime kundër Kosovës/
-Këshilli për Siguri i Kosovës: Janë zbuluar veprime të orientuara për destabilizim dhe për rrezikimin e rendit kushtetues/
-Policia e Kosovës: Gjendja aktuale e sigurisë së përgjithshme e qetë dhe stabile/
PRISHTINË, 14 Prill 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Pas shqetësimeve të ngritura në opinionin publik, Këshilli për Siguri i Kosovës në një deklaratë të sapodërguar informon qytetarët e vendit se institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës kanë zbuluar veprime të disa individëve dhe grupeve të tyre, të lidhura me grupe dhe individë nga vende tjera jashtë Kosovës, të orientuara për destabilizimin e Kosovës dhe për rrezikimin e rendit kushtetues.
Grupe të tilla kanë planifikuar të kryejnë akte kundër disa liderëve institucionalë dhe politikë të Kosovës.
Veprimet e tilla, vlerësohet se mund të jenë të lidhura me njerëz me të kaluar të dyshimtë, që punojnë me grupe dhe shërbime të disa vendeve dhe mund të kenë lidhje me persona të inkriminuar në konflikte jashtë Kosovës, si dhe me vende të caktuara të cilat synojnë destabilizimin e Kosovës.
Institucionet e Kosovës po ndërmarrin të gjitha veprimet për ruajtjen e rendit kushtetues, për sigurinë dhe mbrojtjen e jetës së liderëve shtetërorë dhe politikë dhe të njerëzve të tjerë të rrezikuar nga grupe të tilla kriminale.
Këshilli për Siguri i Kosovës konsideron se synimet dhe aktet e tilla duhet të dënohen nga të gjithë qytetarët e Kosovës, nga Qeveria, Parlamenti dhe shoqëria civile. Ndërsa, organet e rendit dhe ato të drejtësisë do të ndërmarrin të gjitha masat ligjore për të parandaluar akte që rrezikojnë jetën e njerëzve, stabilitetin e vendit dhe rendin kushtetues dhe që bartësit e grupet e tilla të sillen para drejtësisë, përfundon komunikata e dërguar.Ndërsa, Policia e Kosovës sapo deklaroi sot se vlerëson se gjendja aktuale e sigurisë së përgjithshme në Kosovë është e qetë dhe stabile.
Deklarata thekson se, në kontinuitet Policia e Kosovës në aspektin e sigurisë bën vlerësimet e nevojshme me qëllim të përcjelljes së trendëve apo situatës që ndërlidhet me zhvillimet në vend dhe më gjerë.
Aktualisht Policia e Kosovës ka në zbatim disa veprime operacionale të planifikuara, që ndërlidhen me manifestimet për festat e pashkëve, e që një qasje e tillë policore aplikohet edhe në rastet e tjera të manifestimeve të ndryshme, që kanë të bëjnë me ofrimin e sigurisë ndaj qytetarëve dhe parandalimin e çfarëdo incidenti të mundshëm.
Policia e Kosovës thekson se çmon lart bashkëpunimin me komunitetet fetare lidhur me manifestimin e këtyre festave dhe po ashtu falënderon të gjithë qytetarët për nivelin e lartë të vetëdijes qytetare për të respektuar të drejtat dhe liritë e të gjitha komuniteteve, si një nga vlerat fundamentale të shoqërisë demokratike.
Njëkohësisht Policia e Kosovës falënderon të gjithë qytetarët për bashkëpunimin e ndërsjellë të treguar, bashkëpunim ky i mirëpritur, i cili në vazhdimësi po tregon rezultate pozitive në realizimin e detyrave policore dhe sigurisë së përgjithshme në vend.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e planifikimeve të saja operacionale, me qëllim të ofrimit të sigurisë për të gjithë qytetarët, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në vend, si dhe parandalimin e incidenteve të çfarëdo natyre.